Milionat e dollarëve të drejtorëve të Shtetit

 

Inspektorati i Lartë i Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave paditi e vendosi gjoba dje ndaj 14 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të administratës. Në listë ka drejtues të pushtetit vendorë, drejtorë dhe gjyqtarë. Rasti më flagrant është ai i ish-drejtoreshës së Doganës së Sarandës, Lina Vaso. Verifikimi i pasurisë së saj ka nxjerrë mospërputhje të frikshme mes të ardhurave dhe parave që kishte në llogari bankare dhe pronave të saj, sipas ILDKPKI. Janë 1.5 milionë dollarë të grumbulluara brenda disa viteve. Zonja Vaso ka punuar si drejtore e Doganave gjatë vitit të fundit të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe më herët si drejtore e Arsimit në Sarandë. Në pak vite, çfarëdo pune të kesh bërë në administratë është e paimagjinueshme sesi mund të krijohet një pasuri e tillë marramendëse. Kur një drejtoreshë në një qytetet gati periferik arrin të mbledhë një pasuri kaq të madhe, çfarë është bërë në drejtoritë e tjera të Doganave që kalojnë qindra milionë euro në vit? Për të mos folur për ministrat dhe njerëzit e tjerë më pushtet që kanë më shumë hapësira për favore dhe për abuzime. Nëse është krejt kështu siç thotë në padinë e tij Institucioni i Kontrollit dhe që do të hetohet nga Prokuroria atëhere është për të vënë duart në kokë se sa vjedhin zyrtarët e shtetit. E pa imagjinueshme se si mund të vihen 1.5 milionë dollarë me pagën e shtetit ! Nuk mundet të ndodhë pasi edhe sikur ta ketë patur pagën sa të Kryeministrit edhe kështu nuk del llogaria që të justifikosh 1.5 milionë dollarë.

Institucioni i kontrollit të pasurive funksionon në bazë të deklarimeve vullnetare të zyrtarëve. Në rastet kur ka mospërputhje të nisin dhe verifikimet. Pra në sitën e kontrollit nuk kalojnë pasuritë e fshehura me kujdes nga zyrtarët. Zullumi i ish-drejtoreshës së Sarandës duket se ka qenë aq i madh sa nuk ka arritur të fshehë siç duhet 1.5 milionë dollarë. Po sa ish-zyrtarë të tillë ka sot në vend, që janë pjesë e strukturave politike, madje dhe janë futur në listat për kandidatët e zgjedhjeve vendore. Plot !

Lista e publikuar dje nga institucioni i deklarimit të pasurive vë në dukje dhe problemin e administratës së re. Shumat e pasurive të pajustifikuara nuk janë të njëjta si në nivelin e ish-drejtoreshës së Sarandës, megjithatë fenomeni është një sinjal alarmi. Fakti që raportohen thuajse çdo javë zyrtarë që kanë probleme me pasurinë, pavarësisht shumave, do të thotë se administrata aktuale nuk ka ndryshuar zakonin në abuzime dhe korrupsionit. Nuk është çudi që të njëjtët emra, disa vite më pas, kur të jenë ish-zyrtarë të kenë miliona siç ndodh dhe me rastin e Sarandës. Nuk është çudi që pas një viti drejtorë të sotëm, që mund të kthehen në ish-drejtor , të kenë 1.5 milionë dollarë apo më shumë !

Një tjetër rast tjetër i bërë publik dje, që edhe pse nuk la lidhje direkte me një zyrtar të emëruar, është më flagrant. “Adriatic Develoment Corporation LTD” është një kompani që u autorizua nga institucionet shqiptare dhe nga kompania çekë CEZ Shpërndarje që të mblidhet borxhet e papaguara të debitorëve të energjisë para vitit 2013. Aksioni për këtë fushatë dihet si shkoi, një pjesë të debitorëve iu morën paratë dhe shuma arrinte deri në 12 milionë euro. Sot në llogarinë e administratorit të kësaj kompanie rezultojnë të paktën 4 milionë dollarë të pajustifikuar, të cilat sipas Prokurorisë mund të jenë vendosur në mënyrë abuzime duke kaluar borxhet e qytetarëve në llogari të kompanisë së përmbarimit. Për këtë rast pritet të nis procesi i konfiskimit të pasurive. Një nismë e tillë duket se kthen në vend abuzimin, por a nuk duhet që edhe për zyrtarët e administratës shtetërorë te nis një proces i tillë? Kush i ka lejuar deri tani? Apo janë ndarë milionat në mes shefave të mëdhënjë?!

Ligji për mosjustifikimin e pasurive është ndryshuar gjatë viteve të fundit, por nuk ka asnjë rast të vetëm kur një zyrtari ndaj të cilit është faktuar pasuri e vendosur në mënyrë të padrejtë t’i ketë kthyer sërish paratë në arkën e shtetit. Për miliona euro të padeklaruara, të dënosh një ish-zyrtar vetëm me gjobë është njëlloj si t’ja legalizosh pasurinë dhe t’i japësh certifikatë ndershmërie nga shteti. Do të ishte e udhës që institucionet të mos mjaftoheshin vetëm me padi të bujshme dhe pastaj çështja të mbyllet me disa qindra mijëra lekë gjobë.

Lufta ka filluar si nga ILDKPKI  dhe nga Prokuroria. Ka nevojë që politika ti mbështesë këto dy institucione në fonde që të kenë mundësinë e hetimit të thellë të çdo zyrtari e jo siç ndodh sot që inpektorët e ILDKPKI dhe prokurorët nuk kanë as makinë, as karburant, as dieta e asnjë mundësi që të shkojnë për të kontrolluar e hetuar për Shtetin. Apo vetë politika nuk ka interes të kontrollohen zyrtarët e saj shtetrorë që të mos dalin rrënjët e tyre në korrupsion?

 

Lista e zyrtarëve të paditur dhe të ndëshkuar me gjoba nga ILDKPKI

– Aleks Neçaj, për funksionin Inspektor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;

– Tomorr Kullolli, për funksionin Gjyqtar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan;

– Lina Vaso, për funksionin Kryetare, Dega Doganore Sarandë;

– Alma Starova, për funksionin Inspektor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;

– Halit Xhafa, për funksionin Anëtar i Këshillit Mbikqyrës, Banka e Shqipërisë;

– Albert Mihaj, për funksionin Inspektor, Drejtoria Rajonale Tatimore, Tiranë;

– Haxhi Ismaili, për funksionin Përmbarues, Zyra Përmbarimore, Tiranë;

– Afrim Çupi, për funksionin Specialist, Drejtoria Rajonale Tatimore, Dibër;

– Admir Behari, për funksionin Inspektor, Drejtoria Rajonale Tatimore, Fier;

– Alfred Tusha, për funksionin Përgjegjës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;

– Dritan Manaj, për funksionin Drejtor, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes;

– Afrim Bakaj, për funksionin Drejtor i Përgjithshëm, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;

– Kanan Shakaj, për funksionin Kryetar, Komuna Novoselë, Vlorë;

– Besnik Qira, për funksionin Gjyqtar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin;

SHKARKO APP