Më 11 maj “ndeshja finale” mes Opozitës dhe kryeministrit Rama

E shtuna e 11 majit pritet të jetë dita e një përballje të fortë mes opozitës dhe qeverisë “Rama”.

Krerët e opozitës, kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë paralajmëruar dje se protesta e javës së ardhshme do të jetë vendimtare për largimin e qeverisë dhe garantimin e kushteve për zgjedhje të lira parlamentare. Në fakt pritshmëria e njerëzve antiRama është e madhe në opozitë, por edhe brenda radhëve të PS-së, të cilët janë të pakënaqur me qeverisjen e Edi Ramës. Nga Lezha, ku mori pjesë në një takim me të rinj, Lulzim Basha u shpreh se beteja aktuale e opozitës nuk është me një qeveri legjitime, por me një bandë kriminale që, sipas tij, duhet të ikë sa më parë. “11 maji na thërret në një tjetër përballje vendimtare të vlerave tona, të lirisë, të demokracisë, Europës dhe Amerikës, me tiraninë despotike-kriminale-orientale, që kurrë nuk do ta marrë Shqipërinë peng, nuk do t’ia vërë duvakun popullit shqiptar, popullit më europian të Ballkanit… Le të jetë 11 maji një tjetër kohë monumentale e përballjes tonë popullore për liri, për demokraci”,- deklaroi kreu i PD-së.

Ndërkohë në Tiranë, Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi Konventën Kombëtare, forumin e saj më të lartë drejtues. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi mbajti një nga fjalimet më të forta dhe karizmatike, ku jo vetëm sulmoi qeverinë “Rama” për krizën ekstreme ku e ka futur vendin, por edhe sugjeroi programin për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza politike dhe ekonomike. Kryetarja e LSI-së deklaroi se situata ku është futur vendi nuk kërkon më vetëm fjalime dhe akuza, por reagim konkret kundër asaj që e cilësoi bandë qeverisëse. Duke cituar vargje të poetit të madh Dritëro Agolli, kryetarja e LSI, Kryemadhi u shpreh se vagabondëve në pushtet duhet t’u përgjigjemi me gjuhën që kuptojnë vagabondët.

“Miku ynë, Dritëro Agolli, ka shkruar një poezi. Ka shkruar një poezi “Vagabondët”, që në fakt flet se si dy vagabondë rrahën një grua në rrugën Konferenca e Pezës. Pasi e shpjegon, ai e mbyll poezinë me dy vargje: “Unë u rraha me ta e u grisa në gjoks e krahë, si mund të rrija në paqe? Poeti duhet të dijë të rrahë dhe jo vetëm të thurë vargje”. E pra ne do të dimë si të sillemi me këta vagabondë, me këta vagabondë të demokracisë, të cilët rrahin dhe shtypin shqiptarët dhe tjetërsojnë jetën e shqiptarëve në një jetë të krimit të organizuar”,- deklaroi Kryemadhi.Në mesazhin e saj të ashpër kundër qeverisë, Kryemadhi u ndal edhe te data 11 maj. Kryetarja e LSI u shpreh se është koha për t’i dhënë fund një regjimi kriminal. “Në 11 maj jemi të gjithë në shesh, për t’i dhënë dërrmën përfundimtare këtij regjimi kriminal, por jo vetëm në 11 maj, çdo ditë të vitit, çdo minutë të Zotit mos ndaloni dhe nuk do të ndalojmë. Zgjedhje farse, që Edi Rama kërkon të bëjë për të mashtruar me qëllim për të vazhduar të grabisë shqiptarët, nuk ka për të pasur as në ëndërr dhe as në makthin e tij…”,- deklaroi Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së ka folur edhe për projektin e qeverisë për zgjedhje pa opozitën më 30 qershor. Në këtë pikë mesazhi i saj ka qenë dhe më i fortë, duke deklaruar se “ne nuk do të ndalen në asnjë moment përballë krimit dhe grabitjes së Edi Ramës, për t’i prerë të dyja duart, duart që fut në kutitë e votimit dhe duart që fut në xhepin e shqiptarëve”.

Thirrjet e krerëve të opozitës për protestën e 11 majit vijnë pas qëndrimeve të Edi Ramës kundër opozitës dhe protestuesve. Pak ditë më parë, Kryeministri paralajmëroi se do të burgoseshin të gjithë qytetarët do të cenonin procesin e votimit më 30 qershor. Po ashtu, deklaroi se do të merren masa të rrepta për protestat e opozitës me bllokime rrugësh. Pa kaluar as 24 orë nga kërcënimet e Edi Ramës, Partia Socialiste depozitoi në Kuvend projektligjin për ndryshime në Kodin Penal. Ndryshimet në ligj parashikojnë dënime nga 3 deri në 10 vjet burg për vepra që lidhen pikërisht me aktivitetin e partive të opozitë gjatë muajve të fundit, si protestat dhe bllokimi i rrugëve. Vënia në lëvizje e mazhorancës për të ndryshuar Kodin Penal për akte që lidhen me zhvillimet politike në vend tregon se qeveria është ajo që po nxit përplasjen me çdo kusht.

Data 11 maji do të tregojë përfundimisht se cila palë do ta fitojë duelin. Opozita po deklaron se më 11 maj do t’i japin udhën kryeministrit, duke e çuar vendin drejt një qeverie tranzitore, pa Ramën kryeministër. Por mbetet të presim nëse opozita do të bëjë tre herë xhiron përreth kryeministrisë e do shkojë në shtëpi, apo do ta rrethojë përfundimisht sheshin para kryeministrisë, kryesinë e Kuvendit dhe Bulevardin.

Njerëzit e revoltuar nuk presin më, ndaj sinjalet popullore janë se më 11 maj do jetë beteja finale e opozitës me qeverinë e krimit, siç e akuzojnë liderët e opozitës./Q. Xhani/

SHKARKO APP