Negociatat, BE: Me Shqipërinë shihemi në dhjetor 2019

Krerët e Bashkimit Europian kanë pranuar që të hapin negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë dhe Shqipërinë në fund të vitit 2019, nëse dy vendet tregojnë progres të mjaftueshëm në reformat e drejtësisë dhe kundër korrupsionit. Në konkluzionet e Këshillit të Europës çështja e procesit të negociatave është përmendur në vetëm një fjali, ku thuhet se “Këshilli mbështet përfundimet e arritura në datën 26 qershor 2018 për procesin e zgjerimit të BE”. Në këtë mënyrë konfirmohet marrëveshja e arritur më herët nga ministrat e jashtëm të Bashkimi Europian.

Sipas kësaj marrëveshje, progresi i Shqipërisë dhe Maqedonisë do të vlerësohet në qershor të vitit 2019 dhe bisedimet mund të hapen në fund të vitit të ardhshëm.

Sipas agjencisë Reuters, deklarata shërben për të çimentuar një kompromis mes qeverive të BE, por edhe për të mbajtur gjallë shpresat për anëtarësim tek vendet e Ballkanit Perëndimor, duke kërkuar reforma të mëtejshme përpara se të nisin formalisht bisedimet.

Franca dhe Holanda kërkuan më shumë progres përpara se të jepet drita jeshile për negociata. 25 vende të BE ishin gati për të mbështetur hapjen e menjëhershme të negociatave.

Në mënyrë formale vendimi i BE flet për qershorin 2019, por një afat i tillë duket i pamundur. Arsyeja lidhet me zhvillimet politike që e presin unionin gjatë vitit që vjen. BE do të zhvillojë zgjedhjet për drejtuesit e rinj të institucione dhe Komisionit Europian. Ky proces, ndryshe nga herët e tjera, pritet të ketë mjaft debate për shkak të skepticizmit që shumë vendet të Europës kanë ndaj bashkimit Europian. Në axhendën e BE zgjerimi i unionit renditet në kapiullin “Çështje të tjera”, ndërkohë që në krye të listës janë emigracioni, siguria dhe problemet ekonomike. Vetëm pas verës 2019, institucionet e BE mund të mblidhen për të marrë vendime. Ndërkohë procesi i zgjerimit mund të shtrohet për diskutim vetëm në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE në muajin dhjetor. Një afat i tillë u përmend edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Shqipërisë këtë vit i duhet të përmbushë 13 kushte që janë shkruar në vendimin e Ministrave të Jashtëm të BE më 26 qershor. Bëhet fjalë për krimin e organizuar, reformën në drejtësi, korrupsioni, dhe një sërë çështjesh që do të shihen me lupë nga BE në 2019. Sikur të mos mjaftonin këtu, viti 2019 është një vit elektoral për Shqipërinë. Pikërisht në qershor janë dhe zgjedhjet lokale, të cilat pritet të jenë një përballë e fortë politike. BE mund të jap një vendim për ecurinë e Shqipërisë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve. Në këtë mënyrë edhe pala shqiptare nuk është gati për një vlerësim nga Komisioni Europian ndërsa është në kulmin e fushatës elektorale.

Por pavarësisht afateve dhe axhendës së BE, Shqipëria këtë herë ka një rrugë jo të lehtë për të marrë çeljen zyrtare të negociatave. Në datën 26 qershor, qeveria tha se negociatat ishin marrë dhe nuk do të ketë më kushte. Pak orë më pas, me daljen e qëndrimit zyrat të BE, u kuptua se jo vetëm Shqipëria do të ishtë nën monitorim të rrepë nga BE për negociatat, por ishin shtuar edhe 13 kushte të reja për qeverinë. Si rrallë herë, Shqipërisë i jepen detyra konkrete përmbushja e të cilave është sfida kryesore e opozitës.

Konkluzionet e mbledhjes së krerëve të KE

SHKARKO APP