Ngjela:“Tahiri ishte fshehur pas çitjaneve të Ramës, tani doli në betejë!”
Një pjesë e politikanëve në vend kanë dosje të hapura, ku një ndër ta është edhe ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, i cili ditën e sotme doli në një deklaratë për mediat duke publikuar dokumentet e mbylljes së hetimeve nga autoritetet italiane.
Dosjet e politikës ishte edhe tema e emisionit “Open” këtë të enjte. Duke folur për deklaratën e ditës së sotme të Saimir Tahirit, analisti Çim Peka u shpreh se dalja ishte për të ndikuar në hetimin që është në zhvillim në Shqipëri shkruan tch.
Ndërkohë, Spartak Ngjela u shpreh se Saimir Tahiri tashmë ka dalë në betejë, ndërsa deri tani ka qenë i fshehur pas Ramës.
“Ishte fshehur pas çitjaneve të Ramës, tani doli në betejë. Janë dy prokurori që kanë filluar procesin penal. Është Prokuroria italiane Antimafia dhe prokuroria shqiptare. Penalisht, në funksion të provës dhe të veprës penale, ka një rregull, nëse janë dy hapësira ku është zhvilluar krimi, quhet krim vazhdues. Por këtu, Prokuroria e Tiranës e ka marrë indicien nga ajo italiane. Por ne nuk e dimë, nëse kanë gjetur prova të tjera këtu. Nuk duhet të acarohet në këtë forma Saimir Tahiri. Ishte i nxituar, kishte një triumfalizëm të pandjerë”- tha Ngjela.
Sot ish-ministri Tahiri sulmoi fort opozitën dhe aludoi edhe për segmente të mazhorancës se janë në bllok kundër tij.