Meta: Çdo përfshirje e Shqipërisë në dialogun Kosovë-Serbi, jo ndihmuese

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar sot në emisionin “Debat Plus” të gazetarit Ermal Panduri në TV Dukagjini, përballë analistëve Astrit Gashi, Imer Mushkolaj dhe Fidan Rama deklaroi se “dialogu Kosovë-Serbi është një përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës dhe e institucioneve të Kosovës. Shqipëria, duke e mbështetur këtë dialog do të pranojë dhe duhet të pranojë çdo zgjidhje për të cilën institucionet e Kosovës do të shprehen në përputhje me Kushtetutën  e Kosovës dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës. Çdo përfshirje e Shqipërisë apo institucioni të Shqipërisë në temat e dialogut Kosovë-Serbi, do të ishte një ndërhyrje e panevojshme, që mund të mos rezultonte ndihmuese për sa i takon, në radhë të parë demonstrimit të autoritetit dhe legjitimitetit të plotë të institucioneve të Kosovës. Dhe së dyti mund të krijonte keqkuptime të panevojshme”, – është shprehur ndër të tjera Presidenti Meta.

PJESË NGA INTERVISTA

 Gazetari: Ju faleminderit që na jepni mundësinë të shuani kureshtjen lidhur me disa çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe me qëndrimet tuaja që kanë të bëjnë me korrigjimin e kufijve, por edhe me tema të tjera që lidhen me këtë aspekt. Përse keni deklaruar dhe pse jeni kundër korrigjimit të kufijve, nëse një ide e tillë përfundon dhe e çon deri në fund problemin mes shqiptarëve dhe serbëve apo mes Kosovës dhe Serbisë?

Presidenti Meta: Në mënyrë fare të qartë e të kristaltë, qëndrimi im i vetëm si President i Republikës së Shqipërisë në raport me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi ka qenë, është dhe do të mbetet i pandryshueshëm, me çdo faktor të Kosovës apo të Shqipërisë dhe me çdo përfaqësues të faktorëve ndërkombëtarë: dialogu Kosovë-Serbi është një përgjegjësi ekskluzive e udhëheqësve të Kosovës dhe e institucioneve të Kosovës. Shqipëria, duke e mbështetur këtë dialog do të pranojë dhe duhet të pranojë çdo zgjidhje për të cilën institucionet e Kosovës do të shprehen në përputhje me Kushtetutën  e Kosovës dhe në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës.

Gazetari: A e dinë të gjitha institucionet e Shqipërisë këtë që po thoni ju? A e di institucioni i kryeministrit?

Presidenti Meta: Unë këtë qëndrim ia kam bërë të qartë edhe kryeministrit tonë, zotit Rama. Ua kam bërë të qartë edhe faktorëve të tjerë. Kam bërë edhe një qëndrim publik.

Çdo përfshirje e Shqipërisë apo institucioni të Shqipërisë në temat e dialogut Kosovë-Serbi, do të ishte një ndërhyrje e panevojshme, që mund të mos rezultonte ndihmuese për sa i takon, në radhë të parë demonstrimit të autoritetit dhe legjitimitetit të plotë të institucioneve të Kosovës. Dhe së dyti mund të krijonte keqkuptime të panevojshme.

Shqipëria ka për detyrë, mendoj unë, t’i kërkojë Kosovës një bashkëpunim, një koordinim, një unifikim për këto tema. Natyrisht edhe një koordinim tepër të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, por edhe të Shqipërisë dhe të gjithë procesit të integrimit euro-atlantik dhe europian të rajonit tonë.

Kam theksuar me të gjithë, se nevojitet një koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë të veçantë, por edhe me Gjermaninë, sepse është një faktor kyç dhe do të jetë gjithmonë kyç përsa i takon së ardhmes europiane të rajonit tonë, me Britaninë e Madhe që ka pasur dhe ka një rol të rëndësishëm për rajonin tonë, sidomos për pavarësinë e Kosovës dhe me faktorët e tjerë relevantë e të interesuar pozitivisht për perspektivën e këtij rajoni. Pastaj vendimet i takojnë popullit të Kosovës, u takojnë institucioneve të Kosovës.

Gazetari: Në Kosovë shihet, ndonëse po tentoni t’i ruheni mospërfshirjes, edhe mospërfshirja është një pozicionim…

Presidenti Meta: Jo! Më falni! Jo! Këto qëndrime…

Gazetari: Të paktën mospërfshirje kah zotit Rama, kryeministrit…? Nëse zoti Rama është i përfshirë dhe ju nuk përfshiheni, kjo tregon tregon një qëndrim të kundërt… Të ndryshëm.

Presidenti Meta: Unë mendoj se qëndrimi im është në koherencë të plotë me politikën e jashtme të Shqipërisë dhe të qeverisë shqiptare, e cila është votuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Gazetari: Por është politika e jashtme e udhëhequr nga kryeministrit i Shqipërisë. Nuk mund të jetë në koherencë…

Presidenti Meta: Kur të bëhet një ndryshim në këtë politikë të jashtme, unë do ta reflektoj këtë ndryshim.

Gazetari: Zoti Meta, a është qëndrimi i kryeministrit Rama në përputhje me politikën e jashtme, që është miratuar në Kuvendin e Shqipërisë?

Presidenti Meta: Qëndrimi im është në koherencë të plotë me politikën e jashtme të Shqipërisë.

 Gazetari: Po me kryeministrin?

Presidenti Meta: Dhë të Kuvendit të Shqipërisë. Është politika e gati njëzet viteve.

Gazetari: A ka devijuar kryeministri i Shqipërisë nga kjo rrugë…? Kryeministri po thotë…

Presidenti Meta: Tani ju dëshironi të më fusni mua në një debat… Nga një debat për një çështje konkrete këtu, në një debat për çështje të brendshme në Shqipëri.

Gazetari: Që ka të bëjë me Kosovën.

Presidenti Meta: Kjo është politika e jashtme e Shqipëri për Kosovën dhe për rajonin tonë.

Gazetari: Kryeministri tha se tashmë Shqipëria i përfaqëson të gjithë shqiptarët, me kushtetutë. Por kryeministri Rama ka thënë në disa deklarime publike se askush nuk mund ta ndalë në idenë e bashkimit kombëtar. Të njëjtën gjë e tha edhe para disa ditësh Edi Rama. Kjo nënkupton se edhe kushtetuta duhet ndryshuar, të paktën kushtetuta e Kosovës. Ky qëndrim a është në vijim me politikën e jashtme të Shqipërisë, që është votuar në Parlament? Tani po ju pyes drejtpërdrejt.

Presidenti Meta: Unë besoj se ne duhet të shtojmë përpjekjet për të qenë më të bashkuar. Në radhë të parë, në Shqipëri faktorët me njëri-tjetrin.

Gazetari: Që nuk janë…

Presidenti Meta: Së dyti, në Kosovë më shumë me njëri-tjetrin.

 Gazetari: Që nuk janë.

Presidenti Meta: Dhe së treti, të punojmë që të gjithë me një projekt, që me siguri na bashkon të gjithë shqiptarëve, pa cenuar paqen dhe sigurinë në rajonin tonë, por edhe të ardhmen e begatinë e të gjithë shqiptarëve, që është ai i integrimit europian. 

Unë as nuk jam lodhur, dhe as nuk jam dorëzuar përballë këtij projekti, sepse e shikoj si projektin më të sigurt, pavarësisht nga frustrimet që mund të jenë këtu apo diku tjetër.

Gazetari: Këtu pajtoheni me kryeministrin Rama se bashkimi i shqiptarëve do të bëhet në Bashkimin Europian, besoj?

Presidenti Meta: Kjo është një bindje e imja që kur jam angazhuar në politikë. Pra u bënë gati tri dekada. Dhe kjo gjë po ndodh, sepse unë e kam artikuluar në mënyrë tepër të qartë që nëse ka një komb në këtë rajon, i cili ka përfituar më shumë nga rënia e Murit të Berlinit dhe nga era e re e integrimeve europiane, ai është kombi shqiptar, sepse cili ka qenë kombi më i shtypur, më i izoluar dhe më i persekutuar e më i ndarë nga njëri-tjetri në vitin 1990-të? Kanë qenë shqiptarët. Shqiptarët në Shqipëri për u takon të drejtave të njeriut, jashtëzakonisht të shtypur. Dhe shqiptarët në ish-Jugosllavi, që ju e dini më mirë se unë se si kanë qenë. Dhe padyshim që këto procese në dy-tri dekada, na kanë sjellë pranë njëri-tjetrit. Transformimet janë gjigande, pavarësisht se gjithmonë shumë arritje harrohen më shpejt.

Gazetari: Zoti Meta, mos mendoni se po zgjasim e pyesim shumë për këtë punë, se ne dëshirojmë të bëjmë skandale këtu ose dëshirojmë të bëjmë deklarata të mëdha. Për ne është shqetësuese dhe dëshirojmë të marrim një mendim. Ka aq deklarata dhe qëndrime të ashpra dhe të ulëta ndërmjet Kosovës e Shqipërisë, posaçërisht mes zotit Berisha dhe zotit Thaçi, sa që neve po na duket se ato po helmojnë opinionin edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë. Ju lutmë, a ekzistojnë këto dy vija, apo jo? 

Presidenti Meta: Unë nuk kam dëshirë të bëhem pjesë e perceptimeve që mund të jenë krijuar, apo që sponsorizohen për të thelluar ndarjet midis Shqipërisë dhe Kosovës a faktorëve të caktuar, apo për të rreshtuar këtu faktorë në unison me disa faktorë të tjerë.

Unë refuzoj hapur të bëhem pjesë e këtyre ndarjeve dhe keqkuptimeve apo konfuzioneve që nuk e paraqesin mirë faktorin shqiptar në tërësi, me pjekurinë e duhur dhe me vetëpërmbajtjen e duhur në çaste vendimesh të rëndësishme, por mund t’ju them me siguri të plotë se qëndrimet e mia që, në thelb, janë pak a shumë ato që ju shpreha që në fillim për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi; janë vetëm ato mesazhe e qëndrime që i kam përsëritur në mënyrë të qartë e të palodhshme me të gjithë drejtuesit institucionalë të Kosovës dhe me të gjithë drejtuesit e opozitës së saj qoftë me zotin Isa Mustafa, qoftë me zotin Albin Kurti, madje edhe me drejtues të tjerë të opozitës dhe kam theksuar se është e rëndësishme për t’u bashkuar në këtë temë, që edhe ata duhet të japin kontributin e tyre në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet tani apo sa më parë që të jetë e mundur. U kam thënë se as atyre vetë nuk u intereson, në rast se u intereson të mund të përfitonin nga zgjedhjet e parakohshme që kjo çështje të mbartet në të ardhmen, pasi përsëri është një çështje që do të kërkojë një shumicë të rëndësishme për të marrë vendimet e duhura; pra, është një çështje që është shumë më mirë që të zgjidhet tani, sesa të lihet apo të shtyhet për në të ardhmen.

Gazetari: Zoti President, a vëreni ndërhyrje të Shqipërisë në Kosovë, për të qenë më direkt?

Presidenti Meta: Ne nuk mund të ndalojmë askënd në Shqipëri që të japë mendimet apo opinionet e tij. 

Gazetari: Ne nuk kërkojmë që të luani rolin e policit, megjithatë, cila është bindja Juaj dhe si e shihni? 

Presidenti Meta: Mendoj se ndikimi i Shqipërisë duhet të jetë gjithmonë një ndikim që të nxisë bashkëpunimin dhe unifikimin e faktorëve këtu për çështje te rëndësishme të Kosovës. Për çështje të tera, për mënyrën sesi përdoret buxheti i Kosovës, etj. kjo padyshim kudo ka qeveri e opozitë që do të debatojë dhe s’do të merren vesh kurrë. 

Gazetari: Kjo është një formë dëshirore e asaj.

Presidenti Meta: Ky është vullneti apo disponimi.

Gazetari: Udhëheqës të Kosovës dhe të Shqipërisë kanë pasur tendencë që as në një avion të mos hipin, për shkak të dasive dhe përçarje që kanë midis tyre. 

Presidenti Meta: Unë nuk e kam këtë informacion, por mendoj se është e rëndësishme të ecim në këtë drejtim. Mendoj se replikat me njëri-tjetrin, aq më tepër me karakter denigrues janë të panevojshme. Mund të ketë dallime për çështje të caktuara, por duhen gjithnjë argumente dhe duhet të jetë qëllimi i përbashkët për ta faktorizuar Kosovën në këto negociata, në këtë dialog dhe Shqipëria këtë rol duhet të ketë gjithmonë.

Bashkim me Kosovën? Meta: Mbështes çdo iniciativë që nuk cënon marrëdhëniet Shqipëri-BE  

Gazetari: Zoti Meta, a pajtoheni me homologun tuaj, Presidentin e Kosovës, zoti Thaçi, se duhet të hiqet ajo gërmadhë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë? 

Presidenti Meta: Midis Kosovës dhe Shqipërisë duhet hequr çdo pengesë, që nuk cenon marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Çdo pengesë duhet hequr. Heqja e taksës për shembull nuk e cenon këtë marrëdhënie.

Gazetari: Për cilën taksë po flasim që të mos kemi keqkuptime?

Presidenti Meta: Për taksën tonë, atë të Kalimashit.

Gazetari: Në rregull, që të sqarohemi për të mos pasur keqkuptime në mesin e një debati për taksën me Serbinë… 

Presidenti Meta: Duhet të jemi i qartë. Çdo veprim që nuk cenon marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian gëzon mbështetjen time të plotë. 

Gazetari: Heqja e këtyre gërmadhave, a e cenon këtë marrëdhënie zoti Meta? 

Presidenti Meta: Tani, kur flitet për gërmadha natyrisht që kemi të bëjmë me një simbolikë të caktuar. E theksoj, çdo gjë që nuk cenon integrimin e Shqipërisë në BE gëzon mbështetjen time të plotë sa i takon marrëdhënieve me Kosovën.

Gazetari: Për të qëndruar pak te pjesa e bashkëpunimit mes të dyja shteteve. Sa është bërë zoti Meta në heqjen e këtyre barrierave, pasi mendoj që janë të shumta mes Kosovës dhe Shqipërisë fatkeqësisht? Ose ndoshta janë shtuar edhe më shumë këto barriera. Deklaratat janë diçka tjetër, por realiteti është tjetër. 

Gazetari: Do të doja të ndalesha pak te zhvillimet në Shqipëri. Folëm deri tani për problemet dhe pengesat Shqipëri-Kosovë. Por, Shqipëria e udhëhequr nga Presidenti Meta, nuk i ka punët aq mirë sidomos tani. Keni një Parlament që funksionon me deputetë të cilët i kanë dorëzuar mandatet nga ana e opozitës dhe keni një afat për zgjedhjet në 30 qershor. Çfarë po ndodh? A do mbahen zgjedhjet? Kemi dëgjuar shpesh qëndrimin tuaj për dialogun, për të zgjidhur problemet që kanë palët, por kemi parë edhe presionin me faktorin ndërkombëtar që kjo të ndodhë, nuk është se ka shumë lëvizje në kuptimin e arritjes së një marrëveshje apo të një klime që, zgjedhjet të mbahen në bazë të Kushtetutës.

Presidenti Meta: Nuk është situata më e mirë që duhet të ishte Shqipëria , kjo në radhë të parë përsa i takon objektivave të vetë Shqipërisë, edhe në raport me procesin e integrimit europian, përderisa synojmë çeljen e negociatave dhe procesi duhet të kishte ndodhur dy vjet para dhe është tepër i rrezikuar aktualisht, për shkak të një stanjacioni dhe një situate tepër ndarëse të brendshme.

Opozita sikurse ju e dini, ka bërë një veprim tepër të nxituar dhe të papranueshëm siç ishte ai i djegieve të mandateve. Por, për fat të keq mazhoranca gjithashtu, ka bërë një veprim të nxituar për shpejtimin për zëvendësimin e këtyre mandateve. Ndërkohë, ka patur dhe ka një kohë relativisht të gjatë gati 30 ditë, për të shqyrtuar mandatin e çdo deputeti, kohë që mund të ishte shfrytëzuar për të evituar një situatë edhe më të përshkallëzuar se, kjo që paraqitet sot.

Jemi në një situatë ku të dyja palët duhet të bëjnë hapa pas dhe të gjejmë rrugën e duhur për të shkuar drejt zgjedhjeve demokratike, sepse kjo është e panegociueshme si kriter bazë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Besoj është bërë e qartë edhe nga përfaqësues ndërkombëtar, sidomos nga drejtues të fraksionit kryesor në Bundestagut të CDU/CSU që, zgjedhjet pa opozitën janë zgjedhje problematike, përsa i takon aspektit demokratik dhe Shqipëria, ka nevojë për stabilitet demokratik.

Në këtë drejtim unë, shpresoj në një reflektim të të dy palëve dhe në një përgjegjshmëri të lartë. Për fat të mirë, protesta e fundit e opozitës, ishte tërësisht paqësore dhe shpresoj që, kjo të ketë ndikimet e saja në përshpejtimin e një zgjidhje. 

Gazetari: Si ta kuptojmë këtë sjelljen e opozitës Zoti Meta, se ju keni qenë në opozitë për një kohë të gjatë edhe në pushtet, para se të vinit në postin e Presidentit. Mbahen zgjedhje të lira, vlerësohen si zgjedhje të lira, pastaj kalon gjysma e mandatit dhe opozita kërkon që të mbahen zgjedhje të tjera. Patëm rast dhe në mandatin e kaluar kur u krijua qeveria teknike, për t’i dhënë zgjidhje. A do duhet gjithmonë, kështu? Pse nuk lihet mandati, të shkojë deri në fund, pse duhet të veprohet në këtë mënyrë, vetëm pse nuk arrihen të fitohen zgjedhjet dhe pastaj krijohet pretekst për të gjetur probleme të tilla. Po si nga perspektiva, po ju pyes si një politikan më përvojë të gjatë në Shqipëri. 

Presidenti Meta: Nuk do të flas si një politikan me një përvojë të gjatë, por do të flas si një President në detyrë, për çështjen e krizës aktuale.

Një vend pa Gjykatë Kushtetuese, është një vend pa Kushtetutë. Në këtë drejtim, në këtë situatë ku jemi, unë mendoj që nuk i ka vetëm opozita përgjegjësitë e saj, edhe pse më duhet të them që opozita ka marrë edhe iniciativa në Kuvendin e Shqipërisë, të cilat pothuajse nuk janë shqyrtuar fare, që duhet të ishin shqyrtuar për rivendosjen apo për rivlerësimin e reformës dhe afateve të saj Kushtetuese, me qëllim zhbllokimin e institucioneve te reja dhe evitimin e kontestimit të tyre.

Pra, nuk kemi përgjegjëse vetëm opozitën, kemi përgjegjëse edhe mazhorancën. Rruga e zgjidhjes nuk është rruga përjashtuese, as e mazhoranës për opozitën dhe as opozitës për mazhorancën, duhet një marrëveshje që rivendos vendin në normalitet të plotë kushtetues, institucional dhe demokratik. 

Gazetari: Marrëveshje për zgjedhje të afërta kombëtare? Çfarë marrëveshje, do ketë? 

Presidenti Meta: Çdo marrëveshje që rivendos këtë normalitet të funksionimit të Kushtetutës së Shqipërisë, të institucioneve përfaqësuese edhe të përfaqësimit. 

Gazetari: Mund të përfshijë dhe një afat kohor të shtyrjes së zgjedhjeve lokale dhe mbajtjes se tyre në një afat kohor të përbashkët? 

Presidenti Meta: Rendi kushtetues i Republikës se Shqipërisë, bazohet mbi pluralizmin politik dhe pluralizmi politik, garantohet vetëm nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Rendi kushtetues i Republikës së Shqipërisë dhe garantimi i tij është çështja më e rëndësishme që të gjithë bashkë duhet të sigurojmë.

SHKARKO APP