Ndërkombëtarët folën: Zgjidhja janë zgjedhjet e parakohshme!

Ka një sjellje qesharake të zyrtarëve të qeverisë dhe shumicës së mediave pranë saj për të zhvleftësuar gjithë çfarë thotë raporti i OSBE/ODIHR për votimet e 30 qershorit. Propaganda e PS thotë se dokumenti ka “shumë kritika” për bojkotin e opozitës, por në fund njeh dhe vlerëson procesin e 30 qershorit. Ndërsa qëndrimi i zyrtarëve të qeverisë shkon përtej qesharakes dhe kthehet në absurd dhe marrëzi politike. Kryeministri Edi Rama tha dje se raporti “i cilëson zgjedhjet e 30 qershorit si të ligjshme” dhe bënte thirrje për vijimin e reformës elektorale, me “opozitën” parlamentare. Ata që thonë se raporti kishte vetëm kritika për bojkotin e opozitës duket se as nuk kanë marrë mundimin për ta lexuar dokumentin, por kanë zbardhur vetëm SMS-të e PS-së. Ndërsa kryeministri Edi Rama e ka lexuar me vëmendje, por puna ja do që të sillet sikur nuk e ka kuptuar. E vetmja frazë pozitive që iu shkëput kryeministri nga fjalori personal ishte se “zgjedhjet janë të ligjshme” dhe me kaq e quan të mbyllur debatin. Por këtu nis dhe problemi kryesor. Termi zgjedhjet ishin të ligjshme as që përmendet dhe gjithë raporti, për herë të parë, nuk jep konsideratë pozitive për asnjë element të këtyre votimeve. Edhe sikur të ishte siç pretendon kryeministri, zgjedhjet të ligjshme ishin dhe në kohën e diktaturës, por askush nuk i quante ato demokratike, të lira dhe të barabarta. Nëse Rama dhe nostalgjikët e para viteve ’90 kërkojnë patjetër diçka pozitive në këtë raport, aty mund të gjejnë vetëm krahasimin e 30 qershorit me “ligjshmërinë” e zgjedhjeve gjatë komunizmit.  Për zgjedhjet foli dhe Taulant Balla duke thënë se raporti i cilëson ato “demokratike”, por nuk ja merr njeri për ters sepse sekretari i PS tani nuk di të dallojë më se çfarë është demokratike dhe çfarë jo.

Në stuhinë e qëndrimeve për raportin e 30 qershorit është dhe reagimi i një pale të tretë, veç opozitës që ka shprehur me kohë qëndrimin, e cila thotë se dokumenti nuk sjellë ndonjë gjë që nuk dihej më parë. Për shumicën e shqiptarëve që refuzuan 30 qershorin, që panë maskaradën elektorale stil komunist të PS, që panë sesi u përdhosë Kushtetuta, sesi dekretet e Presidentit u shkelën, sesi u vu në rresht administrata dhe sesi u manipulua pjesëmarrja, nuk ishte nevoja e një raporti për t’i kuptuar. Dhe realisht në raport mund të kishte shumë më shumë denoncime kriminale dhe sjellje gati diktatoriale të një partie që bëri zgjedhje e vetme. Në fakt, raporti i OSBE/ODIHR ka bërë më shumë se denoncimi i rasteve konkrete të masakrës elektorale. Raporti ka goditur ligjshmërinë e gjithë procesit duke theksuar se Qeveria “Rama” shkeli ligjin në momentin që nuk zbatoi dekretin e Presidentit. Raporti nuk merret me detajet e votimit edhe pse ato janë mjaft skandaloze, por dokumenti godet Kolegjin dhe KQZ si institucionet që janë gardiane të një procesi. Si KQZ ashtu dhe Kolegji në dokument, cilësohen jo vetëm të paafta profesionalisht, por edhe si shkelës të ligjeve duke u demaskuar si institucionet që hodhën në erë gjithë ligjshmërinë e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, pa dekret, pa Kolegj dhe KQZ nuk ka më proces zgjedhor dhe raporti e thotë këtë. Vlera e këtij dokumenti është jo vetëm te faktet që sjellë, por të ajo çfarë përfaqësojnë dy organizatat që monitorojnë zgjedhjet, ODIHR dhe OSBE. Dokumenti final i hartuar nga ekspertët e ODIHR është dhe qëndrimi i shteteve anëtare të këtyre organizatave për zgjedhjet. Pjesë e ODIHR, si institucion që merret ekskluzivisht me zgjedhjet dhe OSBE-së janë 57 shtete, mes të cilëve SHBA, gjithë vendet e BE dhe shumica e vendeve demokratike në botë. Dokumenti është qëndrim final i ndërkombëtarëve, përfshirë dhe vendet e BE dhe SHBA-së, ambasadorët e të cilëve kanë miratuar dhe kanë dijeni për raportin. Nëse do të kërkohej një qëndrim i përbashkët i faktorëve ndërkombëtarë për krizën në Shqipëri, nuk mund të gjendej në asnjë dokument tjetër veçse të ky raport. Nuk ka rëndësi se çfarë thotë një ambasador i veçantë për zgjedhjet, apo sa orë rri në zyrë me Ramën. Çdo hamendje me qëndrimet e të huajve për zhvillimet në Shqipëri dhe zgjedhjet do të ishte spekulim nëse nuk merret në konsideratë qëndrimi i ODIHR për 30 qershorin. Në këtë dokument ndërkombëtarët folën qartë, 30 qershori nuk ishte për qytetarët, por vetëm për partinë në pushtet. Ndaj dhe më pas jepet sugjerimi për ndërhyrje urgjente në Kodin Zgjedhor, që do të thotë përgatitje për zgjedhje të parakohshme. Çështja e reformës elektorale është në dorë të PS, por çështja e zgjedhje të parakohshme tashmë është një kërkesë edhe e ndërkombëtarëve.

Në PS janë përgatitur se nuk vazhdohet dot më kështu, ndaj po presin momentin që t’i shpallin zgjedhjet e reja, me synimin për t’i fituar, por opozita nuk pranon me kryeministër Ramën, zgjedhje të reja. Ndaj do jetë radikale opozita këtë vjeshtë.

Mili Xhani

SHKARKO APP