Mazhoranca “zhvesh” Presidentin Nishani

 Ndryshimet në ligjin për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, si dhe amendimet e ligjit për Bankën e Shqipërisë, janë dy nga nismat që u shtohen përplasjeve mes mazhorancës dhe kreut të shtetit. Procedura e re e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë pritet të heq kompetencat e kreut të shtetit. Dokumenti i paraqitur nga një grup i deputetëve të Partisë Socialiste, parashikon që zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë të mos e ketë më në dorë vetëm kreu i shtetit, por edhe një Këshill Emërimi. Debati nis me faktin se një kompetencë që i njihet kreut të shtetit, tashmë i jepet një edhe një organi kolegjial, i cili ka në përbërje të tij drejtues të institucioneve kushtetuese, si Ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, etj. Këto ndryshime argumentohen me idenë se emërimet do të bëhen pas diskutimeve kolegjiale, por në fakt kreut të shtetit i suprimohet një kompetencë që është e parashikuar në Kushtetutë. Sipas nenit 136 të saj, anëtarët dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë emërohen nga kreu i shtetit, me pëlqimin e Kuvendit. Gjithashtu, gjyqtarët e kësaj Gjykate mund të emërohen nga Presidenti pas propozimeve të bëra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Ndërkohë, ligji i ri formalisht ende ja lë në dorë kreut të shtetit propozimin e gjyqtarëve para Kuvendit, por më parë e detyron Presidentin të zhvillojë konsulta me Këshillin e Emërimit. Dhe indirekt, shumica parlamentare i përcakton kufirin brenda cilëve prej emrave ai mund të zgjedhë. Synimi është që emrat që do të diskutohen, të përcaktohen që më parë dhe që kreu i shtetit të zhvillojë negociata me palët politike për emrat konkret dhe jo për kriteret e përzgjedhjes. Gjithashtu, Këshilli do të verifikojë figurën e anëtarëve të propozuar. Pyetja që lind në këtë rast është se përse duhet një organ kolegjial, kur kreu i shtetit ka të gjithë autoritetin ligjor të verifikojë vet kandidatët? Kreu i shtetit mund të kërkoj informacione nga Prokurori apo Ministri i Drejtësisë për çdo punën dhe karrierën e çdo kandidati, pa pasur nevojë që të jetë një këshill që ti shqyrtojë këto procedura. Nëse sheh përbërjen që do të ketë Këshilli, bie në sy fakti se shumica e tyre do të jenë përfaqësues që zgjidhen nga direkt apo indirekt nga mazhoranca, si Ministri i Drejtësisë, nënkryetari i KLD, etj. Nisma, sipas mazhorancës, vjen si një përgjigje ndaj bllokimit që i është bërë emërimeve në Gjykatën e Lartë. Tre kandidatura që ka propozuar kreu i shtetit janë rrëzuar nga Parlamenti. Pra, praktikisht i ka rrëzuar vet mazhoranca, por tashmë kërkon një mekanizëm që emrat që do të sjellë kreu i shtetit për votim të kenë marrë miratimin paraprak të saj. Efekti i kësaj nisme ka dhe një problem tjetër që lidhet me sjelljen e mazhorancës ndaj reformës në drejtësi. Projektligji është hartuar vetëm nga shumica dhe veç mungesës së opozitës, nuk dihet nëse kanë asistuar institucionet ndërkombëtare dhe kanë dhënë miratimin. Në kohën që pritet nisja e punës për komisionin e reformës në drejtësi, sjellja e një ligji të njëanshëm pritet të ashpërsojë dhe më tepër situatën politike mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe mes mazhorancës dhe Presidentit.

Ndryshimi në ligjin për Gjykatën e Lartë nuk është problemi i vetëm që kanë sot marrëdhëniet e tensionuar mes Presidencës dhe mazhorancës. Komisioni i Ekonomisë miratoi dje ndryshimet në ligjin për Bankën e Shqipërisë. Ndryshimet lidhen me heqjen e kriterit të nënshtetësisë shqiptare si kusht për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës dhe Guvernatorin e saj. Në këtë mënyrë, PS-ja ka vendosur të zgjidhë një debat të hershëm me kreun e shtetit dhe që lidhet me Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë, pasi sipas ligjit ekzistues guvernatori duhet të jetë fillimisht anëtar i Këshillit. Kryeministri Edi Rama duket se ka në mend një ekspertë të huaj për ta vendosur në krye të Bankës së Shqipërisë, gjë që e ka deklaruar disa kohë më parë. Por ligji ia njeh të drejtën e emërimi të Guvernatorit pikërisht Presidentit të Republikës dhe në këtë pikë, kreu i shtetit ka qenë i qartë kur ka deklaruar se është për zgjedhjen e një guvernatori shqiptar. Me vendimin e djeshëm, mazhoranca përgatitet që ti imponojë kreut të shtetit një kandidaturë që plotëson kriteret e saj dhe jo ato të kreut të shtetit.

Dy nismat e fundit të mazhorancës vijnë pas një sërë përplasjesh që ka pasur me kreun e shtetit. Ndryshimi i ligjit për Këshilli e Lartë të Drejtësisë, i hoqi Presidentit të drejtën për të zgjedhur zëvendësin e tij në këtë institucion. Ndryshimet në ligjin për Forcat e Armatosura, gjithashtu hoqën disa kompetenca të kreut të shtetit për kontrollin dhe emërimet e ushtarakëve të gradave të larta në ushtri. Të gjitha këto ndryshime ligjore, muaj pas muaji, kanë sjellë zhveshjen ligjore të kreut të shtetit përballë mazhorancës. Të mos harrojmë se fushata nisi fillimisht me heqjen nga zyrat e shtetit të fotos së Presidentit. Të gjitha mazhorancat e këtyre viteve janë munduar të ulin rolin e kreut të shtetit dhe kanë ngushtuar hapësirat ligjore të tij. Problemi është se pavarësisht të shkuarës politike që kanë pasur drejtuesit e shtetit, Presidenti është një institucion kushtetues.

Dhe nuk është e drejtë që veprohet kështu ndaj Presidentit të Republikës, pasi janë kompetenca kushtetuese që po i hiqen nga pak e përditë, si pa u ndjerë, porse në thelb duket si një hakmarrje politike nga Nishanit prej shumicës parlamentare. Nëse duhet një reformë e plotë edhe për kompetencat e Presidentit ato bëhen me një marrëveshje pozitë-opozitë dhe diskutohen nëpër tryeza, pa ndonjë nxitim, dhe në fund vendoset. Në disa çështje mazhoranca mund të ketë të drejtë, por nxitimi për ta “zhveshur” në çdo gjë, atëherë ka një hile prej shumicës parlamentare. Dhe nuk është e drejtë kjo që po bëhet ndaj Presidentit.

Por akoma nuk dihet reagimi i Presidentit Nishani, pasi shquhet për nerv libohovit dhe mos tërheqje kollaj nga “fronti i luftës”, nëse i ofrojnë luftë, aq më tepër që e njeh mirë edhe artin ushtarak.

SHKARKO APP