Nga dje Qeveria Rama-Meta de facto është rrëzuar
Tashmë nuk ka më zëra dhe hamendje mediatike, por deklarata nga vetë liderët kryesorë të koalicionit. Marrëdhëniet mes PS-së dhe LSI-së janë në pikën më kritike. Kryetari i Kuvendit dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta ka dhënë dje sinjalin e parë serioz për një krisje finale mes aleancës së majtë qeverisëse. Nga qyteti i Çorovodës në Skrapar, kreu i LSI-së Meta ka bërë deklaratën më të fortë kundër kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke goditur njëherazi dhe kryeministrin Edi Rama. Teksa foli për akuzat e Bashës ndaj tij për çështjen CEZ, Meta, në fakt dukej se i përgjigjej Ramës.
“Nuk habitem me asgjë tjetër që thotë z. Basha, i cili prej dy vitesh qeverinë Rama e etiketon si qeveria Rama-Meta. Madje nuk keni dëgjuar gjë akoma, sepse shumë shpejt do të fillojë të ndërrojë vendet, do të akuzojë qeverinë Meta-Rama dhe pak më vonë, të jeni të bindur që do dëgjoni çudi të mëdha për akuzat e tij ndaj qeverisë “kriminale” Meta-Meta dhe për shtypjen dhe terrorin e saj ndaj opozitës së pafajshme Basha-Rama”, – tha kreu i Kuvendit.
Aludimi është i qartë. Në stuhinë që PD-ja ka nisur ndaj kreut të Kuvendit, duket se ka një aleancë të fshehtë mes Bashës dhe Ramës. Prej disa javësh PD-ja ka vënë në qendër të akuzave kreun e LSI-së dhe kreun e Kuvendit. LSI-ja dhe deputetët e saj asnjëherë nuk e kanë thënë publikisht, por dyshimet kanë qenë se dokumentet kanë dalë nga institucione qeverisëse, ose njerëz pranë së majtës dhe janë sajuar gjithë sulmet politike e mediatike prej kreut të Qeverisë. Bile në një akord me dyshen Doshi-Prifti. Dje kreu i Kuvendit, në mënyrë indirekte, la të kuptohet se sulmi jo vetëm që është ndihmuar nga PD-ja, por foli edhe për një aleancë mes dy kryetarëve. Ai i kujtoi Bashës, se kreu i opozitës zakonisht kërkon dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe jo atë të kreut të Kuvendit. Por mesazhi i Metës dje, edhe pse me tone ironike, kishte brenda dhe sinjale të tjera. E përkthyer ndryshe, deklarata e djeshme ishte dhe një kërcënim, pasi foli për “opozitë Basha-Rama”. Dhe ky ndërrim vendesh që bëri kreu i Kuvendit nga pozitë në opozitë për Ramën, ka vetëm një mesazh: Zgjedhje të parakohshme. Realisht kanë filluar përgatitjet në selitë politike, por në heshtje.
Sinjalet për një aleancë Basha-Rama kanë kulmuar me aferën e CEZ-it, por nuk kanë qenë të vetmet. Hetimet për CEZ-in kanë nisur prej gati dy vitesh, por u zgjodh të publikoheshin vetëm pas zgjedhjeve vendore, kur u pa se pesha politike e LSI-së u rrit edhe më tepër se në zgjedhjet e kaluara parlamentare, duke kaluar si parti e dytë politike në shumë bashki. Sulmi politik u zgjodh në momentin kur pritet të kalojnë në Kuvend disa nga reformat më të rëndësishme ligjore. Prej gati një muaji, PD dhe PS po flasin për ndryshime kushtetuese. Për ndryshimin e zgjedhjes së Presidentit në Kuvend, për reformimin e gjithë sistemit gjyqësor dhe ajo që është më e rëndësishmja, ka të bëjë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Këto ndryshime ligjore do të ndryshojnë komplet sistemin e drejtësisë, por janë dhe projektimi për të ndryshuar fytyrën e parlamentit dhe politikës në zgjedhjet e ardhshme. Zakonisht, projekte të tilla politike bëhen me konsensus dhe transparencë. Por këto kohë, ekspertët ligjorë të PD-së dhe PS-së janë takuar rregullisht në mënyrë jozyrtare, bile të fshehtë prej LSI, për të diskutuar mbi këto ndryshime. Thënë ndryshe, ashtu si dhe në vitin 2008, PD-PS janë duke flirtuar për të bërë ndryshime rrënjësore në Kushtetutë. E vetmja forcë politike që mund të prishë punë në këtë pazar është LSI-ja. Dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, i ka dhënë sinjalet se nuk do pranonte ndryshime si ato të vitit 2008. Ndaj mënyra për ta trembur LSI-në është një sulm frontal kundër kryetarit të saj për të minimizuar peshën politike, siç edhe po ndodh këto ditë me aferën e CEZ-it dhe me thirrjet për hetim ndërkombëtar dhe procese gjyqësore. Pra duke sajuar dhe gjetur gjithçka të mbetur në sirtaret e kohës së Berishës vetëm e vetëm për të dobësuar Ilir Metën.
Por këto nuk janë divergjencat e vetme mes aleatëve kryesorë në koalicion. LSI-ja ka kërkuar ndryshime në qeveri. Diçka që Rama nuk ka pranuar ta bëjë deri më sot. LSI-ja ka kundërshtuar disa ligje dhe aksione me karakter ekonomik. Rama, jo vetëm që nuk i ka marrë parasysh kritikat, por ka vendosur që gjithë reformat t’i bëjë vetëm me ministrat që i takojnë PS-së.
Por dje, Meta ka vendosur të prishë lojën në prapaskenë. Jo rastësisht, zgjodhi Skraparin, zona e tij e parë ku është zgjedhur deputet, për të folur për “çudira politike” dhe një opozitë të re.
Nga dje nuk ka më qeveri de facto mes Ramës dhe Metës. Buka është thyer përfundimisht dhe priten zhvillime spektakolare në parlament, sepse mundet që LSI të tërheq ministrat e saj nga qeveria, duke sjellë rënien edhe de jure të qeverisë PS-LSI. Gjithë prapaskenat për një qeveri PS-PD duken që do të sjellin një fund jo të lumtur për të majtën e sidomos për selinë rozë e cila ka një trazim brenda kupolës së saj, sepse Ben Blushi po kërkon jo vetëm ndryshime në qeveri, por ndryshim të krejt politikës së PS-së në raport me taksat, reformat të cilat po shkatërrojnë biznesin, me administratën etj.
Nga dje Ilir Meta e ka filluar fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare me 270 mijë votat e tija të 21 qershorit 2015. Mbetet të pritet nëse Edi Rama do të jetë luajal e bashkëpunues me të majtën apo do të futet në gjirin e së djathtës për të qëndruar kryeministër me votat e PD-së.
Por ka dhe një fakt se javën e ardhshme priten nga Prokuroria arrestime të bujshme në rradhët e politikës.