Merkel vjen me sytë nga Ukraina

 

Nga Frrok Çupi.

Çfarë force e ngre peshë gjiganden e politikës europiane që të vijë në Shqipëri? Cila është arsyeja që sidoemos në këtë situatë tragjike të krijuar prej Greqisë, "zonja e shtëpisë e Europës" lë pozitën e vet dhe i drejtohet Ballkanit?…

Zonja Angela Merkel, së cilës tanimë nuk po i gjejnë as nicknam-in e përshtatshëm, sot do të jetë në Tiranë, një qytet kaq kaotik ku edhe një mike e qeverisë, Anastacia Lynn Newkirk, këngëtare me famë, dje e thërriti gabimisht Tiranën "Terrana". Zonjën Merkel e kanë quajtur edhe "Iron Lady", por ky nuk ka zënë vend mirë; ndoshta edhe për arsyen se më parë ishte një tjetër grua e fortë, kryeministre e Britanisë së Madhe, që u quajt Zonja e Hekurt.

Por sidoqoftë, një udhëheqëse e fortë dhe e fuqishme e Europës në trazira, një grua që nuk po i gjendet emri i dytë i artë që ta "mbulojë" mirë, vjen sot në një kryeqytet periferik, qytet ku edhe emri i parë mund t'i ngatërrohet lehtësisht.

Aq më tepër që zonja Merkel vjen në Tiranë ku kryeministri i vendit ka deklaruar se "Shqipëria ka zero problem me fqinjët".

Sa ç'është kaotik vetë qyteti i Tiranës, i ndërtuar thuajse këta 15 vjetët e fundit, po kaq kaos krijon edhe mendimi pse zonja Merkel vjen në një vend me "zero problem", po të ishte e vërtetë kjo paradigmë qeveritare.

Merkel, nesër, tek do të zbresë në Rinas, mund të paraqitej nga një cartoonist i famshëm si një atlete ku shkel në këtë tokë, por vështrimin e ka te finishi. Finishi i zonjës së fortë të Gjermanisë është Ukraina.

E vini re sa tragjike shfaqet Greqia dhe raporti i saj me Europën, me Eurozonën, me vetë vetveten, vetë Europa me Europën për shkak të Greqisë!? Sigurisht, në Greqinë e Demokracisë së Athinës, në kufi me Shqipërinë ku ka "zero problem", po luhet tragjedia më e madhe e shekullit. Euripidi do ta kishte vëne qytetarin grek, jo në shkallët e Akropolit, por në skenën e madhe të lojës së tragjedisë.

… Megjithatë ka një çështje tjetër të madhe për agjendën e qytetërimit perëndimor, që e stra-mbulon sallën e Teatrit Grek. Çështja tjetër nuk ndodhet në një tokë të nxehtë si Athina, por në Ukrainën e Dnjeperit të famshëm. Tejshikimi i zonjës Merkel, që nga Tirana, rrok Kievin e më tutje.

Çfarë bëjnë qeveritë e Ballkanit, inkludë edhe Shqipërinë, për të ndalur rrezikun ukrainas drejt Perëndimit? Katër çunat e Ballkanit Perëndimor që i kishte thërritur zonja Merkel në Berlin, çfarë po bëjnë?

Kjo është çështja.

Rreth Ukrainës, çdo ditë ngrihen dilema të mëdha, aq të mëdha sa dilemat e Ekzistencës.

Dilema që vjen prej iniciativës së Shteteve të Bashkuara për të armatosur Ukrainën, e para.

Më 23 qershor Pentagoni vendosi planin për të instaluar qindra tankse, obuse dhe armë të tjera në Baltik dhe në disa vende të Europës Lindore anëtare të NATO-s. Plus ngarkesat e tjera me armë vdekjeprurëse…Vallë çfarë efekti ka? Disa analistë të shquar perëndimorë  mendojnë se "do që të rrisësh tensionin SHBA- Rusi? Armatos Ukrainën…".

Bashkimi Europian, ku zonja Merkel ndodhet në krye, ka vendosur të mbështesë Shtetet e Bashkuara për të ruajtur sanksionet ndaj Rusisë. Vota europiane ishte jo e lehtë, aq më tepër pas presioneve të shumta të Rusisë ndaj Europës.

Këtej buron një dilemë e dytë: Vallë çfarë efekti do të ketë? Me këto masa, vallë do të kthehet integriteti territorial i Kievit? Kjo nuk është e qartë. Europa dhe Amerika ndodhen në një pikë të vështirë…

Po vallë si mund të fuqizohet Ukraina? A e sjell Moskën në tryezën e bisedimeve forcimi i Ukrainës?.. Dilema e tretë ka një peshë akoma më të madhe.

Si do të forcohet Ukraina?

Ukraina mund të forcohej ashtu siç mund të forcohen të gjitha vendet në krizë, që nga Greqia, Shqipëria, Italia,  Spanja, etj. Forca e vetme është ekonomia dhe pas saj siguria…

Një shtet anëtar i BE dhe NATO, në kufi me Shqipërinë, po falimenton financiarisht. Në fakt, Greqia nuk po familemnton thjesht financiarisht, por politikisht; kriza është politike. Me një të "sëmurë" rëndë në kufi të Shqipërisë dhe një rrezik konflikti të madh pak më tutje në Ukrainë, zonja Merkel e shikon Shqipërinë jo si vend me "zero problem".

Strategjia europiane për "rrethimin"e krizës së rrezikshme ukrainase, është kombinimi i një radhe presionesh nga njëra anë, dhe stimulimi për një zgjerim të sanksioneve që mund të shkojnë përtej këtyre që BE dhe SHBA kanë vendosur ndaj Rusisë.

Cila është pozita e Shqipërisë në këtë mes? Më mirë të themi, pozita e Ballkanit Perëndimor, ku zonja Merkel do të shkelë pas Tiranës? Sigurisht, është një pozitë e rëndësishme. A mund të zërë vallë, Ballkani Perëndimor, pozitën e Austrisë gjatë Luftës së Ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit?…

Sa pyetje e rëndë? Apo çfarë dileme?

Austria u zgjodh mes Lindjes e Perëndimit, si një territor i paprekshëm; sipas një Traktati mes shteteve, të vitit 1955. Austria u kthye në një udhëkryq ku mund të lëvizte sado pak, ose sado shumë, paqë dhe jetë mes Lindjes e Perëndimit…

Vallë a mund ta luajë këtë rol sot Ballkani Perëndimor?

Kjo është çështja…

Por kemi rrethana krejt të ndryshme. "Austria" Ballkan sot ka keq- qeverisje, ka krim, ka kriminelë në Parlamente dhe në qeveritë lokale, ka pasiguri. Kjo tokë "e paprekshmë", sot ka çështje të mëdha me mosbesimin qytetar; mijëra njerëz po kërkojnë të emigrojnë në Europë… Shteti nuk është më një Zot për secolin, por një kafaz ku strehohen  e pasurohen vetëm disa.

… Atëherë, përsëri para dilemave.

Dilema e fundit: Vallë do të triumfojë zonja Merkel në këtë qytet me arkitekturë, me qeverisje  dhe qytetari kaotike?

Këtu edhe emri është thejshtësisht i ndërrueshëm, nga Tiranë në Terranë; madje edhe prej miqve të Tiranës.

 

SHKARKO APP