Mistrecllëqet kryeministrore

Çështja e koalicionit është kthyer në temë të ditës mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këtë herë nuk janë mediat ato që kanë “sajuar” tensionim marrëdhëniesh.

Kryeministri Edi Rama në një intervistë dhënë për Televizionin Klan nuk e kurseu ironinë ndaj aleatit kryesor, Ilir Meta dhe LSI. Këshilltarët e tij tregojnë se është penduar shumë për atë togfjalësh ngacmues që tha për partnerin qeverisës që e mban në karriken e pushtetit.  I pyetur mbi koalicionin, Rama lëshoi batutën se LSI-ja duhet të vendos nëse do “rimartohet” me PD-në, apo do të vazhdojë me PS. “LSI duhet të vendosë nëse LSI nuk do të rimartohet djathtas… apo do të vazhdojnë në pozicionin natyral (majtas). Do të presim të bëhen zgjedhjen partiake në LSI ku besoj që nuk do ketë surpriza, më pas do të ulemi për të folur për koalicionin e zgjedhjeve të ardhshme”,- tha Rama.

Në qëndrimin e kreut të qeverisë, veç manisë për të bërë batuta, duket se ka dhe pak arrogancë. Dhe kjo arrogance ka sjellë reagimin Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për t’i kthyer përgjigje kryeministrit, LSI nxori në konferencë për mediat, një tjetër Ramë, Sekretarin e Përgjithshëm, Luan Rama, i cili nga Partia Socialiste u largua pas marrjes së drejtimit nga Kryeministri aktual.

Batutës së Kryeministrit, Luan Rama ju përgjigj thuajse në të njëjtën mënyrë. I pyetur nga gazetarët, Luan Rama  tha prerë se “nuk do të merrem as me batuta dhe as me mistrecllëqe batutash”. Një koment i shkurtër, por që ka brenda saj edhe mërinë mes aleatëve, edhe thirrjen që për çështje që kanë të bëjnë me qeverisjen duhet seriozitet. Sidomos kur është fjala për Kryeministrin, i cili nuk përgjigjet vetëm për partinë e tij, por për gjithë koalicionin qeverisës.

Në vend të debatit se kur do firmoset marrëveshja PS-LSI që po e mban pezull Kryeministrin, Luan Rama kujtoj se qeverisja duhet të merret me probleme më emergjente. Ai renditi tre çështje që në fakt nuk shqetësojnë vetëm LSI-në, por gjithë politikën dhe shoqërinë. Sekretari i Përgjithshëm i LSI tha se qeverisja dhe koalicioni duhet të merret në mënyrë emergjente me reformën zgjedhore, luftën kundër drogës dhe reformat ekonomike. Janë tre probleme kryesore të vendit për të cilat mazhoranca flet pak ose përpiqet t’i anashkalojë me batuta.

Ndërsa marrëveshja PS-LSI ende pret, një tjetër betejë nervash po zhvillohet mes dy partive për çështjen e ligjit të mbetjeve. Nga ajo çfarë tha dje Luan Rama, duket se LSI nuk do ta votojë kthimin e ligjit për mbetjet, pra nuk do të jap votën që e dha me kushte herën e parë.  “Do ta vlerësojmë me shumë seriozitet dhe maksimalisht duke respektuar të gjitha ndjeshmëritë dhe mbi çdo ndjeshmëri duke respektuar interesin publik dhe interesin e vendit. Kur të vijë në Kuvend do ta shqyrtojmë dhe do ta votojmë në Kuvend”,- deklaroi ai para gazetarëve.

Duket se dy aleatët nuk do ta kenë të lehtë uljen në tryezën e bisedimeve për koalicionin e vitit 2017, pasi edhe siç ka deklaruar sekretari i PS-se Koço Kokëdhima se “PS nuk i ka qëndruar marrëveshjes me LSI”. Gjatë muajit nëntor LSI-ja është në proces zgjedhjesh brenda partisë. Pas zgjedhjes së kryetarit duhet të bëhet rishikimi i strukturave dhe ka pak gjasa që Këshilli Drejtues Kombëtar të mblidhet për të vendosur fillimin e negociatave për firmosjen e marrëveshjes së re me PS. Nga fundi i dhjetorit mund të mblidhet Këshilli Kombëtar dhe më pas do të autorizohet Kryesia e LSI. Nga muaji shkurt kryesia e LSI do të autorizoj negociatorët për të biseduar me PS-në. Në mars LSI do jap përgjigjen publike se si do të futet në zgjedhje, me PS-në apo do krijojë Polin e Tretë Politik ku mund të jenë “Lista e Barabartë” e Ben Blushit, PBDNJ e Vangjel Dules dhe diku tek 17 të tjera politike.

Gjatë kohës që ka plasur debati për aleancën në mes PS dhe LSI kanë nisur edhe deklaratat me dy kuptime, ankesat nën zë, ironitë, por edhe lufta e fortë e nervave. Me klimën e mosbesimit që ka ekzistuar që ditën e parë të paktit mes dy palëve, futja e batutave dhe ironive vetëm sa e bëjnë më të largët marrëveshjen. Rama flet për rimartesa dhe ironizon zgjedhjet në LSI. Ndërsa LSI ia kthen me etiketimin mistrecllëqe, që sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, fjala mistrec nënkupton “njeri ngatërrestar, që fut spica e nuk lë dy gurë bashkë, njeri grindavec”.

 Një analist politik që nuk donte të indentifikohej tha si me shaka se rimartesat dhe stërmartesat bëhen zakonisht në Rilindje!

Edi Rama shquhet për batutat dhe mënyrën e përdorimit të fjalës, porse ka raste që kur e “kruan” shumë edhe mund të ta kthejnë në momentin me keq, në të njëjtën mënyrë: Duke mos të të dhënë votën kur duhet numri 71.

Spiten Prulli

 

SHKARKO APP