Milionat e Bankës, Prokuroria dyshon

Për këtë qëllim, prokurorët kanë caktuar tre ekspertë të tjerë kontabël të çertifikuar nga Banka e Shqipërisë për të kryer një kontroll të imtësishëm mbi të gjitha hyrje-daljet e parave në  këtë qendër dhe rinumërimin e tyre. Prokurorët kanë kërkuar që veç verifikimeve në godinën ku është kryer vjedhja, të bëhet dhe hetim për gjithë aktivitetin e Qendrës së Emisionit të Monedhës në Linzë. Pra, kjo do të thotë se do të shihen të gjitha hyrjet dhe daljet e parave për një periudhë gati një-vjeçare. Sipas dëshmive që ka dhënë i dyshuari kryesor, Ardian Bitraj, vjedhja ka nisur gjatë vitit 2010 dhe ka vazhduar në intervale të ndryshme deri në vitin 2014. Hetimet për verifikimin e parave pritet të zhvillohen nga ekspertët brenda dy javëve dhe do t’i bashkëngjiten dosjes që pritet të dërgohet në gjykatë ndaj të akuzuarve kryesorë. Ndërkohë që veç hyrje- daljeve, do të nisë një procedurë verifikimi dhe në aeroportin e Rinasit, ku mbahen shënimet në regjistrat e posaçëm për paratë që hyjnë në Shqipëri. Konkretisht, hetuesit do të verifikojnë shumën e parave që janë dorëzuar në godinën e Bankës së Shqipërisë, aty ku ndodhi vjedhja. Pas vjedhjes, vetë Banka e Shqipërisë zhvilloi dy inventare për të përcaktuar shumën e saktë. Gjatë ditëve të para, u fol për një shumë prej rreth 400 milionë lekësh të vjedhura. Por në inventarin e dytë, rezultatet e të cilit u publikuan dhe nga Këshilli Mbikëqyrës gjatë muajit korrik, përcaktuan se shuma e vjedhur ishte 713 milionë lekë. Sipas hetimeve të deritanishme, Bitraj rezulton si personi kryesor që ka kryer vjedhjen. Ndërsa për fatin e parave të vjedhura ka deklaruar se i ka shpenzuar me lojëra fati. Ky është një argument që nuk i ka bindur drejtuesit e hetimit, por nga ana tjetër, dyshime ka dhe për shifrën e saktë që është marrë nga Qendra e Emisionit të Monedhës. Që nga nisja e hetimeve, prokuroria ka verifikuar të gjitha bisedat telefonike dhe lëvizjet e Bitrajt. Mosjustifikimi i shpenzimeve me lojëra fati ka bërë që hetuesit të mendojnë se skandali i vjedhjes është në përmasa edhe më të mëdha. Nën hetim për vjedhjen, janë 15 zyrtarë të Bankës, mes të cilëve përfshihet edhe ish-Guvernatori Ardian Fullani. Teksa politika nuk ka vendosur ende se kush do të jetë drejtuesi i ri i Bankës së Shqipërisë, hetimet për shumën e parave mund të implikojnë dhe persona të tjerë, të cilët ndodhen në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Nëse do të rezultojë se janë më shumë se 713 milionë lekë të vjedhura, hetimet mund të përfshijnë dhe sektorë të tjerë të Bankës. Pjesë e hetimit mund të jenë dhe personat që u caktuan nga Këshilli Mbikqyrës për të kryer dy inventarët pas daljes së skandalit të vjedhjes. Skandali i vjedhjes së Bankës së Shqipëria ka rreth 4 muaj që është bërë publik. Gjatë kësaj kohe, debati është përqendruar vetëm në përgjegjësitë që kanë pasur drejtuesit e bankës, stafi i sigurisë dhe ndjekja e procedurave. Lidhur me shumën, është marrë e mirëqenë shifra që ka deklaruar vetë Banka e Shqipërisë. Ndërkohë që fillimisht nuk korrespondonin deklaratat e të dyshuarit kryesor të vjedhjes me ato të Bankës së Shqipërisë. Ditët e para, u tha se ishin strukturat e Bankës ato që sinjalizuan vjedhjen, ndërkohë që siç rezultoi më pas, ka qenë vetë Bitraj ai që ka denoncuar vjedhjen që kishte kryer. Fakti që vjedhja nuk u sinjalizua nga inventarizuesit e bankës për disa vite, që kamerat e sigurisë nuk ishin parë nga rojet dhe që gjithë auditi i Bankës ishte kryer në mënyrë të dyshimtë, ka bërë që Prokuroria të rinisë thuajse nga fillimi hetimin për shumën e vjedhur. Për prokurorët është e pakuptimtë që prej 4 vitesh, që nga koha kur Bitraj thotë se ka marrë paratë e para në vitin 2010 dhe deri në vitin 2014, nuk është kapur asnjë gjurmë e parave që mungonin në arkë. Nëse prokurorët do të gjejnë prova se shuma është më tepër sesa 7 milionë dollarë, hetimet mund të marrin një tjetër rrjedhë, pasi nuk mund të flitet më për paaftësi, por për një devijim të qëllimshëm të hetimeve dhe fshehje të bilanceve të Bankës së Shqipërisë. Pas hetimeve të fundit, pritet që i dyshuari kryesor Ardian Bitraj, të merret sërish në pyetje lidhur me deklarimet e mëparshme që ka dhënë.

Por dyshimet mbeten tek organi i akuzës, pasi gjithë këto vite është vjedhur dhe nuk paska asnjë bashkëpunëtor Ardian Bitraj? Por mënyra e mbajtjes së proces-verbaleve deri tani duke zhdukur qindra milionë lekë pa asnjë lloj kontrolli ka krijuar dyshime se mos ka qenë një rrjet brenda bankës deri në nivele më të larta dhe paratë janë hedhur në investime në tregun shqiptar ose jashtë. Ashtu sikurse prokuroria po heton se mos në Rinas ka ardhur avioni me lekë por pa asnjë lek brenda, ndërkohë që proces-verbalet janë hartuar për bukuri sikur erdhën e hynë në bankë?!

SHKARKO APP