Kryeministri Edi Rama nga Surreli në Lurë të Dibrës

-Garda dhe shërbimet intelegjente e policore kishin rrethuar e kaluar në sitë çdo rrugë, makinë e njeri. Edhe shkurret ishin kontrolluar me minakërkues. Por futja qoshe me qoshe në Lurë u bëri mirë zyrtarëve pasi panë nga afër varfërinë, mjerimin e një popullsie, e cila jeton në nga vendet më turistike të Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama u nis dje nga Surreli ku banon si “katunar tirone”, siç i pëlqen atij të thotë me humor, për në Lurë të Dibrës; një zonë turistike, por e shkallmuar nga varfëria e shkatërrimi. Lura mbetet një zonë me tradita atdhetare ku njerëzit kanë bërë histori ndër shekuj.

Bashkë me kryeministrin ishin dhe një shpurë ministrash si dhe stafi kryeministror që kujdeset nën drejtimin direkt të Endri Fugës për imazhin e shefit qeverisës. Më parë Garda dhe shërbimet intelegjente e policore kishin rrethuar e kaluar në sitë çdo rrugë, makinë e njeri. Edhe shkurret ishin kontrolluar për minakërkues. Por futja qoshe me qoshe në Lurë u bëri mirë zyrtarëve pasi panë nga afër varfërinë, mjerimin e një popullsie e cila jeton në nga vendet me turistike të Shqipërisë. A keni dëgjuar për Liqenjtë e Lurës? Ato nuk ekzistojnë më! Janë me ujë, por pyjet janë prerë, lule nuk ka më, zambakët e Lurës janë tregime për fëmijët si në perralla. Natyrisht nuk i bëri këto të gjitha qeveria e Ramës. Plot 27 vite janë prerë e shkatërruar pyjet e bukuritë e Lurës nga të gjitha qeveritë.  Edi Rama pati mundësinë të shikonte nga afër se ç’ndodh në realitet, ndonëse disa gjëra kanë evoluar në të vertetën e fjalës.

Takimi me banorët e zonës është pjesë e turit të fundit të mazhorancës për të dhënë llogari mbi mënyrën si po qeverisin. Të paktën ky është slogani “fugian” i këtij turi nëpër Shqipëri. E kanë sajuar bukur me një emër: Llogari para popullit!

Në zonën malore të Lurës, kryeministri dhe ministrat në vend të llogaridhënies kanë bërë rolin e atyre që sot po njihen me realitetin. Lura, me pak investime, mund të ishte një perla e turizmit malor për shkak të liqenëve dhe bukurive natyrore. Por sot gjithë krahina është pa rrugë, pa ujë, pa drita dhe me pyje që janë rrafshuar nga abuzimet e pushtetit. Në një zonë që duhet të ishte model zhvillimi për gjithë pjesët e tjera të vendit, banorët dje i kërkonin kryeministri gjërat me elementare si shkolla, qendra shëndetësore dhe ndihmë ekonomike për të mposhtur varfërinë. I kërkonin të kishin energji elektrike, ndonëse japin vendit plot energji nga uji i Dibrës. Dialogu i disa banorëve në bashkëbisedimin me Edi Ramën është emblematik për të përshkruar situatën në të cilën ndodhen ata dhe shumë të tjerë në Shqipëri. Larg politikës së ditës dhe projekteve të mëdha me të cilat mburret qeveria, banorët kërkonin gjërat më elementare që duhen për ekzistencë. Me një humor që ishte migjenian nga dhimbja, ata kërkojnë shumë pak gjëra për të jetuar. Zona e Dibrës dhe Lura shquhen për batutat dhe nivelin intelegjent të bisedës. Sikurse nuk mungojnë thumbat, kur të hynë këtu e të del atje ku nuk e merr vesh! Edhe përgjigja e kryeministrit Rama dhe sjellja e anëtarëve të kabinetit ishte emblematike. Pas pesë vitesh në qeverisje dhe pasi ka fituar disa herë votat në Dibër dhe Lurë, kryeministri u shfaq sikur dje të kishte zbuluar Lurën dhe dramën e banorëve të saj. Në fjalimin e gjatë dhe me batuta të kryeministrit, ai, nuk mori asnjë përgjegjësi për ato që s’janë bërë këto vite. Kreu i qeverisë dje foli për mungesë vizioni, mungesë projektesh dhe drejtorë dhe ministra që nuk i kanë kushtuar vëmendjen kësaj zone. Në retorikën e kryeministrit nuk munguan dhe akuzat ndaj banorëve, që sipas tij kërkojnë dhe gjëra që nuk mund të realizohen. Në të gjitha rastet faji për gjendjen në të cilën ndodhet kjo zone, nuk ishte i qeverisë “Rama” edhe pse tashmë u bë pesë vite në pushtet. Vitin e fundit qeveria ka shpallur projektin e 100 fshatrave turistik. Ironia është se mes zonave të përzgjedhura deri dje mungonte Lura, që mesa duket ishte harruar qëllimisht nga projektet financuese për zhvillimin e fshatrave. I vetëdijshëm për gabimin, Edi Rama premtoi se në të ardhme Lura do të jetë pjesë e këtij projekti. Po ashtu Rama bëri premtime pa “doganë” kur tha se do ndërtohen rrugët, do bëhen qendrat shëndetësore dhe do ketë investime për turizmin. E vetmja gjë ku kryeministri sajdisi miletin ishte vizita te bujtina e Llesh Doçit në Lurë, një njeri me pasion për turizmin dhe arsimin, por vetëm kaq mund të thoshte qeveria e tij në këto pesë vite për Lurën.

Qëllimi i takimit ishte llogaridhënia, por Edi Rama me mjeshtëri e ktheu në fushatë premtimesh dhe pa mbajtur asnjë përgjegjësi për ato që nuk u bënë këto vite. Është e njëjta retorikë që përdoret zakonisht në fushata elektorale, ku politikanët lëshojnë premtime në çdo fshat ku shkojnë. Mesa duket, zhvillimet politike muajt e ardhshëm nuk e përjashtojnë ndonjë “aksident” në qeverisje dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Në këtë pikë Edi Rama mbetet mjeshtër i fjalës dhe premtues fjalësh ku mendjen ta bën sallatë, ndërkohë që pak gjëra bëhen.

Takimet e organizuara me qytetarët në sheshe dhe në fushatë shoqërohen shpesh dhe me replika. Qytetarët, në ndonjë rast dalin nga skenari i përgatitur “fugian” dhe ia “plasin në fytyrë” pakënaqësinë. Kryeministri i stërvitur me debatet dhe me replikat, sërish gjen ndonjë viktime për t’ua hedhur qytetarëve të zëmëruar. Edhe në këtë rast fajin se ka qeveria, por ndonjë deputet që nuk i bindet Ramës, ndonjë drejtor i paaftë dhe bashkitë që nuk varen direkt nga ai. Mesazhi që jepet është se qeveria dhe udhëheqja punon çdo ditë për qytetarët, por janë të deleguarit e partisë ata që dalin nga linja dhe nuk zbatojnë udhëzimet. Vet i shanë dhe më pas vet i shkarkon drejtorët që zgjedh. Me këtë strategji, kreu i qeverisë pasi i ka marrë të gjitha pushtetet, së fundi ka zgjedhur të bëjë dhe vetë opozitën e qeverisë së tij. Ndërsa opozita zyrtare ka zgjedhur të nis pushimet e parakohshme dhe të reagoj vetëm në rrjetet sociale.

Kryeministri Rama ka kohë që ka nisur fushatën e elektorale. Diçka po bluan në mendje ai, pasi të jepet vendimi nga BE me 28 qershor.

A.M.

SHKARKO APP