Media në alarm, zoti Kryeministër tërhiq ligjet antimedia!

Parlamenti pritet të miratojë brenda muajit dhjetor dy projektligjet më anormale që janë propozuar ndonjëherë për median në 30 vitet e fundit në Shqipëri. Projektet njihen me emrin “Paketa antishpifje” dhe i janë servirur publikut e ndërkombëtarëve si përpjekje e qeverisë për të luftuar lajmet e rremë (Fake Neës). Qëllimi luftës ndaj lajmeve të rreme nuk justifikohet, pasi dy projektligjet godasin direket fjalën e lirë. Konkretisht ndryshimet në ligjin  “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, ndryshimet në ligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” nuk luftojnë lajme e rreme, por luftojnë gjithë mediat. Në thelb, projektligji i parë ka të bëjë me Autoritetin e Mediave Audiovizive duke krijuar një “Këshill Etike” brenda këtij institucioni që merr rolin e “gjykatës”. Konkretisht, nëse dikush ankohet për një lajm të botuar në media te “Këshilli” i AMA-s, anëtarët e këtij bordi kanë të drejtë të vendosin gjoba nga 1 deri në 10 milionë lekë. Ndëshkimi nuk mbaron me kaq. Po ky komitet i AMA-s me ndryshimet në ligjin “Për komunikimet elektronike”, pas gjobës së majme mund t’i kërkojë AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) mbylljen e medias për të cilën është bërë ankesa. Ligjet kanë dhe detaje të tjera jo pak të rëndësishme që pengojnë punën e gazetarëve, shtojnë censurën dhe krijojnë një situatë kaotike dhe kërcënimi të vazhdueshëm të institucioneve ndaj medias. Por nëse merremi vetëm me thelbin, qytetarëve u duhet shpjeguar se çfarë përfaqëson AMA dhe AKEP dhe përse këto projektligje i shërbejnë vetëm qeverisë. Dy institucionet që do vënë gjoba dhe mbyllin mediat mund të kenë brenda tyre ekspertë të medias, por në të gjitha rastet janë emra që janë zgjedhur me votë nga Parlamenti. Pra, zgjidhen me pëlqimin e partisë në pushtet dhe qeverisë, kushdo qofshin ato. Në të gjithë rastet kemi institucione që emërimin kanë të pavarur, pasi buxheti, emërimi dhe gjithë baza ligjore i kthen në vartës të qeverisë së radhës. Ligjet e reja i kthejnë këto dy institucione, as më shumë dhe as më pak, në gjykata të mediave. Sepse gjoba dhe mbyllja e medias, si masa administrative kryhen para se vetë pala e dëmtuar të ankohet në gjykatë. Kjo logjikë e projektligjit i kthen këto institucione në degë censure të qeverisë. Më serioze bëhet situata kur ligji nuk parashikon se kush do jetë “Këshilli i Gjobave”, mbi çfarë kriteresh do vlerësojë lajmet dhe mbi çfarë baze etike dhe morale do gjykojë nëse një lajm është i rremë apo i vërtetë. Kjo hapësirë boshe në ligj është lënë qëllimisht për të krijuar mundësinë e keqinterpretimeve nga bordet e institucioneve. Në këtë mënyrë, lajm i rremë mund të jetë çdo lajm që nuk i pëlqen qeverisë. Flagrante janë në projektligj dhe shprehjet ku thuhet se “Këshilli i Etikës” do të vlerësojë punën “nëse një lajm cenon moralin publik”. Kjo është një “detyrë” e vështirë për disa nëpunës të administratës shtetërore. Me këtë ligj mediat do të detyrohen që të transmetojnë vetëm kasetat e gatshme të ministrave të qeverisë dhe programin e përditshëm të “ERTV”. Çdo lajm tjetër, me logjikën e ligjit dhe “Këshillit Etik” mund të jetë Fake Neës dhe rrezikon mbylljen e medias.

Juridikisht ligjet janë anti-kushtetues dhe cenojnë të gjitha konventat ndërkombëtare për lirinë e fjalës. Shoqatat e medias në Shqipëri, por edhe OSBE dhe organizata të njohura mediatike kanë ngritur alarmin duke folur edhe më shumë se një pjesë e mediave afër qeverisë në Tiranë për rrezikun që u kanoset. Kushdo që ka dalë kundër këtij ligji ka sqaruar se nuk është kundër masave për lajmet e rreme. Sigurisht që një ligj rregullues për lajmet e rreme dhe median online është i nevojshëm në Shqipëri. Por ky ligj nuk mund të hartohet nga qeveria dhe aq më pak nga kjo qeveri. Kryeministri Edi Rama ka tentuar 3 herë që pas ardhjes në pushtet të mbyllë median kritike. Është kryeministri që ka nisur një luftë të hapur kundër mediave që e kritikojnë dhe gazetarëve. Është ndër të vetmit kryetar qeverie në Europë që i quan mediat kazan dhe bënë çdo ditë thirrje që qytetarët të informohen vetëm te televizioni personal dhe jo të mediat e pavarura. Lista e gjatë e mëkateve të Edi Ramës me median e bën atë personin më të papërshtatshëm për të ideuar dhe zbatuar ligje për rregullimin e medias.

Ligjin për median dhe rregullimin e kaosit të portaleve dhe mediave online shumë më mirë nga qeveria mund t’a bëjnë vetë gazetarët. Në vend ka gazetarë profesionistë që e duan të vërtetën dhe median e pavarur me shumë se kryeministri dhe çdo politikan tjetër, në qeveri apo opozitë. Gazetarët dhe shoqatat e gazetarëve mund të sjellin ide dhe projekte që janë bashkëkohore me vendet perëndimore dhe një ligj që ruan pavarësinë e medias. Në vend ka Fakultete Gazetarie dhe profesorë të nderuar të shkencave të komunikimit që kanë ekspertizë dhe përvojë shumë më tepër se deputetët injorantë që po vendosin sot për censurën e medias në Parlament, pa e ditur se çfarë është media dhe ku mbaron e drejta e qeverisë. Media është pushtet i katërt dhe do ishte fyese për vetë komunitetin e gazetarëve që rregullat dhe se çfarë është lajm dhe çfarë jo të na i diktojë qeverie. Media është për të kontrolluar qeverinë dhe jo e kundërta, që qeveria të kontrollojë me ligje cesure median.

Ligjet e propozuara nga Rama për median janë një kambanë alarmi për rënien edhe të atyre pak zërave kritikë që kanë mbetur në Shqipëri këto vite. E vetmja gjë normale që mund të bëjë kjo qeverisje dhe kryeministri Edi Rama është tërheqja nga ky projekt.

Mili Xhani

SHKARKO APP