“Një parashikim për ekonominë botërore 2015”
Nga Deutsche Welle
Eurozona do të jetë edhe një herë fëmija problematik për ekonominë botërore, sepse për të parashikohet vetëm një rritje e ulët. "Ne presim për eurozonën një rritje 0,8 për qind për vitin e ardhshëm", thotë Stefan Bielmeier, ekonomisti kryesor në DZ Bank.
Edhe pse kriza e euros është zbutur nga Banka Qendrore Evropiane, disa nga vendet e mëdha të eurozonës vazhdojnë të luftojnë me krizën ekonomike. "Në Itali gjendja është mjaft dramatike, dhe ekonomia vazhdon të tkurret. Aty reformat strukturore janë zvarritur prej vitesh," thotë Roland Dëhrn, Shef i Departamentit Ekonomik të Institutit të Kërkimeve RWI në Essen. Kurse në Francë, problemet u shkaktuan, sepse shteti shpenzoi shumë para për zgjidhjen e problemeve dhe tani ka arritur në kufijtë e tij, tha Dëhrn për Deutsche Wellen.
Prej dobësisë së partnerëve të eurozonës po vuan dhe Gjermania. Sipas parashikimit të Bundesbank, ekonomia gjermane do të rritet vitin e ardhshëm me vetëm një për qind. Roland Dëhrn kritikon në këtë mes edhe politikën, e cila në vend të reformave strukturore mendon përsëri për shpërndarjen, dhe citon shembullin e paketës së pensioneve e cila e kthen pas kompromisin e arritur me vështirësi për daljen në pension në moshën 67 vjeç. "Shpenzimet duhet t'i mbajnë kompanitë dhe kontribuesit për pensionet. Kjo e rrit barrën mbi bizneset dhe ul kërkesën e konsumatorëve."
Me fjalë të tjera: favore të tilla të pretenduara nuk krijojnë nxitje për rritje dhe atyre u shtohen edhe shpenzimet për kthesën në sektorin e energjisë, që ngre çmimet e energjisë mjaft lart.
Rritje ekonomike në SHBA, Kinë dhe Indi
Teknikat e reja të nxjerrjes së gazit, si fracking, po bëjnë që shpenzimet pëpr enegjinë në SHBA të ulen.
Për këtë edhe shumë sipërmarrje po rikthehen nga Azia në SHBA për të filluar prodhimin aty. Sipas Stefan Bielmeier, ekonomisti kryesor në DZ Bank, vitet e ardhshme në SHBA do të ketë një rritje ekonomike prej 3%.
Për Kinën parashikohet një rritje e PBB-së prej 7%. Ky është niveli më i ulët që prej vitit 1990, por ky lidhet me synimet e qeverisë së Pekinin për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Rritja ekonomike e financuar me kredi dhe përmes eksporteve synon të balancohet tani përmes konsumit të brendshëm. Stefan Bielmeier mendon se me rezervat e mëdha të valutës Kina mund t'i përballojë problemet që mund të lindin.
Sa i përket Indisë OECD parashikon një rritje ekonomike prej 6,6%. Megjithatë sipas ekspertëve India është ndër vendet që ka probleme të mëdha strukturore.
Vit zhgënjimi për Amerikën Latine
Viti i ardhshëm pritet të jetë zhgënjyes për Brazilin dhe Argjentinën. Brazili ka probleme me infrastrukturë, kurse Argjentina me borxhet. Problem për vendet e Amerikës Latine është se ato janë shumë të varura prej lëndëve të para dhe prej çmimeve për to në tregjet e huaja.
Për shkak të rënies së çmimit të naftës për Venezuelën parashikohet madje një falimentim i shtetit.
Probleme prej rënies së çmimit të naftës pritet të kenë edhe Nigera apo Rusia. Meqë ekonomia Rusia do të ngarkohen edhe prej barrës së sanksioneve, për vitin 2015 Stefan Bielmeier mendon se vendi mund të bierë në recesion.