Misioni kosovar i Ilir Metës

 

Nëse shkenca mendon që testosteroni është hormon meshkujsh, do të dyshonte nëse do të lexonte disa artikuj të shtypit kosovar ku gazetare femra ja tejkalonin për nga ashpërsia edhe një marinsi të “Navy seals” kur flisnin për Ilir Metën dhe vizitën e tij. Por politika rajonale, përpara se të jetë ndjenjë dhe përjetim, është racionalitet dhe realizëm. Nëse do ju linim fushë të lirë ndjenjave dhe bota të rrotullohej në bazë të tyre, atëhere klasa politike shqiptare duhet të mbante rradhën e burgut, ku në qeli do t’i prisnin gjyqtarë, prokurorë e pse jo gazetarë, për shkak të pazareve të tyre. Por meqënëse bota dhe rajoni lëviz ca më ndryshe, atëhere kjo vizitë duhet parë me sensin e realpolitikës, pasi misteri që e veshi i kishte të gjithë parametrat. Dhe në këtë mes, nuk ka pse të ketë xhelozi. Shqipëria është dhe ka qenë vendi amë për gjithë trevat shqiptare; gabimet e politikës tonë dhe të foshnjërisë tonë, janë të tilla që duhet ti kalojnë edhe shqiptarët e rajonit, dhe pse marrin eksperiencë nuk ka asgjë të keqe; sjellja e politikanëve shqiptarë në Kosovë, ku e lanë vendin gjashtë muaj pa qeveri, tregoi se kanë gropa të mëdha në formim; ajo e shqiptarëve të Maqedonisë, është një problematikë e ngrirë e cila duhet të marrë udhë pas zgjedhjeve në Maqedoni.

Por duke ju rikthyer Kosovës, situata aktuale është e tillë që ka nevojë për një ndërhyrje nga jashtë. Nëse ky është faktor shqiptar, aq më mirë, pasi është indikator vetëkorrigjimi. Dhe në impasin ku është Kosova, vetëm dy personazhe kanë peshën, njohjet dhe mundësi ta zhbllokojnë stanjacionin kosovar: Sali Berisha ose Ilir Meta. Në të vërtetë duhet të ishte në këtë tandem kryeministri Edi Rama. Por që nga kriza post Kumanovë dhe takimit të Ohrit, ky  tregoi se as e kuptonte intrigën dhe situatën në Maqedoni; as kishte autoritetin për të ushtruar presion mbi faktorët tanë dhe as mekanizmat për ta bërë këtë. Shto këtu që pas çështjes së armëve kimike, ngjarjeve në Maqedoni, paqëndrueshmërisë në sjellje ndaj Turqisë, dhe së fundmi votimi pro Palestinës për praninë e flamurit të saj në OKB, e kanë zhbërë besimin për të si një aleat i besueshëm në politikën ndërkombëtare.

Faktori Berisha, për shkaqe të shumta nuk mund të ndërhyjë në arenën kosovare. Jo për shkak të pensionit të tij, sesa për arsye të temperamentit polarizues i cili ngjall simpati, antipati dhe frikëra në Kosovë. Dhe në një situatë kur më shumë se deklarata dhe veprime të forta, duhen mesazhe në vesh, atëhere mbetet Ilir Meta.

Nga pikpamja hierarkike, Meta është numri dy i shtetit. Për arsye të qenies së Nishanit i dobët si institucion, Meta ka përparësi. Të cilën ja forcon konfigurimi i aleancës dhe eksperienca e tij ndërkombëtare. Pavarësisht se i ri në moshë, Ilir Meta ka qenë në role kyçe të shtetit shqiptar në zhvillimet në Kosovë, dhe ka njohje personale me shumë prej faktorëve politikë që kanë derivuar nga UÇK-ja dhe më tej. Ka dhënë dhe marrë me ta, gjëra që duhet të dihen dhe jo, çfarë përfshin një luftë guerrile dhe një tjetër kundër terrorizmit. Sa i takon kësaj të fundit, ka qenë kryeministër gjatë kohës që në territorin shqiptar janë zhvilluar nga aksionet më të mëdha të inteligjencës perëndimore kundër terrorizmit të markës islame, ku miratimi dhe bashkëpunimi me Metën ka qenë vendimtar. Ndaj ka edhe besimin e aleatëve dhe veçanërisht SHBA. Kjo është historia. Gjithë të tjerat janë luftë e politikës ditore, ku jo rrallëherë hajduti bërtet më fort “kapeni hajdutin” dhe shpesh këtë e bën me gojën e medias. Por nuk kanë lidhje me mënyrën si vepron diplomacia perëndimore, si zhvillohen situatat gjeopolitike, si konfigurohen aleancat rajonale dhe botërore. Dhe Ilir Meta nuk ishte në Kosovë të merrte çertifikatën e virgjërisë, por të zgjidhte një kolaps dhe të përkthente mesazhe që mesa duket në Kosovë ose gjejnë veshë të dyllosur, ose nuk duan ti kuptojnë. Në këtë kontekst, Ilir Meta është nga ata që di të përdorë kulaçin dhe kërbaçin; t’iu kujtojë të bërat dhe të pabërat bashkëbiseduesve; të ringjalli kujtimet e bukura, por edhe emrat e skeleteve që janë në dollapet e sejcilit prej aktorëve të Prishtinës, dollapet e të cilëve ashtu si në çdo vend ballkanik të kaluar nëpërmes luftërash dhe korrupsioni, mund të konkurojnë varrezat. A ka pasur sukses vizita e tij në Prishtinë? Takimi i opozitës me Presidentetn Jahjaga është shenjë e një situate e cila po fillon të ndryshojë. Por sigurisht që skraparliu nuk është psikolog që të kuptojë nëse interlokutorët e tij kanë idenë të punojnë për të mirën e Kosovës, apo të hedhin veten në erë. Por një mësues i mirë për të treguar se politika përpara së gjithash është çështje mbijetese dhe kompromisi përmes marrëveshjes edhe me armikun tënd. Kush më mirë se ai  mund ta tregojë këtë?

SHKARKO APP