Mbyllni qepenat !

 

Aksion kundër informalitetit gjatë dy ditëve të para është përqendruar vetëm tek bizneset e mëdha. Për t’u lënë kohë bizneseve të vogla që të plotësonin dokumentacionin, Drejtoria e Tatimeve ka vendosur që grupet e kontrollit të nisin aksionin masiv të hënën. Prej dy ditësh, nisja e vëmendja e opinionit dhe biznesit është përqendruar tek këto masa të qeverisë. Si rrallëherë ka një dakordësi për nevojën e ndërhyrjes së shtetit tek bizneset dhe respektimit të ligji. Bizneset e ligjshme, që paguajnë taksat dhe që janë kontributorët e rregullt të buxhetit të shtetit nuk kanë reaguar negativisht ndaj këtij aksioni duke vijuar punën normalisht. Ndërkohë, në disa rrugë kryesore të Tiranës një pjesë e dyqaneve janë mbyllur, nga frika e gjobave të kontrolleve tatimore. Fakti që këto biznese zgjodhën t’i vënë drynin aktivitetit të tyre do të thotë se deri dje kanë punuar në shkelje të ligjit. Shumica e tyre janë biznese që operojnë në zonat luksoze të Tiranës dhe kanë pasur çmime mjaft të kripura për klientët. Çmimet e larta i justifikonin me taksat, por tani del se taksa nuk kanë paguar. Një biznes që i ka letrat në rregull nuk ka pse humbet para dhe kohë duke mbyllur aktivitetin. Mjaftoi vetëm një nxemje e motorëve të administratës tatimore dhe këto biznese rezultuan se punonin prej vitesh në të zezë dhe pa asnjë dokument.

Por në këtë situatë, ku ende pa shkuar kontrolli, bizneset hajdutë  “u vetëdekaruan”, opozita ka dhënë shembullin me të keq. Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të PD, por fjala e tij zë më shumë vend se ajo e drejtuesve të selisë blu, ka mbështetur dje pikërisht bizneset që mbyllen aktivitetin. Në një reagim në Facebook, ai e cilëson këtë veprim si akt qytetar të bizneseve. “Mbyllja masive e bizneseve ndaj 600 grupeve të kontrollit punëtor, akt i vërtetë qytetar për t'u përshëndetur”,- shprehet Berisha.

Në kohën kur të gjithë janë për formalizimin e ekonomisë, të bësh thirrje për reagim me bojkot ndaj institucioneve dhe ligjit është më shumë sesa të dalësh kundër reformave. Ish-kryeministri në këtë rast ka dalë kundër vetë shtetit. Nuk ka rëndësi se kush është kryeministër,por  thirrje të tilla u japin mbështetje njerëzve dhe të ashtuquajturve tregtarë që prej vitesh kanë abuzuar me ligjin. T’u kërkosh sot gjithë bizneseve të mbyllin qepenat sepse institucionet do të bëjnë një kontroll dhe do zbatojnë ligjin është njëlloj si të favorizosh vjedhjen e taksave, punën në të zezë dhe kontrabandën. Sepse në këtë mënyrë kanë arritur mjaft biznese të punojnë prej gati 20 vjetësh dhe kanë arritur t’u shpëtojnë të gjitha qeverive të mëparshme sepse kanë paguar nën dorë administratën tatimore. Nëse sot rreth 50 përqind e ekonomisë është informale dhe nuk paguan asnjë detyrim ndaj shtetit është dhe faji i ish-kryeministrit që mbështet revoltën e mbylljes së qepenave. Dhe i krejt ish-kryeministrave para tij.

Aksioni i qeverisë sigurisht që ka vend për debat. Se pari për faktin se çfarë do të ndodh kur të mbarojë aksioni? Sepse një aksioni nuk  mund të vazhdojnë pa fund. Gjithashtu, pikëpyetje ka dhe për nivelin e taksave. A është  normale që biznesi i vogël dhe i mesëm të ketë kaq shumë taksa? Por ky është një debat që duhet bërë mes specialistëve të ekonomisë, përfshi dhe ata të opozitës. Opozita mund të kritikojë aksionin, por jo të bëhet palë me shkelësit e ligjit. PD-ja ka një të drejtë të madhe se taksat janë shumë të larta e duhen korigjuar që ekonomia të lëvizë e gjallërohet. Por opozita nuk ka të drejtë që t’ju thotë “mbyllni qepenat” që të mos rregjistrohen në organet tatimore. Çdo biznes duhet formalizuar.

 

Deklarata e ish-kryeministrit Sali Berisha

“Mbyllja masive e bizneseve ndaj 600 grupeve të kontrollit punëtor, akt i vërtetë qytetar për t'u përshëndetur! Të dashur miq, mbyllja masive e bizneseve ishte dje reagimi i parë i guximshëm dhe kurajoz i sipërmarrësve të Tiranes ndaj terrorit qeveritar të paprecedent në një vend të lirë, që do ushtrojnë jo institucionet legjitime dhe në përputhje me ligjet e vendit, por 600 grupe kontrolli të përbërë nga "çunat e krimit" dhe të tjerë që nuk kanë asnjë tagër ligjor për të kontrolluar veprimtarinë e bizneseve përveç urrejtjes dhe mendjes së sëmurë të Edi Ramës. Bizneset i treguan dje Ramës dhe bandave të tij qepenat e mbyllura dhe ky akt është për t'u përshëndetur si një akt i guximit qytetar, në mbrojtje të shtetit ligjor. Edi Rama, i cili si analfabet në ekonomi kujtohet vetëm pas dy vjetësh dështimesh të parikthyeshme të flasë dhe të luftojë informalitetin. Ai kërkon ta bëj këtë me aksion në stilin e etërve të tij, me kontrolle paralele që të kujtojnë kontrollet punëtore të ditëve më të zeza të diktaturës. Në operacionin, që siç deklaroi dje duke bërtitur si i luajtur: hekura, burg, burg, hekura, nipi i Spiro Kolekës, xhelatit të inteligjencës teknike gjatë diktaturës hoxhiste, se do ta udhëheqë vet ai, Rama synon, me tatimin e jashtëzakonshem që shkon dhjetëfishi i tatimfitimit që biznesi duhet ti paguajnë atij dhe gjobat dhjetë herë më të larta se sa parashikimi i ligjit, kërkon të zëvendësojë në arkën e shtetit 180 milionë euro që së bashku me suitën e tij ka vjedhur në dogana e tatime gjatë këtij viti. Duke mbështetur çdo përpjekje ligjorë në luftën kundër informalitetit, dënoj terrorin shtetëror që ushtrohet ndaj biznesit nga falanga qeveritare që kanë qëllim të vetëm grabitjen e tij. Ju bëjë thirrje bizneseve të organizohen sa më parë në mbrojtje të ligjit dhe veprimtarisë së tyre të ndershme!”

SHKARKO APP