Meta: LIRIA, PAVARËSIA dhe SOVRANITETI duhet të mbrohen çdo ditë, sepse në kohët e reja cenohen në forma të tjera

Presidenti Ilir Meta, kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi janë shfaqur sot në krahë të njëri-tjetrit. Ka qenë ceremonia e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të atdheut që i ka bërë bashkë 3 liderët politikë shqiptarë.

Një e nga një, fillimisht presidenti Ilir Meta, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe kryeministri Edi Rama kanë vendosur kurora me lule pranë Monumentit “Nënë Shqipëri”.

Të vetëm, duke ruajtur distancimin social, pa shtrëngime duarsh, krerët e institucioneve më të larta të vendit kanë përkujtuar në këtë ditë dëshmorët e rënë në luftë.

Më herët nderimet tek memoriali “Nënë Shqipëri” i ka kryer edhe kreu i demokratëve Lulzim Basha, i cili vendosi një kurorë me lule edhe në nderim të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste pas bombës në ish ambasadën sovjetike, në simbol të nderimit të opozitarizmit dhe shprehjes së lirë.

Presidenti Ilir Meta pasi kreu homazhet me rastin e ditës së Dëshmorëve në monumentin “Nëna Shqipëri” dha një deklaratë për mediat, ku mes rrjeshtave bëri thirrje për kujdes nga arroganca qeverisë.

“Nuk mund të mos reflektoja për prezencën këtu, në një 5 maj krejt tjetër si kurrë më parë nisur dhe nga situata aktuale. Kjo na e ka bërë të pamundur përshëndetjen me veteranët apo familjarët e tyre.

5 maji është dita për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Të mos bëhemi mendjelehtë, mos t’i marrim lirinë dhe pavarësinë si të dhëna njëherë e përgjithmonë, sepse nëse nuk jemi të vëmendshëm ato janë gjithmonë të cënueshme. Kjo është dita e atyre që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e Shqipërisë”, tha Meta.

Presidenti Meta ndër të tjera apeloi edhe për vemëndje në edukimin e fëmijëve në këtë drejtim: “Apeloj për më shumë vëmendje për edukimin e të rinjve për luftën antifashiste çlirimtare për sakrifacat dhe ata që dhanë jetë”.

Prononcim i plotë i Presidentit të Republikës: 
“Sot përkujtuam me nderim 5 Majin, në një mënyrë krejt të veçantë, për shkak të situatës së pandemisë dhe të kufizimeve, që na kanë bërë të pamundur të shkëmbejmë nga afër përshëndetjet me veteranët, me familjet e dëshmorëve, por gjej rastin për t’i përshëndetur prej këtu ku prehen heronjtë dhe dëshmorët më të shquar të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe të Atdheut.

Kjo është Dita e Dëshmorëve, Heronjve dhe Martirëve të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, të cilët na ftojnë me sakrificën e tyre më sublime që të mos bëhemi mendjelehtë dhe ta marrim lirinë e pavarësinë si të dhëna një herë e përgjithmonë. Nëse nuk jemi gjithmonë të vëmendshëm, të përqendruar dhe vigjilentë, ato janë të cenueshme dhe përmes cenueshmërisë së tyre, cenojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë qytetarëve.

Ndaj edhe një herë sot dua të apeloj për t’i kushtuar një vëmendje më të madhe edukimit të të rinjve dhe të fëmijëve me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, me të vërtetat e saj më thelbësore, me sakrificat e saj të jashtëzakonshme.

Duhet të jetë e domosdoshme që të paktën një herë në jetë, çdo fëmijë shqiptar të shkojë, edhe falë programeve të shkollave, për të vizituar Borovën apo edhe vende të tjera, për t’u njohur me masakrat barbare të pushtuesve që kanë përjetuar jo vetëm burrat dhe gratë, por edhe foshnjat, edhe të moshuarit, si dhe për të kuptuar se liria dhe pavarësia kanë ardhur përmes një lufte të shenjtë, që duhet të mbrohet, por jo vetëm kaq.

Liria dhe pavarësia duhet të mbrohen çdo ditë, sepse në kohët e reja cenohen në forma të tjera.

Sot është dita e nderimit tonë për ata që kanë dhënë jetën dhe gjithçka të shenjtë për vendin tonë.

Jo vetëm kaq, por është edhe një ditë për t’u angazhuar në mënyrë që Shqipëria e lirë dhe demokratike për të cilën ata dhanë jetën, të realizohet plotësisht.”

SHKARKO APP