Nga Rekomandimi te Pranimi në BE shtrihet një “det” i tërë
Pas entuziazmit dhe festës për lajmin e mirë nga Brukseli që rekomandoi çeljen e negociatave, tashmë në Tiranë është koha për llogari të ftohta e pa eufori. Sigurisht që vendimi i KE-së vlerëson rolin e Shqipërisë dhe njeh meritën për disa reforma që janë kryer vitet e fundit. Qeveria dhe opozita, ka sejcila pjesën e saj në këtë proces, por më shumë se meritat tani është koha e përgjegjësive, pasi integrimi nuk nisi dje dhe nuk do të mbarojë nesër. Nga rekomandimi te pranimi i hapjes negociatave është në mes “një det i tërë”.
Komisioni Europian ka vlerësuar se Shqipëria meriton hapjen e negociatave, por vendimin e merr Këshilli i Ministrave të BE, në takimin që mbahet me 28 dhe 29 qershor. Në këtë forum vendimmarrës janë 28 vende që do të votojnë nëse Shqipëria meriton hapjen e negociatave ose jo. Mjafton që vetëm një prej tyre të jetë kundër dhe rekomandimi rrëzohet. Më pas Shqipërisë do t’i duhen edhe disa vite që të merret sërish në vlerësim. Nga dhënia e rekomandimit të pranimi i hapjes së negociatave ka një serë problemesh që qeveria në Tiranë duhet të punojë për t’i zgjidhur me emergjencë në një kohë mjaft të shkurtër.
Problemi i parë është teknik dhe ka të bëjë me bilancin e qeverisë. Në këto dy muaj e gjysmë, qeverisë shqiptare i duhet të jap prova konkrete për reformat. Shefja e Politikës së Jashtme në BE, Federica Mogerini foli dje në Tiranë me gjuhën e Brukselit kur tha se Shqipëria duhet të thellojë reformat, e cila do të thotë se në këto javë Tirana duhet të jap mesazhe konkrete për reformën në drejtësi, ekonominë dhe për pesë kriteret që ka vendosur Bashkimi Europian prej kohësh. Problemi i dytë dhe më i rëndësishëm është bindja e vendeve anëtare. Panorama që shfaqet këto kohë me qëndrimet e vendeve të BE për zgjerimin me anëtarë të rinj nuk është aspak optimiste. Dy shtete që kanë peshën kryesore në vendimmarrjen e BE, Gjermani dhe Franca kanë deklaruar thuajse hapur se zgjerimi nuk do të jetë i lehtë, bile kanë shumë hezitime. Ndërsa qëndrimi i qeverisë franceze është i paqartë në kërkesa konkrete, qëndrimi i Gjermanisë është thuajse i ‘pamëshirshëm’ ndaj qeverisë së Tiranës. Në mënyrë jo zyrtare dhe në deklarata mediatike zyrtarë të partive gjermane dhe të Ministrisë së Jashtme kanë folur hapur për problemet që ka qeveria shqiptare me luftën kundër drogës dhe krimin. Më konkretisht, deputetë gjermanë dhe drejtues të komisioneve parlamentare kanë shprehur habinë sesi ish-ministri Saimir Tahiri u shpëtua nga drejtësia me anë të mbrojtjes politike të kryeministrit Rama. Mos hetimi i tij pa imunitet ka shkaktuar reagime të njëpasnjëshme, të cilat deri më sot, qeveria “Rama” i ka cilësuar si qëndrime që vijnë nga segmente politike dhe jo nga qeveria gjermane. Edhe dje, në konferencën për median me Federica Mogerinin, kryeministri Edi Rama tha se këta politikanë gjermanë janë të lidhur me PD në Tiranë. Fakti është se Gjermania, si vendi që ka peshën kryesore në BE, ka kërkuar nga Shqipëria përmbushjen e kritereve strikte për të vijuar me procesin e anëtarësimit. Edhe për këto qëndrime të prishme gjermane kryeministri zbuloi “armiqtë e brendshëm” dhe sulmoi “armiqtë e jashtëm” të cilët i duan të keqen vendit, gjithnjë sipas qeverisë.
Ndërkohë një vend që do të ketë peshë specifike në çeljen e negociatave është Greqia. Ndryshe nga Franca dhe Gjermania që kërkojnë standarde strikte, Greqia ka të tjera “shqetësime” me Shqipërinë. Me Athinën ende nuk është mbyllur debati për caktimin e kufirit detar, ndërkohë në tavolinë janë dhe një sërë çështjes që nisin me të drejtat e minoritetit grek. Dje Ministria e Jashtme greke bashkë me përshëndetjen për marrjen e rekomandimin theksoi se Shqipëria duhet të respektojë marrëveshjet. Zyrtarisht marrëveshjet e reja nuk janë firmosur, por mesazhi diplomatik duket se është i qartë për Tiranën zyrtare. Në këtë rast Greqia do turret të shqyejë e të marrë ç’të mundet nga Shqipëria për atë votë në BE.
Por kryeministri duhet të lerë prokurorinë të zbatojë ligjin dhe të ndëshkohen me burg ish-ministrat e ministrat e PS, në mënyrë që të bindet Brukseli. Rrugë të mesme nuk ka, pasi vetëm sa do votonohet e shtyhet marrja e statusit.
Q.Xh.