Një gjyq publik për gjyqtarët e Frrokut
Vendimi i dhimbshëm se plot dy vite pas vrasjes së një komisari policie gjykata e krimeve të rënda na la pa një autor për atentatin ndaj tij, ka prodhuar megjithatë një risi pozitive: ajo duket se i ka dhënë fund një mendësie sa të vjetër po aq edhe totalitare, që e dëgjojmë shpesh edhe në debatet televizive, se pasi flet gjykata të tjerët duhet të heshtin. Prej ditës që u lexua në sallë, vendimi për lirimin e Frrokut, ndoshta është një nga vendimet më të debatuara, më të para me lupë, më të përballura me provat e prokurorisë. Ai është shndëruar në një argument të përditshëm të gazetave, në një temë të emisioneve të mbrëmjes dhe në një debat të përhershëm në mediat jotradicionale.
Natyrisht në këtë interesim të beftë kanë luajtur rol vëmendja e madhe e publikut, revolta për një krim të dhunshëm, hendeku mes asaj që kërkoi prokuroria dhe asaj që prodhoi gjykata. Por të gjitha këto së bashku e kanë shtyrë “pushtetin e katërt” të rimarë rolin e tij si kontrollues dhe vëzhgues i pushteteve të tjerë.
Ne sot praktikisht kemi një proces mbi procesin. Të gjitha pyetjet janë shtruar në tavolinë.
Ç’lidhje kishin dy njerëzit që vodhën makinën që më pas u gjet në vendin e krimit, Enver Stafuka dhe Gentjan Bejtja me Arben Frrokun?
Çlidhje ka konflikti tashmë i provuar i Frrokut me Lamajn me vrasjen e këtij të fundit?
A duheshin marrë parasysh kërcënimet me jetën e vajzës nga i pari në dëm të të dytit?
A duhej marrë parasysh kërkesa që polici i kish bërë interpolit për të hetuar të shkuarën belge të vëllezërve Frroku?
Këto pyetje që janë artikuluar me dhjetra herë këto ditë, me logjikë por jo me prova, të çojnë drejt përfundimit se i interesuar për eliminimin e komisarit të policisë ishte pikërisht ai që u akuzua nga prokuroria.
Por në gjykatë nuk mjafton logjika. Aty duhen edhe provat. Por edhe për to, këto ditë në media, është zhvilluar një gjykim mbi gjykimin. Janë ngritur një sërë pikëpyetjesh që nuk kanë marrë përgjigje.
A duhej të mjaftohej gjykata me referimin ndaj një kamere lokali që nuk e përfshinte të gjithë skenën e krimit?
A duhej t’i interesonte më shumë rrëfimi i dëshmitarit të mbrojtur apo vendndodhja ku ai e kish bërë për herë të parë tregimin e tij?
A mund ta merte gjykata si një të dhënë lehtësuese për të akuzuarin faktin se celularët e tij ndodheshin diku tjetër?
E për më tepër, ende, a mund të llogarisë gjykata se si ka qenë trafiku i rrugës së Elbasanit, prej nga është larguar i akuzuari në drejtim të Kapshticës, përpara hapjes së tunelit dhe si është sot? A ka ndonjë statistike të besueshme për këtë?
Dhe së fundi “në bindjen e brendshme të gjyqtarëve” dhe jo në faktorët e jashtëm që mund të kenë luajtur rol mbi ta, a nuk kanë ndikuar rrëmbimi i një personi që ka lidhje me ngjarjen (Stafuka), largimi i një tjetri në drejtim të paditur (gardisti Ylli Memia) dhe vënia e lëndës shpërthyese për dëshmitarin e mbrojtur Arben Ndoka (identitet i rremë)? A nuk i bënë këto fakte jashtë procesit këta gjykatës të krijojnë bindjen se për këto eliminime ishin më të prirur ata që akuzoheshin dhe jo ata që nuk qenë përmendur fare?
Të gjitha këto pikëpyetje janë përsëritur me dhjetra herë. Ato jo vetëm kanë krijuar një perceptim publik për një vendim të padrejtë të pesë gjyqtarëve të krimeve të rënda, por ato kanë hapur edhe një fazë të re në raportin mes medias dhe gjyqësorit. Sepse tani, për herë të parë, mediat kanë krijuar mundësinë që gjyqi për gjyqtarët të bëhet në publik. Dhe natyrisht kjo është një risi. Me precedentë të tillë ne jemi ndeshur vetëm në procese të tjera të bujshme si ato të Gërdecit apo ato të 21 janarit. Por duke qenë çështje me ngarkesë të madhe politike, kakofonia për to, lufta me argumenta të rremë mes pozitës dhe opozitës, ka bërë që debati publik të degradonte.
Ndërsa këtë radhë është ndryshe. Media po rishqyrton pikë për pikë një proces me interes të madh për publikun. Ajo po bën rolin e saj. Ajo po propozon një gjykim për pesë gjyqtarët e krimeve të rënda, duke bërë këtë herë rolin e saj, që në fakt nuk po arrijnë ta bëjnë dot organe të kapura si KLD-ja. Në këtë kuptim ajo që po ndodh sot është një risi. Një lajm i mirë pas një vendimi të dhimbshëm.