Meta: Edi Rama është provokues dhe destruktiv
Kreu i shtetit flet për anulimin e 30 qershorit: “Në vendimet e mia ka zero shkelje Kushtetuese. Tirana po kthehej në Gaza, shmanga përplasjen e fortë civile në 30 qershor”. Mbrëmë te Fevziu dha kritika për rolin e një pjese të ndërkombëtareve që thelluan krizën në vend dhe u sollën si palaço. Ja mesazhi i tij për PS dhe kërkesën për shkarkim: Ky parlament ka vetëm 82 deputetë legjitim!
Presidenti Ilir Meta ka sqaruar mbrëmë për qytetarët gjithë mashtrimet e qeverisë dhe propagandën helmuese të PS lidhur me rolin e tij në anulimin e 30 qershorit dhe krizën politike. Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”, kreu i shtetit ka bërë deklarata të forta për rolin e Edi Ramës në përkeqësimin e kësaj krize, për opinionin e Komisionit të Venecias, kërkesën e PS për shkarkimin e tij si dhe rolin e ngatërrestarë të një pjesë të diplomatëve në Tiranë.
Presidenti Ilir Meta zbuloi para shqiptarëve se në takimet që ka pasur me Edi Ramën para 30 qershorit, kryeministri i ka deklaruar se kishte kohë për zgjidhjen e krizës. Presidenti tha se Edi Rama i kish lënë të kuptohej se në fund nuk do të shkonte drejtë çmendurisë së zgjedhjeve moniste. Për këtë qëllim, Presidenti thirri disa herë tryezën e partive politike për të gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët. Tryeza u refuzua nga Kryeministri Edi Rama, i cili është zgjedhur që drejtojë gjithë shqiptarët dhe jo vetëm socialistët, theksoi Meta. Presidenti u ndal edhe në sjellën e Edi Ramës para 30 qershorit, duke sjellë në vëmendje provokimet që u bënë qytetarëve dhe opozitës me antimitingje dhe me polici. Presidenti u shpreh se strategjia e Ramës ka qenë provokimi dhe konflikti dhe jo zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Presidenti tha se në gjithë aktet e tij si kryetar shteti nuk ka asnjë moment anësie politike apo shkeljes ligjore, ndërkohë që kryeministri ka kërkuar me paramendim konflikt në vend. “Rolin tim e kam bërë unë dhe do ta sqaroj prapë, por duhet të sqarojmë rolin destruktiv me ndërgjegje provokativ të Kryeministrit, jo për ta normalizuar situatën demokratike në vend, por për ta agravuar dhe për ta nxjerrë atë jashtë kontrollit me pasoja mjaft shqetësuese. Mirë për këta dhjetëra mijëra qytetarët këtu që dilnin domethënë ai nuk ka asnjë lloj respekti, po për ata policët aty që vendoseshin para Kryeministrisë, që vendoseshin para Parlamentit, nuk i vinte keq? Kur me një fjalor provokonte protestuesit. Presidenti, sepse ju duhet të shikoni të gjitha qëndrimet e mia, që nga lënia e mandatave të opozitës edhe deri te nxjerrja e dekretit”,- tha Presidenti Ilir Meta.
Kreu i shtetit ka komentuar dhe draft opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me anulimin e zgjedhjeve. Presidentit u shpreh se në dokument nuk ka asnjë rast ku flitet për shkelje të Kushtetutës nga ana e tij. I pyetur mbi termin “tejkalim” që përdor Komisioni i Venecias, Meta tha se nesër (ditën e sotme) Presidenca do të japë sqarimet përkatëse. Ai shtoi se vet ky Komision ka bërë një tejkalim të kompetencave të tij në vlerësimet që ka dhënë. Duke folur për krizën e rëndë politike në vend, Presidenti Ilir Meta ka shigjetuar ashpër një pjesë të ndërkombëtarëve në Tiranë, të cilët sipas tij kanë bërë që kriza të thellohet edhe më tepër. Ai solli në vëmendje heshtjen e ndërkombëtarëve për zgjedhjen e Prokurorës së Përgjithshme në mënyrë antikushtetuese, por edhe ndërhyrjet e një pjese të tyre në kulmin e krizës, jo për të zgjidhur situatën, por për ta përkeqësuar atë. Duke sjellë në vëmendje dhunën gjatë protestave të opozitës, Presidenti tha se “Ilir Meta nuk mund të priste as për qejfin e Edi Ramës, as për qejfin e Lulzim Bashës dhe as për qejfin e Monikës, që t’i mbajë iso Lulzim Bashës dhe as për qejfin e disa ndërkombëtarëve, që disa herë u bënë palë dhe ndonjëherë u bënë edhe palaço të vriteshin shqiptarët dhe pastaj të thonin: Po Presidenti çfarë bëri?”.
Lidhur me kërkesën e PS-së për shkarkimin e tij, Presidenti Ilir Meta theksoi se do ta mbyllë të plotë mandatin presidencial. Ndërsa i kujtoi PS dhe kryeministrit se parlamenti i sotëm ka vetëm 82 mandate të ligjshme, ndërkohë që për shkarkimin e kreut të shtetit duhen 94 vota. “82 vota janë legjitime për të gjykuar Presidentin e Republikës. Kaq! Në qoftë se me 82 vota legjitime mjafton gjykimi i Presidentit të Republikës, le ta bëjnë kur të duan. Por tjetra, keni parasysh që unë jam betuar për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dhe kjo do të thotë që unë jo vetëm që do sillem si President i Republikës së Shqipërisë, por në fund fare dhe si Presidenti i të gjithë shqiptarëve, jo shqipfolësve”,- deklaroi Presidenti Ilir Meta.
Mili Xhani