Ministret bukuroshe të Ramës, letër Holandës: Aman, na shpëtoni nga forcat e errëta!
-Letra e shkruar dje nga ministret simpatike kuptohet që është një mënyrë shfajësimi, në mos edhe e shkruar nga kryeministrit Edi Rama, për të thënë me 18 tetor se fajin e kanë “forcat e errëta”. Teksti i saj nuk ka pasur si qëllim të bind Holandën, pasi para se të lexojnë letrën, deputetët holandezë kanë lexuar raportet e institucioneve të tyre për krimin dhe situatën në Shqipëri. Letra ka pasur si qëllim zbulimin e një “armiku” të brendshëm, që sipas Edi Ramës, do bllokimin e negociatave me BE.
-Mësohet se ministret Elisa Spiropali dhe Belinda Balluku kanë propozuar të nisen për në Armsterdam e të qëndrojnë me netë të tëra për t’i bindur deputetët. Por koleget e tjera i kanë kundërshtuar se detyra e tyre ishte vetëm letra publike për deputetët holandezë e jo sakrifica të tjera.
Pas Francës, Holanda është një nga vendet e Bashkimit Europian që ka më shumë rezerva për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Qeveria holandeze praktikisht ka thënë “jo” për negociatat dhe pritet që ky qëndrim të miratohet nga parlamenti i këtij vendi. Për të zbutur Holandën që ka një listë të gjatë me ankesa të forta, Edi Rama ka zgjedhur një mënyrë femërore. Tetë ministret e qeverisë së tij, nga 15 anëtarë që ka gjithë kabineti, i kanë dërguar dje një letër parlamentit holandez ku i kërkojnë hapjen e negociatave.
Letra e firmosur nga Elisa Spiropali, Belinda Balluku, Besa Shahini, Ogerta Manastirliu, Elva Margariti, Aila Denaj, Etilda Gjonaj dhe Olta Xhaçka, kuptohet që është ideuar dhe shkruar nga kreu i qeverisë, Edi Rama. Në këtë mënyrë, duke përdorur imazhin e brishtë femëror të tetë ministreve të kabinetit, Edi Rama synon të zbusë zemërimin holandez me ankesat për krimin dhe drogën që i vijnë nga Shqipëria. Letra e tetë ministrave do ishte pa asnjë të metë sikur në të kërkohej thjesht hapja e negociatave me arsyet që lidhen me interesat e qytetarëve shqiptarë. Por ministret kanë shkuar përtej një kërkese të thjeshtë për integrimin. Në letrën e tyre gjenden me shumicë akuza dhe mllef ndaj kundërshtarëve politikë në Tiranë. Pasazhi më i çuditshëm i letrës është ai ku ministret e Edi Ramës flasin për forca të errëta në Tiranë që nuk duan që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Europian. “Shpresojmë ta kuptoni se sa e vështirë është beteja jonë, të cilën nuk mund ta fitojmë të vetëm dhe disa nuk duan që ne ta fitojmë, përfshirë dhe një pjesë këtu në vendin tonë. Dështimi i përpjekjeve tona për të çelur bisedimet e anëtarësimit është çmimi më i madh për këto forca të errëta. Ne nuk kërkojmë që të ndryshoni pikëpamjet tuaja, thjesht duam që të bashkoheni me kombet e tjera të Europës duke i shtrirë dorën Shqipërisë dhe të na lejoni t’i çojmë këto përpjekje tonat në të një tjetër nivel”, – thuhet ndër të tjera në letër.
Që ka shtete të tjera që nuk duan integrimin e Shqipërisë, për fajin e Tiranës zyrtare, në BE kjo është një çështje që dihet publikisht. Por ministret e Ramës e kanë kapërcyer këtë pjesë dhe flasin për “forca të errëta” kundër BE-së në Shqipëri. Ky konfirmim nga shumica e kabinetit të qeverisë është sa alarmant, aq dhe skandaloz. Nëse qeveria di që ka forca të errëta kundër integrimit, më e pakta është denoncimi dhe marrja e masave ndaj tyre. Integrimi është prioritet kombëtar dhe dalja kundër një projektit të tillë padyshim që është dhe shkelje ligjore që lidhet me interesat kombëtare. Por nëse ministret e Ramës thonë diçka kaq alarmante, në një letër për një vend të BE-së, si ka mundësi që asnjëherë “forcat e errëta” nuk janë denoncuar nga kryeministri Edi Rama?
Gratë e Rilindjes në Qeveri thonë në letër se Shqipëria ka 50 deri 60 % të grave kryebashkiake dhe anëtare të këshillave bashkiakë. E kanë fjalën për zgjedhjet e 30 qershorit, që u bënë pa opozitën dhe për të cilat Gjermania ka kërkuar që të vlerësohet ligjshmëria e tyre në Gjykatën Kushtetuese. Të shkruash në një letër për një parlament të huaj si arritje, faktin që zgjedhjet i vodhi qeveria, por në detyrat kryesore ka vendosur gra, kjo është tallja më e madhe që mund të bësh me barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Në votimet moniste të 30 qershorit Edi Rama mund të vendoste 100% gra kandidate, por kjo nuk tregon shenjë emancipimi, por degradimi të shoqërisë dhe institucioneve.
Letra e shkruar dje nga ministret simpatike kuptohet që është një mënyrë shfajësimi, në mos edhe e shkruar nga kryeministrit Edi Rama, për të thënë me 18 tetor se fajin e kanë “forcat e errëta”. Teksti i saj nuk ka pasur si qëllim të bind Holandën, pasi para se të lexojnë letrën, deputetët holandezë kanë lexuar raportet e institucioneve të tyre për krimin dhe situatën në Shqipëri. Letra ka pasur si qëllim zbulimin e një “armiku” të brendshëm, që sipas Edi Ramës, do bllokimin e negociatave me BE.
Pra, për kryeministrin bllokimi i negociatave nuk po vjen nga dështimi i qeverisjes së tij në çdo drejtim, por nga “forcat e errëta”. Kjo është skemë jo vetëm anti-opozitare e re e Edi Ramës, por edhe një damkë e rëndë për qytetarët shqiptarë, të cilët janë të vetmit në rajon, në masën 99 % që duan integrimin në BE.
Mësohet se Elisa Spiropali dhe Belinda Balluku kanë propozuar të nisen për në Armsterdam e të qëndrojnë me netë të tëra për ti bindur deputetët. Por koleget e tjera i kanë kundërshtuar se detyra e tyre ishte vetëm letra publike për deputetët holandezë e jo sakrifica të tjera.
Mili Xhani