Monika në protesta, Vasili duel në Parlament
Largimi i Petrit Vasilit duket se ka një tjetër strategji lufte të LSI kundrejt Edi Ramës. Tashmë frontet janë të hapura për luftë. Petrit Vasili do zhvillojë, si një mjeshtër i duelit dhe debatit parlamentar, përleshjen ndaj qeverisjes në sallën e Kuvendit, ndërsa Monika Kryemadhi si politikane e luftës ballë për ballë në sheshe dhe kudo kundra qeverisë së Rilindjes. Të mërkurën e ardhshme, LSI-ja ka thirrur mbledhjen urgjente të Konventës Kombëtare, ku do të zyrtarizohen edhe ndryshimet në strukturën drejtuese të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Vetëm katër ditë pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve, LSI-ja nuk ka humbur kohë, por ka nisur ristrukturimin e saj. Pavarësisht se rezultati i LSI-së nuk mund të quhet negativ, përkundrazi ka rritje të dukshme në vota, drejtuesit e partisë kanë vlerësuar se ndryshimi i situatës politike kërkon reagim të shpejtë. Kur Rilindja ka marrë dhe blerë shumë vota, kur oligarkia është blinduar, kur Rama po synon të marrë edhe drejtësinë me Vettingun, kur ekonomia po rrënohet, kur papunësia po shtohet me shifra të rrezikshme, kur krimi ka marrë zemër; ka nevojë që nga parlamenti të zbritet në rrugë, në sheshe dhe para kryeministrisë. Jo me çadër, por me përballje trup me trup me qeverinë e Ramës. Ndaj në LSI kanë rënë dakort që njeri mbulon parlamentin si një profesionist dhe orator që mbetet Petrit Vasili, kurse Monika zbret në fushë me protesta.
LSI ka një grup parlamentar prej 19 deputetësh që do të kenë një peshë të veçantë në betejën parlamentare. Petrit Vasili ka një karrierë të gjatë në Parlament dhe në postet qeveritare. Kjo është një përvojë që do t’i jap tonin dhe forcën e duhur opozitës së re parlamentare, jo vetëm në debate, por edhe në denoncimin dhe interpelancat me anëtarët e kabinetit qeveritar dhe me vetë Kryeministrin. Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi është një nga politikanët me më shumë përvojë në gjithë skenën politike. Karriera, e nisur që në vitin 1991, e rendit atë në politikanet më luftarake në Kuvend, por edhe në protesta. Me zgjedhjen e saj në drejtimin e LSI-së, Kryemadhi do të thyej dhe “rregullin” e politikës shqiptare, duke u bërë e para grua që do të jetë në krye të një force politike të rëndësishme. Monika, siç tha Lubonja, nuk është si çdo grua në politikë. Ajo do ta bëjë LSI-në një parti luftarake opozitare për të cilën vendi ka nevojë, kur PD-ja po shkon drejt shkërmoqjes nga konfliktet e brendshme, që nuk do të mbarojnë.
Fatkeqësisht opozita e traditës, që është PD, mbetet në një krizë të madhe mes vetes, dhe nuk dihet se si do përfundojë, ndaj detyra e madhe qytetare është në duart e opozitës së re, LSI. LSI nuk ka humbur kohë këto ditë dhe ka shpallur nisjen e rrugës së re të opozitarizmit në vend, si e vetmja parti që mund të kryej misionin e opozitës së vendit. Siç e thamë dhe siç akuzoi mbrëmë Arben Imami se Lulzim Basha dhe PD ëshë shitur te Edi Rama me 17 maj, duket se Shqipëria po mbetet keq pa një opozitë si PD-ja e dikurshme.
Ndaj LSI duhet të jetë forca kryesore e opozitës ndaj qeverisjes, e cila ka marrë çdo pushtet. Edi Rama po merr edhe pushtetin e drejtësisë gjatë këtij viti dhe do bëhet përherë edhe më arrogant.
Ndaj ndryshimet në LSI i përgjigjen stadit të ri opozitar ku nga opozita e fortë në parlament do kalohet në protesta në sheshet e Tiranës dhe Shqipërisë.
Do kemi një vjeshtë të nxehtë politike.