Mund të arrestohet Ministri Ilir Beqaj?

 

Skandali i barnave që ka shpërthyer prej disa ditësh ka vënë në pranga nëntë persona. Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në Tiranë, një pronar i 4 farmacive në kryeqytet, si dhe shtatë zyrtarë dhe punonjës të farmacive akuzohen për vjedhje të ilaçeve të rimbursueshme. Sipas prokurorisë, dyshohet se nëntë personat e arrestuar dhe dy të shpallurit në kërkim kanë marrë gjatë muajve të fundit rreth 500 mijë euro. Shifra dyshohet se është disa herë më e madhe,pasi akoma hetimet po vazhdojnë. Partia Demokratike njoftoi dje se sasia e parave që janë vjedhur nga buxhetit i shtetit me skemën e recetave fiktive që rimbursohen arrin në 7 miliardë euro. Një shifër kjo e konsiderueshme duke llogaritur që aktiviteti të jetë zhvilluar gjatë dy viteve të fundit. Hetimet nisën para disa javësh, pasi ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi në Kuvend vjedhjen e bërë. Sipas ministrit Beqja, dosja në fjalë kishte kohë që hetohej nga Prokuroria dhe ishte dërguar në organin e akuzës nga vetë Ministria e Shëndetsisë. Nëntë të arrestuarit e parë duket se janë vetëm fillimi i zbulimit të një skemë mashtrimi që shtrihet në nivele të larta politike e qeverisëse. Paralajmërimin për arrestime të reja e ka dhënë dje vetë ministri Ilir Beqja, në një konferencë për mediat enkas për transparencën në sistemin e tregtimit të barnave. “Zbuluam përmes njësisë së antikorrupsionit në Kryeministri, se ata që deri dje përfitonin në kurriz të qytetarëve përmes çmimeve të larta të barnave, tani që qeveria uli çmimet, kishin gjetur një mënyrë të re fitimi. Të jashtëligjshme. Përmes recetave fiktive që rimbursoheshin falë një marrëdhënieje publik-privat tërësisht të jashtëligjshme, që sot është zbuluar e plotë. Nëntë përgjegjës janë arrestuar dhe të tjerë janë në hetim. Ne si ministri i mbështesim hetimet e prokurorisë dhe inkurajojmë që të gjithë përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë”, – tha dje ministri Beqja.

Por si funksiononte skema e vjedhjes? Pronarët e farmacive falsifikonin receta fiktive me emra pacientësh që i merrnin nga regjistrat e spitaleve. Recetat që plotësoheshin me barna të shtrenjta, kryesisht të sëmundjeve tumoriale dhe me vlera deri në 80-100 mijë lekë të reja, më pas u vendoseshin vula dhe firma false të mjekëve. Këto ‘ekzekutoheshin’ më pas në farmaci dhe Fondi i Rimbursimit të Barnave u jepte farmacive paratë e rimbursimit sipas skemës së miratuar nga qeveria. Nga hetimet ka rezultuar se janë përfshirë në ketë skemë rreth 50 farmaci kryesisht në Tiranë, si dhe janë falsifikuar firmat e 80 mjekëve. Rastet e fundit janë zbuluar në dy poliklinika kryesore në Tiranë. Rezultoi se në asnjë rast mjekët nuk kishin firmosur, por recetat ishin fiktive dhe firmat të falsifikuara. Shumën kryesore të rreth 7 miliardë lekëve dyshohet se e kanë përfituar 4 farmaci në Tiranë, pronari i të cilave, Hyse Roci është arrestuar dy ditë më parë. Po hetohet se kush politikan dhe zyrtarë të lartë fshihen pas këtij emri e duket se njërit i kanë kapur sms dhe telefonata nga përgjimet.

Përmes aksionit, suksesin e të cilit ministri ia ka faturuar Njësisë së Antikorrupsionit, Beqja ka lajmëruar dhe arrestime të tjera. Në një biznes të pistë ku qarkullojnë rreth 7 miliardë lekë të reja është logjike që numri i personave të përfshirë të mos jetë vetëm 9 dhe mes tyre farmacisë dhe nëpunës të zakonshëm. Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në Tiranë, Pjerin Xhuvani, sigurisht që renditet ndër personat kyç të skemës. Por duket se në listë janë dhe personazhe të tjerë të rëndësishëm, duke nisur nga Ministria e Shëndetësisë dhe deri tek politikanë apo deputetë.  Skema e vjedhjes rezulton të jetë kriminale, pasi në këtë mënyrë jo vetëm vidhen paratë e taksapaguesve shqiptarë, por u hiqet mundësia e rimbursimit mijëra personave që përfitonin ilaçe të shtrenjta për sëmundje të rënda në vend.

Prokuroria ka bërë gati edhe disa urdhër arreste ku mësohet se janë edhe dy drejtorë në ministrinë e Shendetisë. Por nuk ndalon këtu zinxhiri i arrestimeve. Prokurori i Tiranës Petrit Fusha ka dhënë urdhër të prerë grupit hetimor të prokuror që asnjë zyrtar i cili mund të jetë i përzier të mos shpëtojë, bile nëse ka fakte edhe vetë ministrin e Shendetsisë ta arrestojnë. Nga ana e tij ministri Beqaj është shprehur se mbështet prokurorinë, por vetë organi i akuzës po heton se ku ka firmosur ministri që kjo aferë e madhe ka kaluar pa rënë në sy edhe të ministrisë. Prokuroria ka kërkuar edhe tabulatet e ministrit Beqaj qëkur ka filluar si ministër. Pse? Kot? Apo dyshojnë?

 Prokuroria e drejtuar nga zoti Llalla është sot për sot Institucioni më korrekt dhe më i përkushtuar në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ndaj nëse Shqipëria po fiton pikë tek ndërkombëtarët në luftën kundër së keqes mbetet prokuroria.

Nga politika ka filluar pakënaqësia ndaj organit të prokurorisë, porse amerikanët janë pro Adriatik Llalles dhe organit të drejtësisë që ai drejton. Këtë ia kanë bërë të ditur edhe Presidentit Nishani dhe Kryeministrit Rama.

 

SHKARKO APP