Ish-kryeministri Majko thotë:Zgjedhje të reja,ndërsa LSI kërkon konsensus
Tashmë që pjesa kryesore e reformës në drejtësi është përfunduar me ardhjen e rekomandimeve të Komisionit të Venecias palët politike janë më larg konsensusit sesa në nisje të reformës. Madje në tavolinë është hedhur opsioni i zgjedhjeve të parakohshme. Ish-kryeministri i PS-së dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për reformën në drejtësi, Pandeli Makjo deklaroi dje se do t’i propozonte kongresit të partisë zgjedhje të parakohshme nëse nuk miratohet reforma në drejtësi. “Partia Socialiste nuk ka pse pranon bashkëfajësinë në këtë histori mafioze që rëndon mbi drejtësinë shqiptare. Unë kam një propozim për Kongresin e Partisë sime të cilën e dua se dua Shqipërinë. Partia në çdo rast është pjesa. Shqipëria ka brenda edhe kundërshtarët politikë me të cilët ndajmë një Atdhe dhe një të ardhme. Pa drejtësi nuk ka të ardhme për vendin tonë. Të vetëm nuk ja dalim dot. Kjo zgjidhje kërkon zgjedhje. Duhet të vendosim. Në këtë rast maskat nuk funksionojnë”,- tha Majko. Nuk besohet se Majko ka lëshuar kartën e presionit për zgjedhje të parakohshme parlamentare pa marrë lejen e kryeministrit Rama, ndaj duket se PS po luan një skenar që ti kap të pa përgatitur PD, LSI dhe partitë e tjera, duke i çuar në zgjedhje për 45 ditë. Skenar dinak, pasi duket se sa më shumë vazhdon përkeqësimi ekonomik aq me shumë vota humbet PS. Dhe duket se po e sajojnë pretekstin për të shkuar tani në zgjedhje me parullën “ ne duam drejtësi e ata nuk duan se janë mafiozë!”.
PS kërkon miratimin e reformës sipas variantit të ekspertëve të saj, në të kundërt kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të kalohet në Planin B. Se cili është Plani B i Partisë Socialiste u zbardh dje nga ish-kryeministri Paneli Majko. Në këtë mënyrë çështja e zgjedhjeve është shtruar zyrtarisht në tavolinën e diskutimeve nga një prej zërave kryesorë të Partisë Socialiste. Partia Demokratike ka kërkuar ridiskutimin e 11 pikave nga dokumenti i reformës dhe nisjen e dialogut politik për të arritur konsensus. Por Sipas Partisë Socialiste kjo kërkesë e kthen reformën në pikën e nisjes dhe nuk mund të diskutohet dhe nga negociatat, në mënyrë të hapur, ka nisur kërcënimi me zgjedhje të parakohshme.
Në kontrast nga qëndrimet e PD për diskutimin politik të pjesës më të madhe të reformës dhe idesë së PS-së për shkuarjen në zgjedhje, Lëvizja Socialiste për Integrim duket më e qartë. Kreu i Kreu i LSI-së dhe aleati kryesor i Koalicionit të majtë Ilir Meta është i vetmi nga liderët politikë të partive kryesore që ka mbajtur qëndrim publik për rekomandimet e Komisionit të Venecias. Zyrtarisht as kryeministri Edi Rama dhe as kreu i PD-së, Lulzim Basha nuk kanë folur se cili do të jetë fati i reformës në drejtësi pas opinionit final të Venecias.
Dy ishin mesazhet kryesore që kreu i LSI-së, Ilir Meta dha dje. Mesazhe që i drejtoheshin opoziës, por edhe partisë kryesore që qeverisë vendit. Së pari, reforma duhet të miratohet brenda muajit mars sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe për çështjet që ndajnë PS dhe PD të diskutohet me misionet e ekspertëve ndërkombëtarë në Tiranë.
Mesazhi i dytë i Metës, që shkon edhe kundër linjës së Partisë Socialiste ka të bëjë me Planin B të Kryeministri Edi Rama. Për aleatin kryesor të qeverisë, nuk ka Plan B. Sipas tij i vetmi qëndrim është miratimi i reformës dhe votat e LSI-së janë për variantin e Venecias. “LSI ka vetëm një plan. Plani i LSI-së është të votojë reformën në drejtësi. LSI është shprehur më parë se kushdo tjetër që, gjykatësi suprem i standardeve të reformës është Komisioni i Venecias dhe askush tjetër”,- tha kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Zgjedhjet e parakohshme janë gjithmonë një opsion në kriza të mëdha politike. Por para se të shkojnë drejt zgjedhjeve forcat kryesore duhet të konsumojnë të gjitha mundësitë. Deri tani reforma i është lënë në dorë Fatmir Xhafajt dhe Eduar Halimit. Nëse është vërtetë kaq e rëndësishme është koha që tre drejtuesit kryesore, Meta, Rama dhe Basha të ulen dhe të diskutojnë politikisht. Meta tha dje se nuk përjashtonte asnjë formë dialogu për konsensus mes palëve nëse i shërbente miratimit të reformës. Tashmë mbetet të flasin Rama dhe Basha. Në të kundërt të dy palët dhe PS dhe PD e kanë ndarë mendjen të shkojnë drejt zgjedhjeve.
Por nëse PS don të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe ka bërë presion me një variant “B”, atëhere duhet të dijnë se ka edhe një plan “C” nga partitë parlamentare. Cili është plani ”C” mbetet të thuhet pasi plani “A” të dështojë dhe të dalë në skenë plani “B”. Plani “C” është shkatërrues për PS-në.