Negocion Basha. Vendos Berisha

 

I vetmi ndryshim real në negociatat mes Partisë Demokratike dhe mazhorancës gjatë ditës së djeshme është qënegocimet, nga “kokë më kokë” me praninë e eurodeputetit Eduard Kukan do të vazhdojnë dhe me telefon ose me korrierë. Rreth 7 orët e qëndrimit të Eduard Kukan në Tiranë nuk sollën ndonjë ndryshim. Eurodeputeti është takuar me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha, kreun e qeverisë Edi Rama dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta. Mbyllja e axhendës së tij në Tiranë ka qenë sërish një takim me kreun e PD-së, Basha, por rezultati konkret ka munguar. Listës së kërkesave të Partisë Demokratike duket se u është shtuar dhe një tjetër. Jo si kusht i domosdoshëm, por si një pikë e marrëveshjes në të cilën thuhet se palët duhet të bien parimisht dakord që shumica të mos i përdor 84 votat që ka në Kuvend për reforma të rëndësishme, siçështë ajo e Kodit Zgjedhor apo dhe të tjera dhe të kërkoj konsensus, kur kjo është e mundur.  Ndryshimi tjetër është se nga një marrëveshje që kërkon firmat e drejtuesve të kampeve politike, palët pritet të miratojnë në Kuvend një rezolutë, ku të jenë shprehur të gjitha shqetësimet e opozitës.

Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste nuk shtoi asgjë më shumë sesa ka thënë zakonisht. “Kërkesat e PD-së i kemi plotësuar” duke e lënë topin në fushën e opozitës. Kryetari i Parlamentit dhe aleati kryesor i Partisë Socialiste, kreu i LSI-së, Ilir Meta u shpreh se negociatat kanë si synim jo vetëm evitimin e djegies së mandateve të deputetëve, por arritje e një konsensusi dhe normaliteti politik. “Nuk bëhet fjalë për djegie, por për përfshirje, për dialog dhe jo thjesht për të evituar një djegie mandatesh, por për të ndarë politikën tonë nga fryma e bojkotit dhe e konflikteve”,- tha Meta. Ndërsa për kreun e PD-së Lulzim Basha “negociatat janë ende në vazhdim”. Por siç kanë qenë dy zëra nga e majta edhe nga e djathta dje pati dy protagonistë. Ndërsa Basha ishte negociatori zyrtar, qëndrimin lidhur me marrëveshjen e ka dhënë ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, bojkoti ka qenë i imponuar nga mazhoranca. Duke vlerësuar negociatat ish-kryeministri Berisha ka vënë në dyshim gatishmërinë e kryeministrit Edi Rama për të zbatuar marrëveshjen, nëse ajo do të arrihet. Madje, Berisha vendimmarrjen nuk e ka lënë vetëm në dorë të Bashës dhe deputetëve të PD-së, por të Këshillit Kombëtar. “Gjërat janë shumë afër. Unë pranoj çdo vendim që do marrë këshilli Kombëtar i PD, çështjet janë të afruara shumë. Por a do t’u fusë Rama shkelmin, unë them se po”,- tha Berisha. Nuk dihet nëse thirrja e Këshillit Kombëtar të PD-së për të vendosur për bojkotin është një masë ndihmëse që merr Berisha për Bashën, apo një mënyrë për të kontrolluar vendimmarrjen e deputetëve. Me deklaratat e kreut të Partisë Socialiste dhe kreut të LSI-së, duket se kushtet janë plotësuar. Çështja e dekriminalizimit të Kuvendit është pranuar të futet nëmarrëveshje si një projekt që do të diskutohet në muajt e ardhshëm. Minutazhi i fjalimeve në Kuvend është barazuar mes Kryeministrit dhe kreut të grupi parlamentar të opozitës. Edhe pika e re, që të kërkohet konsensus për kalimin e ligjeve me 84 vota, në fakt nuk është e re. Pasi çdo mazhorancë, kur kërkon konsensus, por nuk është i detyrueshëm ky ai argument që paraqet selia blu. Pasi edhe vetë PD-ja kur ka patur 84 vota nuk ka pyetur për opozitën, përjashtuar një rasti kur ranë dakort për ndryshimin e Kushtetutës në ora dy të natës. Herët e tjera nuk ka pyetur. Ajo që nuk kuptohet tashmëështë se përse PD-ja e shtyn deri në limite çështjen e mandateve. Dhe duke parë qëndrimet e djeshme të drejtuesve të PD-së, nuk kuptohet është se kush vendos në parti. Basha thotë “se jemi ende në negociata”, ndërsa Berisha i paraprin çdo vendimi duke thënë se çështja e bojkoti vendoset nga Këshilli Kombëtar. Vendimi për bojkotin normalisht i takon grupit parlamentar, duke qenë se në lojë janë mandatet e deputetëve të zgjedhur edhe si përfaqësues politikë të PD-së. Ndërsa Këshilli Kombëtar është një forum partiak, ku shumicën nuk e përbëjnë deputetët, por njerëzit e listës së Berishës dhe të të Bashës. Siç duket negociatat po i bën Basha, por vendimin e fundit do ta marrë Berisha. Apo është një lojë përfekte e Bashës që reagimin negativ të ndonjë deputeti të PD-së ta përplasë në derën e Berishës, pasi i ka përzgjedhur si besnikë para 23 qershorit 2013. Ose lojë e Saliut, natyrisht edhe në bashkëpunim me kryetarin e PD-së, që kush guxon të hyjë në parlament duhet të dijë se ka punë së pari me Sali Berishën, dhe nuk është e lehtë të përplasësh me të. Akoma është Sali, ndonëse paksa më vite pleqërie mbi supe, por nuk ka harruar t’ju thotë se është akoma gjallë! Pra Lulzim Basha nuk krijon përplasje direkte me deputetët, pasi koston e merr përsipër Berisha, e ndërkohë qëllimin e tij Basha e ka arritur; mori partinë , e spastroi dhe përgatitet të fusë në parlament gjithë shpurën e deputetëve, ku një pjesë e madhe e tyre nuk do të jenë mandatin tjetër. Bile as në selinë e PD-së nuk do ti lenë të hyjnë.

Por PD do hyjë në parlament, ndonëse duket sikur bën naze. Keshilli Kombëtar do të vendosë për të hyrë, kurse “delet-deputetë” do të hyjnë, pa zë, të fusin kartën në sallën e parlamentit që të mos humbasin mandatin e tyre.

Lulzim Basha e arriti mjështërisht atë cka donte, kurse deputetët nuk arritën dot të krijojnë frymë dinjitoze , ndërkohë që para 23 qershorit 2013 bënin si të fortë para sallave me demokratë.

PD do të hyjë në parlament! Rama fitoi pikë se nuk pranoi të firmoste copa letrash, kurse Meta tregoi se mbetet negociator potencial.

SHKARKO APP