Mesazhi gjerman-Perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor më e rëndësishme se kurrë

Në Mynih fundjavën e kaluar u zhvillua takimi ndërkombëtar “Formësimi i së ardhmes në Shqipëri – pyetje dhe përgjigje të shoqërisë civile për çështje aktuale”. Ky takim është pjesë e serisë së debateve të organizuara nga Shoqata e Europës Juglindore, me seli në Mynih, me shoqëritë civile të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Synimi i tyre: rritje e rolit të shoqërive civile të rajonit në krijimin dhe ruajtjen e një konsensusi të gjerë për reformat, që lidhen me procesin e integrimit europian, rritje e presionit për ndryshimet pozitive që ky process kërkon. Aktivistë të shoqërisë civile në Shqipëri, politikanë, ekspertë gjermanë dhe ndërkombëtarë debatuan mbi sfidat aktuale në zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri dhe rolin e shoqërisë civile në përballimin e tyre. Çështje të tilla si situata gjeopolitike në rajon dhe perspektiva europiane, situata aktuale në Shqipëri, dukuri të tilla si antagonizmi mes partive kryesore politike, mungesa e besimit tek institucionet, korrupsioni, media e polarizuar politikisht, ndërhyrjet e politikës në sistemin e drejtësisë, dominimi i partive politike mbi shtetin dhe shoqërinë civile, barazia gjinore dhe avancimi i statusit të gruas, u elaboruan gjerësisht në panelet e kësaj konference. Dr. Hansjoerg Brey, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Europës Jug- Lindore, paraqet për DW kontekstin, rajonal dhe europian të zhvillimit të këtij takimi:

Situatë e re gjeopolitike – Rusia, Turqia, Kina aktorë të rinj në rajon

“Në rajonin e Ballkanit Përëndimor ka shumë sfida dhe zhvillime të ndryshme në këtë periudhë. Situata është e paqartë lidhur me zhvillimet në Rusi, Ukrainë, apo vendet pranë BE-së si Moldavia, njëherazi edhe pranë sferës së influencës së Rusisë. Cilat janë vendet e sigurta, mbi të cilat mund të mbeshtetesh? P.sh. Serbia ka dilemën, BE-ja, apo Rusia? Ndërkohë që në rajon po shfaqen aktorë të tjerë si Rusia, Turqia, apo Kina, që po përpiqen të rivendosin interesat e tyre atje. Gjithë kjo situatë komplekse krijon një atmosferë paqartësie për të ardhmen e të gjithë rajonit. Prandaj është shumë e rëndësishme që vendet e Ballkanit të ecin me shpejtësi drejt perspektivës europiane. Mendoj që është më e rëndësishme se kurrë që të ruhet ‚momentum‘, vrulli i pas marrjes së statusit të vendit kandidat si nga Shqipëria ashtu edhe nga vendet e tjera të rajonit dhe të ketë një anagazhim serioz për kryer "detyrat e vështira të shtëpisë" të përcaktuara nga BE dhe të marra përsipër nga vendet e rajonit. Rruga është e gjatë dhe e vështirë dhe shoqëria civile duhet të rrisë rolin e saj në gjithë këtë proces“, theksoi Dr. Hansjoerg Brey.

Progres dhe sfida

Erion Veliaj, ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, politikan i ardhur nga shoqëria civile, një nga themeluesit dhe drejtuesit e Lëvizjes qytetare “Mjaft”, pjesëmarrës në takimin e Mynihut u ndal në disa zhvillime dhe sfida aktuale ne vijim të reformave pas marrjes së statusit. “Shembja e ndërtimeve ilegale, prerja e lidhjeve ilegale elektrike, detyrimi për të paguar faturat e energjisë elektrike të konsumuar nga cilido subjekt po tregojnë se në Shqipëri ka shtet dhe ai funksionon. Ka hapje të qeverisë, kalim të përgjegjësive dhe kompetencave nga pushteti qendror në atë lokal, lypsen ndryshim i mentalitetit për të pranuar reformat dhe përpjekje për një imazh real të Shqipërisë sot, si vend anëtar i NATO-s, si vend që nuk ka dilema lidhur me anëtarësimin e tij në BE”, u shpreh ministri Veliaj.

Petra Blaess-Rafajlovski, anëtare e Bordit të Shopatës së Europës Jug-Lindore në Berlin dhe kryetare e zyrës së Nehemiah Gateway në Tiranë, vlerëson takimin dhe konkluzionet e tij. “Patëm një debat shumë të hapur, konstruktiv dhe të ndershëm me aktivistët e shoqërisë civile në Shqipëri, ekspertë gjermanë dhe ndërkombëtarë mbi çështjet aktuale, që preokupojnë sot shoqërinë shqiptare. Shoqëria civile në Shqipëri ka nevojë për qëndrueshmëri, që të mos varet nga donacionet ndërkombëtare. Ajo duhet të krijojë rrjete konstruktive për t‘i mobilizuar njerëzit, të mbështesë dhe të lidhë komunitetet. Njëherazi të luajë rolin e saj si “watch dog“ dhe të marrë pjesë në vendimmarrjen politike. Sfidat, që duhet të përballojë Shqipëria, kanë të bëjnë me instalimin e një kulture të re politike, ku të mos bëjë pjesë gjuha e urrejtjes, politika e bojkotit, polarizimi politik, mosbesimi i thellë mes palëve dhe tek institucicionet publike. Pa lënë këtu mënjanë ndërtimin dhe funksionimin e medias jashtë kontrollit të politikanëve dhe të biznesit. Në gjithë këto sfida shoqëria civile ka shumë për të kontribuar”, thotë Petra Blaess–Rafajlovski.

Gjermania- shumë e interesuar në perspektivën e zgjerimit të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor

Shoqata e Europës Jug-Lindore ka zhvilluar takime ndërkombëtare të të njëjtit format me përfaqësues të shoqërive civile në Bosnjë, Maqedoni, Serbi, Kosovë. „Ne do të vazhdojmë serinë e takimeve ndërkombëtare dhe do të trajtojmë rolin e shoqërisë civile në rajonin e Ballkanit Perëndimor lidhur me politikën në rajon, situatën brenda BE-së. Synojmë të vëzhgojmë me kujdes dhe mundësisht të ndikojmë në opinionin e BE-së lidhur me politikat e zgjerimit , ku Gjermania është shumë e angazhuar. Do të përpiqemi të ndikojmë tek partnerët tanë në BE, që t'i bindim se është një fushë e rëndësishme e politikës dhe se duhet angazhim serioz“, thotë për DW, Dr. Hansjoerg Brey.

Takimi ndërkombëtar „Formësim i së ardhmes në Shqipëri – Pyetje dhe përgjigje të shoqërisë civile për çështje aktuale“ u mbështet nga Pakti i Stabilitetit për Europën Jug- Lindore, dhe Ministria e Jashtme Federale e Gjermanisë.

SHKARKO APP