Meta merr vota frikshëm për PS

 

 

Lëvizja Socialiste për Integrim rezulton të jetë partia që ka njohur rritjen më të madhe të votuesve, si subjekt politik në zgjedhjet e 21 qershorit. Nga 170 mijë vota që ka marrë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, dy vite më pas votat e kësaj force politike janë shtuar më shumë se 100 mijë. Nga rezultatet thuajse të përfunduara të numërimit të votave për Këshillat Bashkiakë, rezulton se LSI ka marrë më shumë se 260 mijë vota në gjithë vendin. Një numër kaq i madh votash i jep mundësinë kësaj force politike që të përcaktojë shumicën në thuajse të 61 këshillat bashkiakë. Kjo pasi në jo pak bashki, LSI-ja ka marrë më shumë mandate sesa vetë Partia Demokratike, duke u renditur edhe forcë e dytë në vend. E në disa bashki edhe forcë e parë. Fitorja e zgjedhjeve është e koalicionit të majtë, por në asnjë këshill bashkiak duket se vendimet nuk do të kalojnë nëse nuk bien dakord këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Rritja më e madhe e votave është në Qarkun e Tiranës. Nga 30 mijë në vitin 2013, rezultati gati është trefishuar me rreth 75 mijë vota. Trefishin e votave kjo forcë politike ka marrë edhe në qarkun e Durrësit, nga 11 mijë në 2013-ën, në 30 mijë në 21 qershor. Po ashtu, 14 mijë vota më shumë ka marrë në Fier, 10 mijë vota në Korçë, 5 mijë më shumë në Elbasan dhe 5 mijë në Berat. Vetëm në Kukës dhe në Lezhë, në rang qarku, kjo forcë politike ka njohur një rënie të lehtë. Por në gjithë vendin rezulton se ka njohur rritje më shumë se forcat e tjera politike.

Rritja e LSI-së është surpriza e këtyre zgjedhjeve për shumë arsye. Së pari, sepse gjatë fushatës kjo forcë politike u vu në qendër të sulmeve nga Partia Demokratike. Në bashkitë kryesore dhe në gjithë reagimet e selisë blu, dukej sikur gara e 21 qershorit nuk ishte mes PD dhe PS, por mes gjithë të djathtës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për shkak edhe të koalicionit të viteve 2009-2013, PD-ja nuk shqetësohej që në pushtet ndodhet PS-ja dhe nuk bëri fushatë kundër kandidatëve të PS-së, por gjithë bateritë e sulmit i drejtoi nga LSI-ja. Veç PD-së, kundër LSI-së, në disa zona ishte çuditërisht edhe Partia Socialiste. Madje dhe fryja e koalicionit të majtë duke futur dhe PDIU dhe FRD duket se kishte si synim minimizimin e peshës së LSI. Në fakt ndodhi e kundërta, megjithë manovrat diku në mënyrë të hapur dhe diku fshehur, votat e LSI janë rritur frikshëm. Tashmë nuk është një teori konspirative që pjesë të PS-së dhe deputetë të veçantë të saj në disa bashki orientuan votat kundër kandidatëve të LSI-së. Këtë e ka pranuar vetë Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, kur foli për Pazarin e Roskovecit. Por edhe drejtues të tjerë të LSI-së kanë folur qartë për një tradhti gjatë fushatës elektorale. Tradhtia ka dhënë sinjalet e një ftohje të marrëdhënieve mes koalicionit. Një fakt që dukej edhe në deklaratën e parë për zgjedhjet të bërë nga kreu i LSI-së, Ilir Meta, ku vuri theksin tek rëndësia që kanë këshillat bashkiakë. Ishte një mesazh për të treguar peshën e kësaj force politike. Dhe në këto zgjedhje ka një peshë ku mund të bllokojë vendimet dhe buxhetin e çdo kryebashkiaku të zgjedhur nga PS, apo PD.

Në politikë, fushata e ardhshme zgjedhore nis sapo mbarojnë zgjedhjet. E teksa mbyllet bilanci i 21 qershorit, partitë kanë nisur të bëjnë llogaritë për 2017-ën.

Përveçse konfirmohet parti e tretë në zgjedhjet vendore dhe ka peshën më specifike në gjithë qarqet, rritja e LSI-së parashikon dhe një surprizë të re në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2017. Mjafton të bëhet vetëm një krahasim sesi votat aktuale mund të përkthehen në mandate deputetësh në zgjedhjet e ardhshme. Me rreth 30 mijë vota në Tiranë, LSI në vitin 2013 mori 3 deputetë. Dyfishimi i votave automatikisht mund të sjellë, kjo në varësi edhe të votave të koalicionit, që LSI-ja të marrë 5-6 ose më shumë mandate në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme. E njëjta gjë vlen edhe për qarqet e tjera, ku LSI ka njohur rritje me dyfishim të mandateve. Thënë ndryshe, votat në zgjedhjet lokale përkthehet në më shumë mandate në parlamentin e ardhshëm të vendit. Përveç kësaj LSI në zgjedhjet e vitit 2017 do të jetë e kujdesshme shumë në raport edhe me PS-në, së cilës i besoi në këto zgjedhje për emrat kandidat për kryetar bashkie, por ia hodhën.

Natyrisht që asgjë e rrezikshme mes PS e LSI nuk do të ndodhë, pasi kanë interesa të përbashkëta qeverisje, porse edhe kur ta hanë “ngjalën” tani e pas bashkërisht do të shtrëngohen shumë, duke ngrënë e duke parë se ku e mendjen partneri! E thënë me gjuhën e një analisti të njohur tani Meta dhe Rama do të takohen, pasi të kenë veshur “brekë hekuri” se nuk i besojnë më njeri tjetrin.

Por bashkërisht do ta drejtojnë vendin deri në vitin 2017.

SHKARKO APP