Mësimet e 21 Janarit 2011

Pesë vjet përpara katër shtetas shqiptarë të parrezikshëm u vranë nga forcat e sigurisë të shtetit të tyre, në dyert e një institucioni, ndërkohë që nuk ishte as tentativë grushti shteti, as vjedhjeje apo vandalizmi. Shteti shqiptar asnjëherë nuk ka qenë miqësor me nënshtetasit e tij, por ky është rast ekstrem i cili shkeli një vijë të kuqe edhe pse të zbehtë në rastin shqiptar, të raportit të shtetit dhe qeverisurve prej tij. Mes shumë aspekteve të dhunshme që ka martesa e shqiptarëve me shtetin e tyre, ky ishte kulmimi i një raporti, asnjëherë të ngritur mbi mirëbesimin dhe respektin reciprok, ku viktima ka qenë gjithmonë qytetari.
Ngjarja e 21 janarit ka lënë pasoja tek qëndrimi i shoqërisë shqiptare ndaj sjelljeve publike. Tashmë kur shqiptarët shikojnë qoftë edhe në vende të tjera protesta të dhunshme, janë të parët që i dënojnë. Për dy shishe molotov dhe pesë xhama të thyer të “Vetëvendosjes” në Prishtinë, ne këtej kufirit, reaguam më ashpër se termidorianët.
21 janari, në vend se të rriste reaktivitetin, vraru shpirtin e kundërshtimit të një shoqërie që edhe përpara nuk ka njohur revolucion social.
“Kush bën të pamundur revolucionet paqësore, bën të pashmangshme revolucionet e dhunshme” thoshte dikur Xhon Kenedi. Rasti shqiptar është një rast i dëshpëruar, ku pushteti dhe inteligjenca, punojnë krah për krah të asgjësojnë shpirtin e kundërshtimit edhe në vegimet e shqiptarëve të zakonshëm, lere më në sjelljet publike të tyre. Ajme. Nëse bota do të kishte mendësinë që ka sot, shoqëria shqiptare, as revolucioni i 1848 dhe as ato të 1968 nuk do të kishin ndodhur kurrë.
Nga ky kontribut reaksionar nuk përjashtohet as opozita e atëhershme shqiptare. Pesë vjet nga kjo ngjarje dhe tre vjet në drejtimin e shtetit, nuk është bërë asgjë për zbardhjen e saj. Rama që gjen kohë të takohet me Prokurorin e Përgjithshëm për gjithfarë deputetësh problematikë që ka në grupin parlamentar, nuk ka gjetur kohën të thërrasë një herë të vetme në interpelancë Adriatik Llallën. I vetmi veprim i ndërrmarë nga qeverisja socialiste për të zhbiriluar këtë ngjarje daton një vit më parë, dhe ishte tentativa për të çuar në prokurori Lulzim Bashën për një shkresë me … gabime ortografike. Barcaletë. Reagimi ndaj protestës së fundit të PD-së, ku për dy shishe me bojë të hedhura kryeministrisë dhe prishjes së një puçre betoni të vendosur në kompleksin qeveritar, funksionarët socialistë, folën si ministra të rendit në Mbretërinë e Napolit, ishte tregues se pala e ardhur në pushtet, nuk ndryshon nga mendësia e atyre që ikën. Janë po aq reaksionarë, kundërshtarë të ndryshimit, klientelistë dhe të njëjtat koncepte të formatit mesjetar “shteti jam unë”, sa qeverisja e Berishës. Sjellja e tyre ka treguar se ndjekësit i konsiderojnë turma, ndërsa fatkeqët që humbin jetën, si mish për top.
21 Janari do të mbahet mend edhe si dita kur inteligjenca shqiptare (përjashto zëra sporadikë) si gjithmonë zgjodhi krahun e pushtetit, dhe askush nuk u bë me viktimën, por ose me pushtetin ose me ata që kishin nxjerrë viktimën në rrugë. Në një vend ku politika e trajton inteligjencën si argument për legjitimitetin e vet, por jo si opononent të rafinuar të pushtetit të saj, duhej pritur që inteligjenca të gjente mënyrën t’i imponohej pushtetit. Ka ndodhur më e keqja: që inteligjenca ka kërkuar pushtetin, është bërë pjesë e tij, duke e kthyer të gjithë sistemin në një orgji. Dhe jemi në pikën që askush nuk i ka besën askujt.
Përkthyer me fjalë të thjeshta, pas 21 janarit të 2011-ës, kush del në rrugë të protestojë duhet të këtë frikë mos e vrasë shteti; të ketë frikë se mos e shet ai që i ka thënë të protestojë; të jetë i bindur se pas kësaj askush nuk do ta mbrojë. 21 Janari është dita kur Sali Berisha mori mbi supe damkën e vrasësit, Edi Rama atë të manipulatorit, inteligjenca shqiptare atë të bashkëpunëtores me pushtetin, ku për asnjërin jeta njerëzore nuk ka vlerë. Një situatë mizerje.

SHKARKO APP