Mbërrin në Tiranë shpresa e fundit për zgjidhjen e krizës Ambasadorja amerikane,Yuri KIM
-Misioni i ambasadores Kim mund të krahasohet vetëm me atë të ambasadorit Uilliam Rajerson, diplomatit të parë të SHBA pas rënies së komunizmit në vitet ’90-‘94. Sepse Shqipëria ndodhet pothuaj në të njëjtën krizë të ashpër politike ku gjithçka dhe çdo proces demokratik duhet të riformatohet nga e para, duke nisur nga zgjedhjet, ndarja e pushteteve dhe zbatimi i parimeve të një shteti normal perëndimor.
-Qëndrimi i SHBA është gjithmonë vendimtar për atë që ndodh në Shqipëri, ndaj edhe fjala e ambasadores do të jetë pothuaj vendimtare, nisur nga tradita e këtyre 29 vitëve, sepse kur flet ambasadorja e SHBA, ka folur Presidenti Amerikan. Ndaj çdo fjalë e ambasadores duhet të jetë e kujdesshme, sepse ajo shikohet si një “dritë dielli” në këtë kaos ku e ka futur vendin qeverisja e cila duhet pranuar se ka ardhur me vota të bandave kriminale dhe për dreq, PS-ja e shet mbështetjen amerikane si mbështetje për kryeministrin.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka mbërritur dje në Tiranë. Rrallë ndodh që mbërritja e një ndonjë ambasadori tjetër të pritet në Shqipëri, si ngjarja më e rëndësishme në vend. Por kur bëhet fjalë për Ambasadorin e SHBA-së në Tiranë, aleatit më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë, vëmendja ndaj përfaqësuesit direkt të Presidentit Donald Trump është mëse e justifikuar.
Ambasadorja simpatike Yuri Kim vjen në Shqipëri pas një përvojë të gjatë si zyrtare e lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ajo ka mbajtur postin e Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ndërsa më herët ka qenë ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë dhe Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake. Përzgjedhja e një diplomateje karriere për misionin në Shqipëri është një tjetër provë e rëndësisë që u kushton SHBA raporteve me Shqipërinë. Mbërritja në Tiranë e ambasadores Yuri Kim, shihet jo vetëm si një ngjarje që do të shërbejë për raportet mes dy vendeve, por edhe si një zhvillim që do t’u japë përgjigje dhe zgjidhje shumë problemeve me të cilat përballet sot vendi në krizë totale, ku nuk ka parlament real, kur pushtetin lokal e ka përlarë PS me kryebashkiakët pa zgjedhje normale, kur nuk ka gjykatë të lartë, etj. Dhe kur po përgatitet të kalojë në votim rrëzimi nga mazhoranca të dekretit të presidentit që ka kthyer ligjin anti shpifje, i cili cënon pushtetin e medias.
Yuri KIM vjen në një terren të minuar demokracie, ku edhe për fajin e PD-së, parlamenti është kthyer nga një institucion ligjvënës, në një shtojcë e kryeministrit. Që nga korriku i vitit 2018, pas largimit të diplomatit Donald Lu, SHBA nuk kishte ambasador në Shqipëri. Mungesa e Ambasadorit Fuqiplotë, si përfaqësues i Presidentit Amerikan dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, ka krijuar jo pak konfuzion në zhvillimet politike në vend. Qëndrimi i SHBA është gjithmonë vendimtar për atë që ndodh në Shqipëri, ndaj dhe fjala e ambasadores do të jetë pothuaj vendimtare, nisur nga tradita e këtyre 29 vitëve, sepse kur flet ambasadorja e SHBA, ka folur Presidenti Trump. Ndaj çdo fjalë e ambasadores duhet të jetë e kujdesshme, sepse ajo shikohet si një “dritë dielli” në këtë kaos ku e ka futur vendin qeverisja e cila duhet pranuar se ka ardhur me vota të bandave kriminale dhe për dreq, PS-ja e shet mbështetjen amerikane si mbështetje për kryeministrin. Diplomatja Yuri Kim, vjen në Shqipëri në momentet më kritike ndaj dhe pritshmëritë për qëndrimet e saj janë më të mëdha se për çdo diplomat tjetër amerikan që ka shërbyer në Tiranë. Prej gati dy vitesh vendi ndodhet në krizën më të rëndë politike dhe institucionale. Opozita reale ndodhet jashtë parlamentit. Institucionet, me përjashtim të Presidentit të Republikës, kontrollohen të gjitha nga partia që qeverisë vendin. Zgjedhjet, si proces demokratik ku qytetarët zgjedhin mes disa alternativave kanë rënë dhe Shqipëria është kthyer në modelin e zgjedhjeve moniste. Parlamenti, institucioni që mund të frenonte oreksin e qeverisë për të gllabëruar pushtetet e tjera është kthyer vet në vasal të qeverisë.
Gjykata e Lartë dhe Kushtetuese kanë pushuar se funksionari dhe në vend nuk ka asnjë institucion legjitim që të zgjidh mosmarrëveshjet. Palët kanë varur shpresat e Komisionit i Venecias, i cili përgjigjet gjithmonë në një mënyrë, që duket se u jep të drejtë të gjitha palëve. Në Tiranë Yuri Kim gjen një listë të gjatë me probleme që nisin nga keqfunksionimi i demokracisë, zgjedhjet, drejtësia dhe përmblidhen në shqetësimin se me qeverisjen aktuale Shqipëria po i ngjan një shteti me regjim autoritarist. Për nga niveli i përplasjes politike, krizës dhe sherrnajes që ka sot Shqipëria, misioni i ambasadores Kim mund të krahasohet vetëm me atë të Uilliam Rajerson, diplomatit të parë të SHBA pas rënies së komunizmit në vitet ’90-‘94. Sepse Shqipëria duket sikur ndodhet sërish në të njëjtën krizë të ashpër politike ku gjithçka dhe çdo proces demokratik duhet të riformatohet nga e para, duke nisur nga zgjedhjet, ndarja e pushteteve dhe zbatimi i parimeve të një shteti normal perëndimor. Për të gjitha këto probleme, mbërritja e diplomates Yuri Kim duket si shpresa e fundit për shqiptarët. Për rëndësinë që ka Amerika për shqiptarët, vetëm SHBA mund të zgjidhë kaosin ku është futur sot vendi. Aktorët politikë në vend kanë treguar se dinë t’i bëjnë gjërat vetëm më keq sesa janë dhe nëse ka një zgjidhje ajo vjen vetëm nga SHBA. Në fjalimin e saj në Senatin e SHBA, para marrjes së detyrës, mes prioriteteve të saj si diplomate në Tiranë, Yuri Kim renditi edhe zbatimin e reformës në drejtësi pa vonesa dhe gjetjen e zgjidhjes për ngërçin politik.
Nëse nuk mund ta zgjidhë as ambasadorja e SHBA-së zonja Yuri KIM krizën dhe qorrsokakun ku është futur vendi, shqiptarëve si mbetet gjë tjetër vetëm të largohen në mënyrë masive nga Shqipëria, siç edhe po ndodh këto vite, duke ia lenë kryeministrit dhe Rilindjes tokën, pasuritë dhe miliardat e eurove nga PPP-të, koncensionet dhe tenderimet.