Lul Basha e Edi Rama, pazare për kryeqytetin?
Në kulmin e krizës politike të ditëve të fundit, kur mes PS-së dhe PD-së nuk gjendej marrëveshja, edhe për një presje të rezolutës, në një tjetër institucion për çudi, dy forcat politike kishin rënë dakord. Mbrëmjen e datës 23 dhjetor këshilltarët e majtë bashkuan votat me këshilltarët e djathtë për t’u hapur rrugën fondeve që do të marrë Bashkia e Tiranës. Në krahasim me gjithë buxhetet ndër vitet, ky është ndër të paktët raste kur PD-ja dhe PS-ja ranë dakord për të miratuar një dokument të tillë të rëndësishëm. Konsensusi mes të majtëve dhe të djathtëve nuk është gjetur as në kohën kur Bashkia drejtohej nga Rama dhe në qeverinë e ish-kryeministri Sali Berisha ndodheshin aleatët e sotëm të PS-së, përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Normalisht, kjo që ka ndodhur është normale në një vend me demokraci të zhvilluar. Por kjo ndodhi pikërisht në ditët e “dashurisë” Rama-Basha, kur kryeministri e shpëtoi kreun demokrat nga dështimi, duke i dhënë mundësinë të kthehen në parlament e të mos kishte probleme me grupin antiBasha në PD.
Në të vërtetë, buxheti i propozuar nga kreu i Bashkisë së Tiranës është një buxhet elektoral. Vetëm pak muaj para zgjedhjeve, kushdo që të kandidojë nga PD-ja, do ketë një thes të majmë për të shpërndarë para dhe për të bërë investime në prag të vjeljes së votave vendore. Për këtë arsye, mungesa e oponencës së këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak bëhet edhe më e dyshimtë. Sigurisht pati debate, por sherri i Aldrin Dalipit dhe Besnik Aliajt ishte më shumë për shkak të egoizmit personal dhe jo mbi ndonjë pikë të diskutueshme të buxhetit. Miratimi gati në heshtje i buxhetit duket si zbatim i një pakti, apo pazari që është bërë larg sallës së Bashkisë së Tiranës nga dy personazhet kryesorë politikë, Edi Rama dhe Lulzim Basha. Një ditë pas dhënies së votave të anëtarëve të majtë në Këshillin Bashkiak, deputetët e Partisë Demokratike, duke përfshirë dhe ata që ishin për linjën e ashpër kundër mazhorancës dhe djegien e mandateve, pranuan të nënshkruanin rezolutën dhe të thyenin bojkotin gati 6-mujor. Të jetë rastësi, apo dhënia e votave të këshilltarëve të majtë ka qenë një koncesion i kreut të koalicionit, për të futur Partinë Demokratike në Parlament?! Në këtë rast, fundi i bojkotit është shpërblyer dhe me para për fondet e Bashkisë së Tiranës, apo ka pazar tjetër? Në kriza të ngjashme politike, si kjo e bojkotit, mazhoranca dhe opozita kanë shfrytëzuar për të bllokuar kundërshtarin dhe buxhetet e bashkive më të vogla. Ndërsa me votimin e buxhetit të Tiranës, Rama i ka dhënë “oksigjen” monetar për një vit të rëndësishëm elektoral, kundërshtarit më të madh politik. Pak si e vështirë të mendohet se kjo është zemërgjerësi, kur vetë Ramën kur ishte në krye të Bashkisë, mazhoranca e djeshme e la disa vite pa buxhet të miratuar. Bile e masakroi. Mos ndoshta ka ndonjë pakt të ndonjë të huaji që erdhi në Tiranë për një natë e ku ndërmjetësimi është që Basha kandidon e merr përsëri Bashkinë e Tiranës nga 2015-2019, edhe si lider opozite, kurse Rama vazhdon edhe 2017-2021, kohë kur zor se vetë Edi Rama të kandidojë më për Kryeministër. Ai ka thënë se kam ardhur kryeministër për të punuar e për të ikur e jo për të qëndruar gjatë. Dyshimet mbeten tek një Pakt mes të dyve, mundet pa dijeninë e Metës.
Veç Buxhetit të Tiranës dhe rezolutës së famshme janë disa zhvillime të tjera që flasin për një periudhë “mjalti” mes dy kampeve kryesore politike. Prej disa ditësh, një pallat shumëkatësh ka nisur të ndërtohet afër Digës së Liqenit Artificial. Në kohën kur po prishen ndërtime me dhe pa leje në gjithë vendin, pasi bien në kundërshtim me planet urbanistike, ndërtimi i një përbindëshi prej 17 katësh në Tiranë nuk po bllokohet nga askush. Po hesht qeveria, po hesht edhe INUK-u, po hesht çdo institucion shtetëror. Nga Bashkia kuptohet që nuk shohin, se kanë dhënë lejen. Çuditërisht nuk kanë sy për të parë nga qeveria, edhe pse përditë thonë se mbrojtja e kurorës së gjelbër në Tiranë dhe hapësirat publike janë prioritet i kësaj mazhorance. Bile, kanë bërë luftë mes tyre për këtë gjë. Por gojët e liga thonë se pas kësaj janë lobe të mëdha financiare e ndërtimore që kanë pas vetes PS e PD, por nuk harrojnë edhe LSI. Pra, duket se biznesi i fuqishëm ka bërë që edhe në këtë rast, palët politike të bashkohen në interesa.
Pazari Rama-Basha, më shumë duket se mund të jetë pjesë e një loje të fshehtë që Lulzim Basha ta fitojë kryeqytetin në qershor 2015 dhe e ka si kurorë mbi supe përballë kundërshtarëve në PD, por me këtë rast, opozita futet në zgjedhje. Edi Rama fiton njohjen e zgjedhjeve nga opozita, pasi lë Tiranën, por fiton pothuaj gjithë Shqipërinë e në planin kombëtar del i larë.
Fiton Lulzim Basha dhe Edi Rama. Ndërsa PD e PS janë formacione që kanë dalë jashtë loje, si në këtë rast, por në gjërat e tjera. Janë dy kryetarë që secili nuk e lëshon më selinë ku janë ngjitur. Rama e mori vetë, kurse Bashës ia dha Berisha, por që tani drejton me dorë të hekurt derisa ta pastrojë “vathën” e selisë blu.
Kaq është pakti dhe nuk dihet se kush mund të futet t’i ngatërrojë, ndonëse duhet të presim vendimin e opozitës për zgjedhjet vendore. Nëse futet me këtë ndarje territoriale, ndërkohë që ka thënë se nuk futet, atëherë kemi të drejtë të themi se ka pazar. Njëri Qeverinë, e tjetri Bashkinë. Ka “mall” për të dy!