Ministri Bushati sfidon Ramën, flet si kryeministër

Nga Nikoll Lesi/

Ditmir Bushati nuk do të jetë më ministër i jashtëm në vitin 2019. Këtë e deklaroi vetë kryeministrit Rama me 28 dhjetor në mbledhjen e forumit të lartë socialist. Shumëkush u habit nga kjë lëvizje e beftë dhe pa sens, pasi ministri i jashtëm është syri dhe mendja lëvizëse e shtetit nëpër botë si dhe nuk ishte akuzuar për korrupsion apo shkelje detyre. Por Edi Rama e palosi bashkë me të tjerët ku shumica e të ikurve kishin gjynahe ligjore e shtetrore. Kur në PS prisnin që Ditmir Bushati do të ishte edhe zv/kryemnistër, plus ministër, ai u gjend papritur në azilin e pleqve shkodranë një ditë më pas, pa detyrë për vitin 2019. Radio gjermane shtetrore Dojçe Welle dhe sidomos radio-televizioni shtetror i SHBA, “Zëri Amerikës” shfaqen hapur mosaprovimin për largimin e tij si kreu i diplomacisë shqiptare.

Nuk themi se Ditmir Bushati ka shkëlqyer dhe mbetet më i miri i të mirëve në historinë e diplomacisë shqiptare, por korrekt dhe njohës i mirë i lëvizjeve ndërkombëtare. Kishte krijuar lidhje, njohje dhe ia njihte mirë të rrahmen kancelarive përendimore. Akuzat ndaj kryeministrit për largimin e tij nga ministër janë mëse shumti në një drejtim. E larguan presidenti Thaçi dhe presidenti serb, pasi ministri Bushati ishte përkrahës i linjës gjermane për mosndryshim kufijsh në Ballkan, e natyrisht sidomos mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo ka krijuar pakënaqësi të hapur nga presidenti kosovar, por informacionet thonë se këtë e ka kërkuar edhe presidenti turk Erdogan, sepse Ditmir Bushati njihet si një gylenist i hershëm.

Me sa duket janë bashkuar interesat e tre presidentëve; atij serb, kosovar dhe turk që kanë vulosur fatin e tij për të ikur nga ministër. Informacionet nga selia rozë tregonin se prej muajsh marrëdhëniet mes kryeministrit Rama dhe ministrit të jashtëm nuk ishin më si dikur. Nuk kishte ndryshuar Bushati, por ishte transformuar Edi Rama.

Ndaj Ditmir Bushati gëzon Vitin e Ri edhe këtë vit si ministër dhe në javët e para të Vitit 2019, dorëzon postin, duke ia kaluar një djali 28 vjeçar, nga Kosova. Por Bushati si bushatlli i vjetër nga historia nuk dorëzohet fort kollaj. I qetë nga natyra dhe sfidues nga tradita, djallëzisht ka postuar një mesazh në facebook. Po të lexosh mesazhin e tij drejtuar popullit, si flet si njeri konsensual, mbi palët, dhe që e shkëput veten e tij nga konfliktet e qeverisë dhe sidomos të kryeministrit.

Ai flet për konsensus kombëtar, pra indirekt lë të kuptohet se nuk është dakort me kryeministrin për mënyrën se si e ushtron dhunshëm e me arrogancë shembullore, pushtetin. Dhe që po përvetson krejt pushtetet në Shqipëri, përveç atij presidencial, ku ka frikë të afrohet edhe kur kalon në Bulevard.

Nëse analizon me kujdes mes rrjeshtave të Ditmir Bushatit, jashtë natyrës së punës të një ministri të jashtëm, në mesazhin e tij, duket sikur i hedh një urë pajtimi opozitës dhe shoqërisë në konflikt me kryeministrin, se me “mua mund të ecim sëbashku, pa konflikt”.

Nëse Pandeli Majko u hodh në treg si kryeministër në vend të Ramës, në rast konflikti civil në vitin 2019, por që ishte një “mish” për ta ngrënë kryeministri dhe që Rama e hodhi me humor e ironi në kosh, emri i Ditmir Bushatit nuk është pa sens.

Ashtu ka folur sot edhe Ditmir Bushati, si kryeministër, ose më saktë u ka thënë aktorëve politikë dhe kancelarive të huaja se “jam edhe unë në PS si kandidat për kryeministër!”.

Informacone të besueshme tregojnë se Ditmir Bushati po vihet ngadalë, si nevojë e brendshme në PS, në krye të një grupi deputetësh kundër mënyrës së vjedhjes së pushtetit të socialistëve nga Rilindasit. Bashkuar me frontin Xhafa, që po konsolidohet në heshtje, e përditë, dalja e Ditmir Bushatit duket si një moment shprese për të bllokuar dorëzimin e pushtetit te oligarkët.

Fragmente nga postimi i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati:

Festat e fundvitit janë një mundësi e shkëlqyer edhe për të qëndruar më shumë pranë njëri-tjetrit duke reflektuar për çka lëmë pas, por edhe për sfidat e të ardhmes. Ne shqiptarët duhet të flasim më shumë me njëri-tjetrin, e të mësojmë nga njëri-tjetri. Por më e rëndësishmja është që ne të dëgjojmë njëri-tjetrin.

Shqiptarët, kudo ku ndodhen në rajon, edhe për gjatë ‘stuhive’ të 2018 treguan se ata mbeten faktori më i qëndrueshëm pro-Euro Atlantik. Duke refuzuar në të njëjtën kohë që të vendosin si kolateral arritjet historike që prej rënies së perdes së hekurt.

Ky vokacion, sa natyror aq edhe pragmatist, duhet të përbëjë nxitjen tonë të fortë e kompasin orientues për të punuar së bashku për konsolidimin e reformave; për jetësimin e të vetmit projekt realist, atij të bashkimit në familjen e përbashkët europiane; për krijimin e një perspektive të qëndrueshme arsimimi dhe punësimi, para së gjithash për të rinjtë tanë; për forcimin e demokracisë dhe shoqërisë së shanseve të barabarta dhe përparimin e të drejtave të shqiptarëve kudo ato jetojnë.

Dëshiroj të uroj të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë një vit të mbarë e të mbushur me arritje dhe momente gëzimi.

I uroj shërbimit të jashtëm një vit të suksesshëm përpara.

Le të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë për ne dhe fëmijët tanë.

SHKARKO APP