Milionat e kryetarëve dalin në dritë
Dy kryetarë bashkie dhe një kryetar komune janë paditur nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) për fshehje pasurie. Adriatik Zotkaj, kryetar i bashkisë në Poliçan; Dritan Bici, kryetar i bashkisë së Gramshit dhe Genci Drita, kryetar i komunës Bërzhitë rezultojnë të mos kenë deklaruar pasuri marramendëse. Bashkia e Poliçani, Gramshit dhe komuna e Bërzhitës janë modeste përsa u përket fondeve që marrin nga buxheti i shtetit dhe taksat që mbledhin, por kjo nuk i ka penguar drejtuesit lokalë të këtyre njësive të vënë pasuri që në asnjë rrethanë tjetër s’do të ishte e mundur. Mes pronave, sipërfaqeve të ndërtimit, apartamenteve dhe bizneseve, shfaqen dy shifra. Adratik Zotaj, jo vetëm nuk ka justifikuar larjen një kredie që arrin në 200 mijë euro, por rezulton të ketë edhe 1 milionë euro të pa deklaruara. E njëjta gjë dhe me kreun e komunës Bërzhitë, Genci Drita, i cili ka një pasuri të pa deklaruar prej 1.5 milionë dollarësh në një bankë në Tiranë. Një pasuri e tillë është vënë gjatë dy mandateve si kryetar, në kohën që shpeshherë, drejtuesit lokalë janë ankuar për paga të ulëta të administratës vendore. Ligji ua ndalon të zgjedhurve vendorë dhe qendrorë për të pasur biznese. Por kjo gjë nuk i ka penguar këta kryebashkiakë që të hapin disa biznese dhe të përfitojnë prej fondeve të buxhetit të shtetit në njësitë e tyre vendore. Por jashtë bizneseve, ajo që nuk kuptohet është sesi brenda disa viteve drejtuesit lokalë në bashki periferike kanë arritur të vendosin pasuri mbi një milionë euro. Sikur të mos kishin konsumuar asnjë qindarkë nga paga si drejtues të njësive vendore, në tetë vite mund të kishin mbledhur rreth 100 milionë lekë të vjetra. Problemi qëndron në faktin se edhe kur deklarojnë që kanë fituar nga 1 milionë euro nga bizneset, bilancet nuk e justifikojnë këtë shumë.
Shifrat e publikuara nga ILDKPKI janë një pasqyrë e asaj se çfarë ndodh me pushtetin vendor dhe me korrupsionin që zhvillohet në zyrat e administratës lokale. Kur një kryebashkiak në Poliçan, apo kryetar komune në Bërzhitë merr 1 milionë euro, çfarë ndodh në qytete të tjera si Fieri, Durrësi, Elbasani, Shkodra. Nga sa milionë mund të jenë llogaritë bankare të kryebashkiakëve që lëshojnë firma për komplekse gjigante, parqe energjetike dhe tendera në këto qytete? Nëse shihen pasuritë e kryetarëve të tjerë të bashkive në vend bie në sy se pavarësisht se drejtojnë qytete si Gjirokastra, apo Elbasani, kryebashkiakët kanë blerë mijëra tokë truall në disa nga zonat më të lakmuara të bregdetit në vend. Nga deklarimet vjetore të kryebashkiakëve del se jo vetëm kanë të ardhura të konsiderueshme, por kanë zgjedhur që një pjesë të pasurisë ta kthejnë në bono thesari. Teksa mazhoranca flet përditë për antikorrupsionin, nuk ka nevojë që të hapë portale online ku të presë që njerëzit të denoncojnë. Mjafton t’u hedhë një sy llogarive bankare dhe pasurive marramendësve të pushtetarëve lokalë, për të kuptuar se deri në çfarë niveli ka arritur abuzimi me pushtetin.
Veç zbardhjes së pasurisë për zyrtarët e lartë, duhet të ketë dhe ndërhyrje të tjera ligjore. Nuk mjafton vetëm padia penale në raste të tilla. Sipas ligjit aktual, një zyrtar që fsheh pasurinë dënohet me gjobë dhe në raste të rralla, me disa muaj burg. Por një zyrtari që ka fituar miliona euro, nuk i kushton asgjë që të paguajë një gjobë modeste dhe më pas të shijojë i qetë pasurinë që ka vjedhur falë detyrës shtetërore që i është dhënë.
Disa nga pasuritë e fshehura të kryebashkiakëve,sipas ILDKPKI:
Dritan Bici, Gramsh
– Nuk justifikon me burime të ligjshme financiare dhe dokumentacion ligjor pasurinë e deklaruar në deklaratën “Para fillimit në detyrë 2011” në shumën 12.483.000 lekë.
– Fshehje e transaksioneve bankare të konfirmuara nga ‘Raiffeisen Bank’, në shumën 3.130.276 lekë në deklarimin “Periodik Vjetor 2011 dhe 2013”.
– Fshehje e llogarisë bankare në ‘Raiffeisen Prestige’ në deklarimin “Periodik Vjetor 2013” në shumën totale 1.347.276 lekë dhe mosmbulimi i saj me të ardhurat e realizuara dhe deklaruara në këtë periudhë.
– Deklarim i rremë i burimit të shumës 950.000 lekë për transaksionet ‘depozitime cash’ në “Raiffeisen Bank” në deklarimin ‘Periodik Vjetor 2011’.
– Bici ka tentuar dhënien e një sasie parash cash, në ambientet e ILDKPKI, inspektorëve të ngarkuar me kontrollin e deklaratave të tij, me qëllim mbylljen e problemeve të konstatuara nga hetimi administrativ.
Adriatik Zotka, Poliçan
Nuk ka deklaruar shitjen e 65 % të aksioneve të shoqërise ABG, shitje e realizuar në vitet 2008-2009.
– Mungesë burimesh financiare për shlyerjen e kredive të marra në shumat 50.000 euro (viti 2008), 75.000 euro (viti 2011) dhe 30.000 euro (viti 2012), me të ardhurat e deklaruara prej tij dhe përgjigjeve të konfirmuara nga bankat.
– Fshehje, deklarim i rremë dhe mungesë burimesh të ligjshme financiare për shumën 1.000.000 euro.
Genci Drita, Bërzhitë
– Fshehje e kontratës së sipërmarrjes Nr.90 Rep/20 Kol, datë 23.01.2013, për shtëpi banimi, vilë model “Petit Bordeaux” në shumën 396.585 euro.
– Fshehje të shlyerjes së kredisë në ‘Alfa Bank’ në shumën 1.300.000 lekë ne vitin 2011, për vitin 2012 në shumën 35.106 lekë dhe për vitin 2013 në shumën 662.826 lekë.
– Deklarim i rremë dhe mungesë burimesh financiare për shumën 16.320.000 lekë.
– Deklarim i rremë për të ardhurat në shumën 685.705 lekë.
– Deklarim i rremë i pasurisë në shumën 1.500.000 USD.
– Deklarim i rremë i pasurisë për shumën 150.000 euro.