“Makina” Lul Basha dhe “tanksi-makinë” Berisha

Partia Demokratike ia arriti të ndërtojë një kauzë me argumentet e saj për rritjen e çmimit të naftës dhe taksave. Në morinë e protestave që kanë parë prej vitesh sheshet dhe rrugët kryesore të qyteteve, protesta e djeshme ishte ndër më të veçantat. Efekti propagandistik i saj ishte një gjetje që i dedikohet modelit të ri të kryetarit Lulzim Basha. Edhe pse ishte një thirrje deri diku për “mosbindje civile”, protesta ishte nga më civilet të organizuara nga Partia Demokratike. Një hap jo i vogël ky, për një forcë që deri disa vite më parë, si simbol të protestave më të mira ka pasur përplasjen sistematike me forcat e rendit, madje dhe me armë, siç kanë qenë ato të vitit 1998. Basha po arrin të krijojë një imazh më të moderuar të elektoratit të djathtë, duke e bërë PD-në të duket parti qytetare, që nuk proteston për kauza të pastra politike, por për çështje të cilat prekin direkt xhepat e konsumatorëve. Në protestën e djeshme, pa dashje, pjesë e saj u bënë dhe socialistët që mbetën rastësisht në trafik. Madje, protestës “iu bashkua” edhe kryeministri Edi Rama, makina e të cilit u bllokua nga trafiku në hyrje të autostradës Durrës-Tiranë. Sigurisht, protesta të tilla hapin debate për mënyrën e organizimit dhe sensibilizimin. Jo thjesht për faktin se kryeministri mbeti në trafik, por që organizatorët duhet të mendojnë edhe për emergjencat e ambulancave të cilat transportojnë të sëmurë, zjarrfikëset, qytetarët që kanë angazhime më të rëndësishme sesa protesta, apo dhe thjesht njerëzit që për një ose më shumë arsye, nuk duan të jenë pjesë e aktiviteteve të tilla. Por gjithsesi ishte gjetje e zgjuar.

Veç debatit që hap një protestë e tillë, ngjarja e djeshme u pasua dhe nga dy qëndrime krejtësisht të kundërta të drejtuesve të PD-së. Mesazhet që dha dje kreu i PD-së, Lulzim Basha ishin normale dhe pa asgjë retorikë të tepruar. Fjalia më e fortë e Bashës ishte ajo se nëse nuk ka reflektim nga mazhoranca, me protesta do të kërkohej ndryshimi i qeverisë. Pra, as nuk kërcënoi, as përdori turmat për t’iu kundërvënë forcave të policisë që mundoheshin të menaxhonin trafikun dhe as kërkoi rrëzimin e qeverësië. I vetëdijshëm për forcën që drejton pas gati një viti e gjysëm, kreu demokrat thjesht foli për “ndryshimin e qeverisë”, pa dhënë asnjë sinjal force, anarkie, apo ultimatume siç bënte PD-ja e dikurshme, maje edhe vetë PS-ja në opozitë. Por nëse PD-ja ja doli të fikte makinat në shumicën e qyteteve të vendit, nuk “fiku” dot (makinën-tanks) Sali Berisha.

Diametralisht i kundërt, në retorikë, në artikulim dhe në akuza ishte ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, për protestën e djeshme. Deklarata e tij, më shumë i ngjan një deklarate lufte, sesa një proteste që kishte si qëllim sensibilizimin e qytetarëve. Protesta e PD-së nuk ishte një aksion i mirëfilltë, por një gjest. Por edhe në raste të tilla, ish-kryeministri nuk humbet kohë ta politizojë dhe ta kanalizojë atë si shfaqje politike ekstreme. Madje dhe të bëjë akuza që kalojnë çdo cak, si ajo e përdorimit të drogës nga kryeministri! “Shqiptarët paralizuan sot Edvin Kristaq Ramën. Për Edi Ramën është e pashpresë, sot u paralizua. Nuk ka shërim. Aq sa mund të shërohet nga droga, aq mund të shërohet dhe nga kjo paralizë”, – tha ish-kreu i PD-së dhe ish-kryeministri, Sali Berisha.

Protesta e djeshme nuk ishte e organizuar nga shoqëria civile, por nga një forcë politike dhe sigurisht, që mesazhi i saj do ishte politik. Por në protestë nuk morën pjesë vetëm demokratë. Taksat dhe çmimi i karburanteve janë një çështje që përfshin më shumë sesa elektorati i djathtë. Por këtë mundësi që i vjen Partisë Demokratike, ish-kryetari i saj Sali Berisha e shpërdoron duke e politizuar në ekstrem. Protesta e djeshme nuk ishte në stilin e Berishës. Por qëndrimi  i ish-kryeministrit mund të shpjegohet me dëshirën e tij për protagozimën, ose një rivalitet që mund të ketë lindur mes tij dhe kryetarit të PD-së, Lulzim Basha,ndonëse prapë edhe kjo e pabesueshme. Basha është për linjën e protestave të përhershme, duke e detyruar qeverinë të reflektojë dhe të ndryshojë kursin. Ndërsa Berisha priret më shumë drejt revoltave. Por thirrjet për revoltat në vitin 2015, duken jashtë kohe dhe më shumë e dëmtojnë PD-së si një forcë perendimore që pretendon se mbetet. Por edhe “makina-tanks” e Berishës nuk duhet harruar,pasi ajo për përballje të mëdha, si para kryeministrisë apo kur rrethohet Parlamenti. Aty hyn në punë “tanksi Berisha”! Ndërsa kur janë protesta apo beteja qytetare apo imazhi duhet dora e kreut të sotëm demokrat, që duhet pranuar, e kishte gjetur si gjetje mënyrën e djeshme të protestës qytetare. Në makina brenda nuk kuptohej ose nuk shkruhej se këtu ka një shofer demokrat apo socialist, por imazhi krijohej; se rruga ishte bllokuar.

Berisha dhe Basha janë dy kultura të ndryshme politike, dhe duhet kohë që PD të mësohet se është në vitin 2015 e jo në atë 1991, 1997 apo 1998, kohë kur duhej përditë e në çdo udhë “tanksi-Berisha” !

 

SHKARKO APP