Një votë për një thes miell

 

Deri disa ditë më parë ngjante si një legjendë e zgjedhjeve të viteve të kaluara. Që nga dje, nuk është më e tillë. Vota nuk blihet vetëm me lekë apo me euro,por edhe me një thes miell. Nënproduktet e grurit nuk janë joshëse vetëm për zonat e varfëra në vend, por mund të jenë mall shkëmbimi për votën edhe 10 kilometra larg Tiranës. Rasti flagrant është zbuluar në Bashkinë e re të Vorës.

Policia bllokoi disa furgonë me 25 kuintalë miell që i përkasin kompanisë tregtare të kandidatit të PD-së në këtë Bashki, Fiqiri Ismaili. Sasia e konsiderueshme e miellit, sipas faturave tatimore nuk ishte destinuar në asnjë kompani që tregton mallra me shumicë. Asnjë furrë buke në Vorë nuk ka bërë një porosi të tillë dhe në dokumentet e shitjes figuron vetëm një blerës që e merr mallin me gjysmë çmimi. Se çfarë mund të bëjë një familje me 25 kuintalë miell është pak e çuditshme për t’i dhënë një përgjigje të logjikshme, por një sasi e tillë që shpërndahet në fshatrat e Vorës ka vetëm një kuptim: miell për vota. Kështu u shprehën dje për “Koha Jonë” drejtues vendor të LSI, ndonëse kandidati i djathtë tha se kjo është luftë politike e mirëfilltë.

Dyshimet shtohen edhe më shumë nëse i referohemi çmimit që “Agro Blend” ka aplikuar në shitje për individ, pra për konsumatorin final që është 23.4 lekë në faturat e zbuluara. Ky çmim është disa herë më i ulët, krahasuar me çmimin mesatar të konsumit publikuar nga Instituti i Statistikave në muajin mars që është 159.7 lekë për kg, duke shtrembëruar konkurencën dhe deklaruar më pak për buxhetin e shtetit.

Por veç konkurencës në biznes, duket se është shkelur dhe një konkurencë më e rëndësishme, ajo e një fushate të ndershme. Historia e votave në këmbim të miellit, vajit apo produkteve të tjera, si dhe blerjes së tyre me lekë është një nga më të ndyrat në fushatat elektorale shqiptare. Në zgjedhjet e para të viteve ‘90 edhe me gjithë varfërinë ekstreme të qytetarëve, askush nga partitë nuk e uli aq poshtë pazarin duke këmbyer votën me miell. Madje dhe votuesit kishin më shumë dinjitet dhe më shumë respekt për të drejtën e votës. Zgjedhjet mund edhe të vidheshin,por blerje votash për një copë bukë ka pasur shumë pak,ose aspak. Pushteti dhe deputetët edhe mund të kërcënonin zgjedhësit për vota, por pazare votash bastarde si për gjënë e gjallë nuk ishin kthyer në epidemi. Fenomeni u bë vrasës i demokracisë pas vitit 1997 dhe mielli si mall këmbimi për votën doli në zgjedhjet e vitit 2001. Më pas, mekanizmi i vjedhjes së votës u perfeksionua edhe me kurs këmbimi monetar. Kjo i ka sjellë zgjedhjet shqiptare në pikën kur diskutohet se vota kushton 30 mijë, 40 apo dhe 50 mijë lekë të vjetra. Komentet mund të jenë të ndryshme, si mosfunksionimi i shtetit, mosfunksionimi i strukturave që monitorojnë zgjedhjet, megjithatë ky model tregu i votës është vetëm një turp kombëtar. Një nga ato ngjarje që e klasifikojnë Shqipërinë në vendet e botës së tretë. Shqipëria quan si arritje se është anëtare e NATO-s dhe kandidate për në Bashkimin Europian. Çfarë vlere kanë gjithë këto procese kur shoqëria dhe politika ka mbetur në nivelet, kur e blenë votën në mënyrën më të shëmtuar dhe në mes të ditës?

Një fakt i tillë i blerjes së votës vë në pikëpyetje gjithë sistemin që kemi ndërtuar përgjatë 25 viteve. Sepse rezulton se partitë, ligjet dhe çdo gjë që e quajmë sistem demokratik është vetëm një fasadë. Në fund, çdo gjë llogaritet me një thes miell, apo me 40 mijë lekë për një votë. Kaq kushton demokracia?! 30 mijë lekë të vjetra mbarojnë shumë shpejt, me një thes miell një familje mund të shtyjë ca vakte. Më pas u mbetet të “hanë” çorbën e keqqeverisjes të gatuar me miellin e kandidatëve. Në fund të fundit, kontrata politikan-votues përfundon kur mbaron mielli.

Kjo është epidemi shqiptare dhe duhet ndaluar me çdo çmim. Është turp, është krim, është mungesë dinjiteti se si mundet që vota të këmbehet me një thes miell apo të shitet. Njeriu e ka në dorë me votën e tij të ndryshojë jetesën, porse nëse e shet nuk ka më asnjë të drejtë të ankohet.

 

 

SHKARKO APP