MajkoPandi-loja
Prej gati gjashtë muajsh, në komisionet e parlamentit ka mbërritur projekt-ligji “Për lojërat e fatit”. Si rregull, ligji duhet të kishte kaluar për miratim brenda 45 ditëve nga vendimi i qeverisë, por duket se një nismë e tillë kaq e ndjeshme ka bërë që deputetët të vonohen 6 muaj dhe të mos e miratojnë akoma. Dje, në komisionin e Ligjeve ligji kaloi në parim me një shtesë, që afati për nxjerrjen e lojërave të fatit nga qytetet në periferi të shtyhet edhe një vit. Pra, jo më 31 janar të vitit 2016, siç ishte parashikuar, por më 31 janar të vitit 2017.
Parlamenti praktikisht po u jep kohë edhe një vit tjetër bizneseve të kumarit që të mos lëvizin nga vendet ekzistuese dhe të vazhdojnë të qetë aktivitetin e tyre. Shtyrja me një vit e kërkuar nga deputeti Pandeli Majko të krijon dyshime se dikush e ka mësuar apo ia ka kërkuar ish-kryeministrit. Të duket paksa çudi se si Majko ka insistuar për kumarin ta shtyjë nxjerrjen e tyre nga qytetet, pasi Pandeli Majko nuk njihet për lojtar kazinosh apo lojërave të tjera. Mundet që vitet t’ia kenë mësuar edhe këtë lojë ish-kryeministrit socialist! Ai, realisht, njihet si njeri social dhe pranë shtresave të vobekta, ndaj insistimi i tij për të mos i larguar këto lojëra nga Tirana e qendrat e qyteteve stonon me imazhin që ka si politikan që jeton me hallet e njerëzve të thjeshtë. Këto lojëra, ndonëse janë ligjore, si rregull nuk lejohen në qytete, porse ka vende jashtë tyre dhe ku kush dëshiron shkon e luan atje. Ato janë kthyer në varrmihëse të qetësive familjare në Tiranë e kudo. Dihet se Edi Rama pati premtuar se do ti largonte nga qytetet, dihet se rinia po marroset pas tyre duke lenë lekët e prindërve e duke u kthyer në qendra krimesh, dihet se një orë e më parë qeveria duhet t’i largojë se shpëton dhjetëra mijë familje nga kaosi, ndarjet, vrasjet etj që sjellin këto lojëra. Por ka edhe një pyetje, ndonëse paksa e çuditshme: Mos Majko ka filluar të luaj kazino?! Pak e besueshme, por “gjithçka ndodh në Tironë!”.
Ligji duhet të ishte miratuar në muajin mars të këtij viti. Me ndryshimin e ri hyn në fuqi në janar të vitit 2017, i cili është një vit elektoral. Nëse shtyhen ende procedurat e miratimit në Kuvend nuk i dihet nëse hyn në fuqi para apo pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Ndaj nisma me të cilën u trumbetua ky ligj, duket se ishte një lojë politike me lojërat e fatit. Është një lojë, ku edhe këtë herë fitoi biznesi multimilionësh i kompanive të fatit e kazinove dhe jo politika që premtoi disiplinimin e tyre. Pra humbi qytetari.
Sesi ka funksionuar loja pas kuintave nuk është e vështirë të zbërthehet. Biznesi i kazinove në Shqipëri është ndër më fitimprurësit në vend. Pas emrave të kompanive të basteve qëndrojnë njerëz me pushtet financiar që duket se janë vënë në lëvizje duke ndikuar tek politika. Por nuk janë të vetmit, pasi ish-Drejtoresha e Lojërave të Fatit Luneda Suali, disa kohë më parë kur prezantoi këtë ligj u shpreh se “të gjithë deputetët kanë konflikt interesi”. Akuzë më e hapur për përfshirjen e politikës në biznesin e kumarit nuk është bërë më parë nga ndonjë zyrtar i lartë. Me logjikën e ish-drejtoreshës, do të thotë se deputetët po mbrojnë biznesin e tyre në këtë rast.
I vetmi propozim serioz që është bërë në komisionet parlamentare është ai i kreut të komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. “Çfarë problemi ka që ta pengojë qeverinë të vendosë një moratorium për lojërat e fatit, e t’i mbyllë plotësisht lojërat e fatit? Vetëm kështu mund t’i disiplinojmë lojërat e fatit!”,- tha dje socialisti Xhafaj. Realisht, kjo mund të jetë zgjidhja më e mirë për problemin e lojërave të fatit. Natyrisht për qytete. Në Tiranë ka mijëra pika bastesh sportive, dhjetëra lotari dhe kazino që mund të sjellin të ardhura për tatimet, por nga ana tjetër shkaktojnë plagë të mëdha sociale. Në gjithë vendin operojnë me licencë rreth 2600 lojëra fati. Shumica e tyre janë vendosur në qendrat kryesore të qyteteve dhe shpesh në hyrje të pallateve apo afër shkollave. Po të shikosh në Tiranë ka më shumë lojëra fati e baste se sa kafene e dyqane. Përveçse janë burim i krimit, lojërat e fatit janë edhe përgjegjëse për shumë drama familjare e plagë sociale, që kanë sjellë dhe vetëvrasje.
Shqipëria nuk ka një industri të lojërave të fatit që thith turistë siç janë vende të tjera në botë. Ky biznes është ndërtuar në mënyrë të tillë që u merr shqiptarëve edhe ato pak qindarka që kanë në xhep duke sjellë efekte sociale të tmerrshme. Problemi tjetër është tek modeli që u jepet të rinjve, pasi ky biznes shpeshherë është vendosur afër institucioneve arsimore dhe shumicën e frekuentuesve sot ka të rinj. Ndaj ndërhyrja me moratorium në këtë sektor nuk duhet të shihet si goditje ndaj biznesit, por edhe si një masë që sjellë efekt në jetën sociale të vendit. Fatmir Xhafa kishte të drejtë dje dhe po të shikoni rrjetet sociale dje pas deklaratës së tij për t’i mbyllur janë më dhjetëra mijë urime dhe përkrahje për Fatmir Xhafën.
Në fillim të mandatit qeverisës, Ministria e Financave nisi aksionin “Fund i Marrëzisë”. U sekuestruan disa pika bastesh, u mbyllën disa biznese dhe u gjobitën disa të tjerë. Por megjithëse ministria e quan sukses nga ana e saj opozita thotë se aksioni goditi disa biznese për t’u hapur rrugën disa bizneseve të tjera pranë qeverisë.
Me sa duket fati i “lojërave të fatit” ka mbetur në dorën e pronarëve të LOJERAVE TË FATIT, pasi mazhoranca i hoqi “brekët” tek pronarët e tyre.