Me kryeprokurorin nuk e kruajtën !

Drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme për rendin dhe sigurinë në vend, si rrallë herë, kanë raportuar dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako në një seancë maratonë, për pesë orë kanë dhënë informacionet që disponojnë lidhur me ekzistencën e një pajisje përgjimi, e cila sipas opozitës është në Policinë e Shtetit. Në çështjen që ka mbërthyer prej dy javësh opinionin publik, deklaratat e krerëve të institucionit nuk sollën ndonjë informacion shtesë lidhur me atë që dihet deri më sot. Dëshmitë e djeshme vlejnë për të parë mënyrën sesi funksionojnë institucionet në vend, por edhe për përdorimin politik që i bëhet një çështjeje kaq të rëndësishme, kur ajo merret në dorën e partive në Parlament. Maxhoranca duhet vlerësuar se respektoi institucionet, për të cilat e ka për detyrë ligjore, porse ishim mësuar tash sa dekada që një mazhorancë nuk i dërgonte kur i kërkonte opozita.

Por akuzat për përgjime siç dhe është folur këto ditë janë ndër më të rëndat. Dyshohet se janë përgjuar rreth 350 zyrtarë të larë. Akuzohet se pajisja e përgjimit është futur në vend në mënyrë klandestine nga Porti i Vlorës nga shefi i Interforcës italiane, por akoma mbetet dyshim. E gjitha kjo, nëse rezulton e vërtetë, është një histori shantazhesh, luftë mes institucioneve dhe padyshim një grusht shteti brenda shtetit. Por jemi vetëm në fazën e hipotezave dhe trajtimi politik që po i bëhet kësaj çështjeje nuk shërben për zbardhjen e saj.

Komisioni i Sigurisë është ndër më të rëndësishmit në kontrollin e institucioneve kushtetuese në vend. Por marrja në dorë e kësaj çështje nga deputetët, si zëdhënës të partive dhe jo si zyrtarë të një institucioni specifik parlamentar, solli më shumë të kishte deklarata politike, sesa faktet për të zbardhur atë që ka ndodhur, nëse ka ndodhur. Opinioni publik nuk është sot më i qartë për atë që ndodh realisht me përgjimet, përkundrazi dyshimet janë shtuar edhe më tepër.

Ajo që ra në sy ishte fakti se gjithë debati ka nisur pas informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror për ardhjen e një pajisje të palicencuar që fillimit ishte vendosur në qytetin e Vlorës. Kreu i SHISH-it, Visho Ajazi tha se për këtë çështje kishte informuar Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe Presidentin e Republikës, Bujar Nishani. I vetmi person që nuk ishte informuar nga SHISH ishte Kryeministri Edi Rama. Sipas kreut të Shërbimit, informacioni nuk është dhënë sepse nuk është kërkuar nga kreu i qeverisë, ndërkohë që shtoi se një pajisje e tillë është mjaft e fuqishme dhe nëse është vënë në përdorim do të jetë një kërcënim për sigurinë kombëtare. Kreu i SHISH-it me një zgjuarsi natyrale që e karakterizon dhe me një finesë profesionale e la dopiogjashtën në tryezën e komisionit dhe vetë doli i palagur nga kjo histori. I bëri çorap të gjithë me një thënie, e cila nuk kishte fakte të regjistruara, por vetëm të dyshuara.

Më pas në deklarimet e tyre, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako mbrojtën qëndrimet që kanë mbajtur më parë. Sipas ministrit, Policia e Shtetit nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm. Të dy përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme mohuan se pajisja është përdorur për përgjim, duke deklaruar se me atë është bërë vetëm trajnim i efektivëve të policisë. Edhe pse një deklaratë e tillë është korrekte ligjërisht, përsëri mbetet e paqartë se përse duhet trajnimi i policisë për përgjime, kur ligji nuk i njeh asaj të drejtën që të kryejë këtë aktivitet. Seanca e djeshme pati replika të forta mes përfaqësuesve të PD-së dhe drejtuesve të Ministrisë së Brendshme. Ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës nuk i kursyen kritikat dhe pyetjet denoncuese ndaj kreut të SHISH-it, Visho Ajazi. Socialistët u munduan të kryqëzojnë kreun e SHISH-it për faktin se përse nuk është informuar Kryeministri dhe përse një çështje e rëndësishme si kjo bazohet vetëm në hipoteza. Ndërsa PD-ja kërkoi prerë për largimin nga detyra të drejtuesve të Ministrisë së Brendshme.  Pra, në pjesën e parë kishte më shumë politikë se sa për të kërkuar të vërtetën.

I vetmi raportim ndryshe ishte ai i Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Lalla. Jo vetëm qëndroi më pak se gjithë drejtuesit e institucioneve të tjera para komisionit, por edhe u trajtua me më shumë respekt dhe etikë komunikimi. Në pyetjet e deputetëve të PS-së, PD-së dhe LSI-së drejtuar kreut të organit të akuzës më shumë se kërkesës së informacionit, dukej sikur i kërkonin ndjesë që e kishin shqetësuar dhe e kishin thirrur në Kuvend. Sa nuk i luteshin Adriatik Llallës se, “na fal që të munduam…”.  Ndërsa Ajazin, Çakon dhe Tahirin i bombarduan me pyetje, akuza dhe insinuata për komplote dhe shkelje ligjore, me Kryeprokurorin nuk e kruajtën dhe qëndruan brenda kornizave proceduariale. Kjo shfaqje që dukej deri në kufijtë e servilizmit ka vetëm një emër: Frikë. Një frikë që vjen nga fakti se për përgjimet, por jo vetëm për ato, të dyja palët duket se janë zhytur në llum. Dhe vetëm Adriatik Llalla ua di dosjet të dyjave palëve, pozitës dhe opozitës. Ndaj e patën frikë dhe sa nuk ishin gati t’i mbanin edhe karrigen.

Dje përfaqësuesit e partive në Komisionin e Sigurisë bën shou politik, deri në momentin që u vendosën para kreut të organit të akuzës. Adriatik Llalla tha se, për çështjen e aparaturës ka nisur hetimet dhe konkluzionet do të dalin shumë shpejt.

E vetmja gjë që ra dje në sy ishte autoriteti absolut i Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ku PS-LSI-PD ishin në një linjë dhe frike para tij. Adriatik Llalla shkoi dje në Komisionin e Sigurisë, foli shkurt, u hodhi një vështrim secilit në komision, shumica e deputetëve ulën kokën para tij dhe iku.

Kushedi se ç’ka në tavolinën e tij, Kryeprokurori!

SHKARKO APP