Monika Kryemadhi: Ne, si LSI, jemi socialistë demokratë
-“Edi Rama është tradhtari më i madh i së majtës shqiptare, pasi e shndërroi PS-në në Rilindje, një organizatë kriminale e cila po punon për oligarkët dhe mafien”- tha mbrëmë kryetarja e LSI.
Lëvizja Socialiste për Integrim festoi dje 15-vjetorin e themelimit, në një ceremoni madhështore në Pallatin e Kongreseve, ku merrnin pjesë ambasadorë, aleatë të LSI, themelues, drejtues, anëtarë dhe simpatizantë të saj.
Në 15 vite, LSI ka ditur të jetë jo thjesht një parti më shumë në skenën politike shqiptare, por një alternativë bindëse. Në pushtet, LSI ka arritur të japë kontributin e saj e të frenojë arrogancën dhe revanshin që marrin partitë e mëdha duke i bërë qeverisjet më normale dhe më pak abuzive. Në opozitë, gjithashtu ka krijuar jo thjesht fizionominë e një partie në rrjesht, po një lëvizje që përfaqëson denjësisht kauzat e qytetarëve dhe problemet që ka vendi.
Në fakt kjo është fryma që ka dhënë Ilir Meta kur ishte kryetar i kësaj partie dhe kështu ka mbetur LSI-ja.
Por duke shtuar shkathtësinë dhe vendosmërinë e Monika Kryemadhit, kjo forcë politike njeh vetëm rritje. Ceremonia e djeshme nuk ishte një festë për të kujtuar historinë, por takim për të projektuar historinë e nesërme të LSI dhe vendit. Në Pallatin e Kongreseve, Monika Kryemadhi mbajti një nga fjalimet më të mira të karrierës së saj politike. Një fjalim pa fraza të mëdha dhe pa retorikë, por me gjuhë të drejtpërdrejtë. Një fjalim jo për politikë dhe partitë, por për shqiptarët. Kryetarja e LSI tha se vendi ka nevojë për një të majtë të vërtetë që përfaqëson vlerat më të mira të kësaj lëvizje dhe jo për eksperimente si ato të Rilindjes. “Unë në formimin tim politik jam një “socialiste demokrate”, siç ka plot të tillë edhe ndër ju në sallë e kudo në Shqipëri, edhe pse të braktisur e të zhgënjyer në aspiratën e tyre prej fenomenit abuziv me etiketën “Rilindje”. Si socialiste demokrate, unë jam e bindur se drama e pabarazisë në Shqipëri, as nuk mjekohet, madje as nuk zgjidhet, pa rivendosjen e së majtës së vërtetë në shinat e vlerave dhe demokracisë dhe integrimit, të solidaritetit dhe humanizmit”,- tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI prezantoi projektin e kësaj force politike duke përshkruar në mënyrë të detajuar problemet kryesore me të cilat ndeshet çdo qytetar. Ajo deklaroi se faza e parë është rimodelimi i ekonomisë dhe shkëputja nga modeli i bizneseve të mëdha që jetojnë duke ndarë paratë me qeverinë.
Në këtë pikë, Kryemadhi bëri dhe një apel të veçantë ndaj qytetarëve duke iu kërkuar të braktisin blerjen te kompanitë e oligarkëve që vjedhin me kryeministrin dhe të blejnë te biznesi i vogël që mezi paguan taksat. “Unë i bëj thirrje anëtarëve të LSI së pari, por dhe gjithë shqiptarëve që veshjet e tyre mos ti blejnë në qendrat tregtare, po te dyqanet e bizneset e vogla. Të mos përdorin taksitë e korporatave te lidhura me qeveritaret, por taksitë që me punojnë me sakrificë e duke paguar taksa të larta për të siguruar bukën për familjen. Të bojkotojmë e të refuzojmë të gjitha mekanizmat që i shërbejnë dhe që ushqejnë pushtetin, e të mbështesim e inkurajojmë të gjithë ata që ju shërbejnë qytetarëve dhe që interesin e tyre e kanë të shenjtë”,- deklaroi Kryemadhi.
Thirrja e Kryemadhit nuk është një apel anti-biznes apo kundër ekonomisë së tregut, por drejtohet kundër modelit të qeverisjes së oligarkëve që është denoncuar shpesh nga LSI. Në këtë pikë, Kryemadhi prezantoi dhe programin e LSI për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët duke premtuar ulje të taksave dhe mbështetje të bizneseve të reja që synojnë ekonominë prodhuese dhe jo tenderat qeveritarë. Në fjalimin e saj, Kryemadhi sqaroi dhe njëherë keqkuptimet që ka krijuar propaganda e qeverisë lidhur me reformën në Drejtësi. Ajo tha se votat e LSI ishin ato që bënë të mundur miratimin e Reformës në Drejtësi dhe se LSI është shprehur që në fillim pro vettingut të politikanëve. Por kjo nuk do të thotë se do të lejojë që reforma të kapet nga qeveria dhe nga skemat e Rilindjes. “Do të realizojmë atë që tashmë e kemi propozuar, vetingun e politikanëve. Duhet të përfundojmë reformën më të rëndësishme për Shqipërinë, reformën në drejtësi, si një sistem i pavarur nga politika, dhe jo vegël ne duart e saj, si një sistem i pavarur nga politika për të ruajtur Shtetin, Kushtetutën, Ligjin, por mbi te gjitha, të drejtat e qytetarit te thjeshtë”,- tha Kryetarja e LSI.
Monika Kryemadhi foli qartë, thjesht, por me një vendosmëri për t’u admiruar. Tani LSI-në, PD-në dhe krejt opozitën e pret një vjeshtë e nxehtë dhe me përplasje me pushtetin e Edi Ramës, që në fakt ka përlarë gjithë pushtetin.
Do kemi vjeshtën e fundit për Edi Ramën, por ai nuk ikën vetë nëse nuk e largon opozita.
A. Mati