Ndryshimet në qeveri si makiazh elektoral për zgjedhjet vendore
Edi Rama po projekton ndryshimin e qeverisë. Pak veta, ose më saktë asnjë, i dijnë emrat që ikin e ata që do vijnë në karriket ministrore. Hajde po themi se deri diku vetëm Engjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë, njeri i besuar i Edi Rama për çdo veprim kryeministror; mund të dijë se çka ndërmend të bëjë në këtë vjeshtë shefi i partisë në pushtet. Të tjerët, kushdo thotë apo tregon gjoksin se e di se “ma tha Rama” vetëm sa gënjen ose e bën gjoja për t’u treguar sikur ka dijeni se ç’po thur Edi Rama.
Përvoja e këtyre vitëve ka treguar, se ndonëse nuk del në skenë, vetëm një njeri ka pushtet mbi Edi Ramën. Ajo është Linda Rama, bashkëshortja. Pushtet është fjalë e madhe kur ke parasysh Edi Ramën, por po bëjmë kompromisin e fjalës, ajo sugjeron, pasi njeh shumë mirë ekonominë. Njihet publikisht se Linda është një prej emrave më të mirë të botës ekonomike e financiare. Por duket se ajo nuk flet, as me gojë e as më mimikë kur del në publik. Pakti duket se ajo mbetet këshilltarja e Edit, por jo zyrtarisht. Në shtëpi, po.
Tani duke u kthyer te ndryshimet në qeveri, mund të themi se ka dy ngjarje kjo vjeshtë. Ngjarja e parë dhe e mundshme mbetet ndryshimet në qeveri nga kryeministri Rama. Këtë e ka ai në dorë. Ai do ti bëjë ndryshimet, pasi pikësëpari po vijnë zgjedhjet vendore dhe duhet ti fitojë, siç çdo kryeministër do të synonte. Ekonomia dhe mirëqënia popullore nuk janë siç ka premtuar në qershor 2017. Dhe pa mirëqënie nuk ka votues që të jep votën, aq me tepër se tani nuk ka kujt t’i shfajësohet. Krejt pushtetin e ka për vete, ndaj edhe krejt votuesit e zhgënjyer, të cilët duken se po shtohen vrullshëm, do ti japin votë kundër. Vota kundër mund ti rrezikojë pushtetin ekzekutiv. Ndaj po kërkon të bëjë një makiazh politik për të krijuar një qeveri me emra që nuk janë të botës politike, por nga shoqëria civile, ndonëse prapë janë rilindas e jo nga PS. Kjo është një manovër që ndihet nga lëvizjet e tij të fundit. Përballë nuk ka vetëm PD-në në zgjedhjet vendore, por PD-LSI. Nuk duhet harruar se LSI është forcë përcaktuese në zgjedhjen e kryetarit në çdo bashki si dhe në këshillat bashkiakë. Në Tiranë beteja do jetë vendimtare, si “beteja e Stalingradit”. Se kush janë “nazistët” në këtë rast publiku e di mirë!
Ndaj ky muaji nuk është krejt plazh me Zahon në Vlorë për kryeministrin apo mësim noti për djalin e vogël, të cilin këtë të dielë e kishte nxjerrë në video. Dhe shumë mirë bën që i mëson notin. Ndërsa për vehte, për dreq, nuk noton mirë. E kujton edhe detin si plaçkë, tamam si Marrëveshja e Detit me Greqinë.
Ngjarja e dytë që pritet këtë vjeshtë është ajo që parashikon opozita; rrëzimi me protesta masive i kryeministrit Rama. Por, për dreq, edhe këtë nuk e besoj fort, pasi ndonëse populli mezi pret vjeshtën të “vizitojë” zyrën e kryeministrit të dhe të prekë pikturat në zyrën e Ramës, prapëseprapë lidershipi demokrat heziton. Ndërsa LSI e do “të pjekur” kryeministrin. Natyrisht që pushteti nuk merret me prostesta, por me votë, ndaj si opozitë ka një ide të përbashkët se kryeministri të jetë prapë i PS-së, por jo Edi Rama më të cilin nuk futen në zgjedhjet vendore, pra më atë kryeministër. Kjo skemë do përballje, të cilën populli opozitar e kërkoi që me 23 janar 2018, kur ishin në Bulevard mbi 100 mijë veta.
Tani ndodhemi para vjeshtës me dy zgjidhje; një me qeveri të re me fytyra të reja rilindase, por me kryeministër Ramën dhe varianti i dytë me një qeveri socialiste, por jo me Edi Ramën në krye të saj. Të parën zgjidhje e ka në dorë pikërisht Edi Rama, ndërsa të dytën populli, por nëse lidershipi demokrat e ka ndarë mendjen.
Por derisa opozita të ndajë mendjen, kryeministri Rama e ka bërë qeverinë e tij me fytyra të reja./Spiten Prulli/