Miliarderi i madh i Shqipërisë së vogël

 

“Fondacioni për Liri Ekonomike” publikoi studimin për njerëzit më të pasur në Shqipëri. Për të disatin vit radhazi, në krye të listës është biznesmeni i suksesshëm, Samir Mane. Lista pasohet nga emra të tjerë të njohur të botës së biznesit në ndërtim, karburante, banka dhe media. Sipas studimit, pas Manes në vend të parë, lista vijon me biznesmenët Vasil Naçi, Shefqet Kastrati, Vjollca Hoxha, Edmond Leka, Grigor Joti, Idajet Ismailaj, Vilma Nushi, Bashkim Ulaj dhe Artan Dulaku. Mënyra e vlerësimit të renditjes është ndër më seriozet të përdorura në Shqipëri. Fondacioni ka përdorur të njëjtën metodologji që aplikohet në klasifikimet e institucioneve ndërkombëtare duke i renditur sipas kapitalit themeltar, aktivitetet financiare, fitimit dhe xhiros vjetore. Pra, bazohet vetëm në të dhënat zyrtare dhe është pasqyra më e saktë e kapitaleve që zotërojnë njerëzit e biznesit.

Biznesmeni Mane ka marrë vendin e parë si një prej njerëzve më të suksesshëm që menaxhon kompanitë me kapitalin më të madh. Aktiviteti i tij nuk është vetëm në Shqipëri, por ka marrë tashmë profilin e një biznesmeni ndërkombëtar. Për këtë qëllim, ai renditet dhe në klasifikimet e institucioneve ndërkombëtare. Kompanitë e tij operojnë në Shqipëri, Austri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Itali, Dubai, Greqi dhe SHBA. Historia e tij në fillimet e aktivitetit në biznes është e ngjashme me ato të mijëra shqiptarëve në vitet ‘90. E ka nisur rrugën si një emigrant në vitin 1990 në Austri dhe në vitin 1992 do të hidhte hapat e parë drejt biznesit në tregun e pajisjeve elektroshtëpiake. Në vitin ‘90-‘93 krijon kompaninë e parë “Alba Trade” dhe “Neptun”. Sot kompania “Neptun” vlerësohet si një nga më fuqishmet për shitjet në gjithë Ballkanin Perëndimor. Më pas në vitin 2001 krijon kompaninë “Mane TCI” në sektorin e ndërtimit, e cila sot cilësohet si më e specializuara në zhvillimin e projekteve. Aktiviteti tjetër kryesor mbeten qendrat tregtare dhe supermarketet. Në vitin 2005 përfundoi Qendrën Tregtare Univers-QTU, e para dhe më e suksesshmja e llojit të saj në Shqipëri. Në vitin 2011 përfundoi ndërtimin qendra tjetër tregtare Tirana East Gate -TEG, e cila është dhe më e madhja në vend. Një tjetër investim në këtë lloj është dhe ndërtimi i Skopje City Mall në Maqedoni dhe ndërtimi i Tirana Logistic Park – TLP. Veç supermarketeve dhe qendrave tregtare, Samir Mane zotëron dhe kompaninë “AlbChrome”, e njohur si kompania më e madhe në nxjerrjen, pasurimin dhe përpunimin e kromit në vend dhe një nga më të mëdhatë në Evropë, si dhe është nga aksionerët e “Tirana Business University”. Të gjitha këto aktivitete të ndërtuara në harkun e rreth 25 viteve kanë bërë që Mane të krijojë një perandori biznesesh që shtrihet në 8 vende.

Mane së bashku me 9 biznesmenët e tjerë, të cilët gjithashtu zotërojnë kapitale të rëndësishme, janë elita e biznesit në vend. Por përveçse kanë emërtimin e lakmuar ‘milionerë’, një term me të cilin është abuzuar shpesh në Shqipëri, njëherazi këta biznesmenë janë dhe baza e zhvillimit të vendit. Janë taksapaguesit më të mëdhenj të shtetit shqiptar, duke i dhënë arkës së buxhetit dhjetramilionë euro në vit. Kompanitë e tyre, sigurisht që kanë nxjerrë fitime, por njëherazi kanë bërë dhe projekte, investime dhe zhvillime të zonave caktuara në vend, që kanë ndryshuar imazhin e qyteteve dhe të vetë Shqipërisë. Mjafton të shihen rezidencat, investimet në infrastrukturë të kompanive të karburanteve apo dhe qendrat tregtare, të cilat janë model në gjithë rajonin. Gjithashtu, këto kompani janë ato që kanë numrin më të madh të personave të punësuar në vend duke u kthyer në sektorin kryesor të punësimit në vend, pas administratës shtetërore.

Por veç kësaj, janë dhe njerëzit që kanë arritur të ndërtojnë perandori financiare në një terren jo të lehtë. Kanë mbijetuar mes një klime biznesi që nuk ka qenë dashamirëse ndaj investitorëve të mëdhenj. Atyre u është dashur të punojnë me qeveri që biznesin e kanë parë si një sektor ku mund të zhvatin vetëm para dhe të mos u krijohen kushtet. Më keq akoma, me qeveri që kanë përdorur shpesh “kërbaçin” ndaj bizneseve të tyre, duke i dendur me gjoba dhe duke i kërcënuar sa herë që ka pasur fushata elektorale. Në një vend si Shqipëria, me një buxhet modest, njerëz të tillë janë dhe lokomotiva e zhvillimit ekonomik nëse u krijohen kushtet e favorshme. Kjo ndodh kur shteti është një aleat për zhvillimin.

Miliarderi Samir Mane është në krye të gjithë elitës dhe botës së biznesit falë aftësisë së tij të menaxhimit e komunikimit, shpirtmadhësisë ku në shumë raste ka ndihmuar familje në nevojë; ka punësuar mijëra punëtorë, duke i hequr jo vetëm nga asistenca sociale e Shtetit, por duke i bërë mjeshtra të specialitetëve të ndryshëm. Ai është një “buxhet”i madh brenda Buxhetit të Shtetit dhe nuk duhet parë e vështruar “ se sa fiton Samiri?”, por çfarë ai ka sjellë në ekonominë e vendit,e jo vetëm në projektet e mëdha të investuara, por edhe në krijimin e një kulture të re të menaxhimit të një biznesi stërmadh, krahasueshëm me kompania të rëndësishme europiane.

Shoqëria duhet t’iu jetë mirënjohëse kësaj klase biznesmenësh që nga hiçi krijuan perandoritë e tyre dhe ndryshuan jo vetëm jetën e tyre, por të mijëra familjeve shqiptare.

Samir Mane mbetet në krye të biznesit, pa harruar se edhe një biznesmen tjetër në vend, Vasil Naçi, jo vetëm  është biznesmen kalibri, porse ai ka krijuar një kulturë të re të një shkolle biznesi. Naçi ka investuar qindramijë euro për të menaxhuar e shkolluar një klasë të re administratorësh e menaxherësh të rinjë.

Më pak fjalë Qeveria nuk duhet  të rrijë “me kovën e qumështit” në dorë për t’i “mjelur” ligjerisht këtë elitë biznesi, por duhet ti ketë ortakë e bashkëpunues për të zhvilluar vendin.

 

 

 

 

 

 

SHKARKO APP