Një test për Ramën, Metën e Bashën

 

Mbeten edhe pak orë nga hapja e procesit të votimit për zgjedhjet vendore. Të dielën, rreth 3 milionë shqiptarë do të drejtohen në kutitë e votimit për të zgjedhur administratorët e rinj të 61 bashkive në gjithë vendin. Veç kandidatëve, shqiptarët do të zgjedhin edhe 1595 anëtarët e këshillave bashkiakë në gjithë vendin. Këto janë zgjedhjet e shtata që mbahen në Shqipëri pas vendosjes së pluralizmit në vend. E veçanta e tyre është se për herë të parë do të votohet me ndarjen e re administrative që ka grupuar rreth 370 njësitë e mëparshme vendore në 61 bashki. Dita e votimeve vjen pas një fushate të stërzgjatur ku nga 40 ditë që është afati ligjor, partitë politike kanë qenë në fushatë që prej muajit prill. Por pavarësisht kësaj, problemi me zgjedhjet në Shqipëri nuk ka qenë asnjëherë fushata, por dita e votimit dhe më pas, procesi absurd i numërimit që zgjat me ditë e në ndonjë zonë, edhe me muaj.

Problemet gjatë ditës së votimit dhe më pas të numërimit, kanë bërë që policia si asnjëherë të kalojë në gatishmëri. Drejtori i Policisë për Rendin, Altin Qato, prezantoi dje planin e masave që Ministria e Brendshme do të marrë për 21 qershorin. Ai tha se janë 6699 oficerë policie që do të angazhohen në mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Do të ketë nga 1 polic që do të jetë në secilën prej 5299 qendrave të votimit. Ndërkohë që forca policore, siç parashikon Kodi Zgjedhor, do të shoqërojnë dhe garantojnë sigurinë për procesin e transportit të kutive të votimit dhe materialeve zgjedhore nga zonat rurale drej qendrave të numërimit të votave. Në po këto qendra, do të vendosen punonjës policie që do të garantojnë qetësinë e zhvillimit të procesit deri në përfundimin e tyre. Veç punonjësve të trupës së policisë, repartet speciale si RENEA dhe të ndërhyrjes së shpejtë kanë kaluar në gatishmëri dhe janë vendosur në qytete ku ka të dhëna se mund të ketë probleme gjatë ditës së votimit.

Veç forcave speciale të policisë mësohet se edhe Batalioni i Operacioneve Speciale në Ushtri, batalion ky që kryen operacione të rrezikshmërisë së lartë, ka kaluar në gatishmëri. Një pjesë e këtyre trupave ka marrë detyra për ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë në kryeqytet. Objekte ku bëjnë pjesë institucionet qeveritare dhe selitë diplomatike të ambasadave kryesore në vend. Forcat speciale dhe forcat e ushtrisë nuk kanë detyrë direkte me zgjedhjet dhe me qendrat e votimit, pasi ligji e ndalon praninë e tyre afër qendrave të votimit, por shihen si pjesë mbështetëse e planit të masave që janë marrë për garantimin e qetësisë publike në raste incidentesh.

Ndërkohë që në gatishmëri mësohet se kanë kaluar edhe punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror. Detyra e garantimit të rendit nga incidentet i takon policisë, por peshën kryesore në këto zgjedhje duket se e ka edhe Prokuroria e Përgjithshme. Në prokuroritë e rretheve, Kryeprokurori Adriatik Llalla ka kërkuar nga prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore që të procedojnë në kohë rekord çdo denoncim që vjen për parregullsitë ligjore në zgjedhje. Prioritet i veçantë do t’u kushtohet denoncimeve për blerje vote, apo denoncimeve për presion ndaj votuesve. Faktimi i akuzave në kohë rekord dhe procedimi i tyre nga Prokuroria është mënyra më e mirë për të ndalur betejën politike që në ditën e votimeve rezulton të kthehet në problem zgjedhor për standardin e zgjedhjeve.

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama e cilësuan fushatën si normale. Pavarësisht kësaj, problemet nuk kanë munguar. Policia bëri të ditur se janë shoqëruar 21 persona për grisje posterash, vjedhje apo dëmtime të zyrave elektorale. Ndërkohë që ka pasur raportime për dhunë ndaj militantëve në Durrës, Vorë, Vaun e Dejës, Elbasan, Librazhd e Malësi të Madhe. Akuzat për blerje vote kanë dominuar këtë fushatë, megjithatë deri dje nuk ka pasur asnjë person që të jetë ndjekur penalisht. Organizatat e pavarura që monitorojnë procesin zgjedhor në mbyllje të fushatës kanë raportuar për 255 raste të parregullsive, ku bëjnë pjesë: incidente fizike, dyshimet për blerje vote, përdorim i administratës etj. Përfaqësues të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bënë apel dje partive politike të zhvillojnë një proces të rregullt zgjedhor.

Nga nota që do të marrin zgjedhjet e së dielës, do të varen shumë gjëra në politikën shqiptare, por edhe procesi i integrimit në Bashkimin Europian. Në 21 qershor, Rama nuk do të gjykohet vetëm për rezultatin që merr partia e tij, por edhe për standardin e zgjedhjeve. Është data kur duhet thyer miti se shqiptarët votojnë me kulturë dhe si evropianë, por kur nis numërimi, Shqipëria ngel në klasë si vend i botës së tretë. Zgjedhjet janë një “lojë politike” ku luajnë dy palë. Ndaj veç Ramës, edhe Basha duhet të bëjë pjesën e vet. Të dy kanë mundësinë që të heqin nga fjalori i politikës vjedhjen e votës, manipulimet, zgjedhjet pa standarde, apo siç thonë ndërkombëtarët ‘vetëm një hap para’ dhe më e rëndësishmja, të eleminojnë fjalën ‘bojkot’ dhe ‘mosnjohje rezultati’. Zgjedhjet duan dhe vetëm pak orë të mbahen. Humbja e zgjedhjeve nga një palë, nuk ka pse të shihet si humbje edhe për vendin.

Rama-Meta dhe Basha e cilësojnë veten liderë të një epoke të re. Ndaj në 21 qershor duhet të na tregojnë se koha e Berishës ka kaluar.

Qamil Xhani

SHKARKO APP