NJË ZË I PAVARUR MBI ECURINË E EKONOMISË SONË

Përmbledhje e mendimeve të shprehura nga drejtuesi i misionit të FMN për Shqipërinë në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës

***

Pas miratimit të këstit të dytë dhe të tretë të programit të ndihmës për Shqipërinë prej 53 milion eurosh, Nadeem Ilahi sqaron për Zërin e Amerikës se ky fond shkon në pjesën më të madhe për financimin e buxhetit dhe është në dorën e qeverisë të vendosë se ku do t’i përdorë.

Në përgjigje të pyetjes për vlerësimin e ecurisë ekonomike të vendit gjatë 2015-ës, Drejtuesi i Misionit shprehet se Shqipëria pas një viti reformash të qeverisë po tregon shenja të qarta se ekonomia po mëkëmbet – Kjo shihet jo vetëm në shifrat e rritjes, por edhe në besimin e biznesit: konsumi po rritet, ka një rigjallërim të aktivitetit ekonomik. Ai shton se rritja me rreth 3 përqind për këtë vit, është e realizueshme, se reformat strukturore kanë ecur mirë, si në fushën e taksave, të sektorit financiar ashtu edhe në fushën e menaxhimit të financave publike.

Lidhur me pyetjen se nëse këto politika të stabilizimit të parametrave makro-ekonomikë po dëmtojnë ekonominë, Ilahi argumenton se pyetja që duhet të bëjmë është çfarë do të ndodhte nëse nuk vendosnim politika të tilla, duke ditur çfarë ka ndodhur me vende të tjera dhe me Shqipërinë kur ka patur mungesë të qëndrueshmërisë së buxhetit, defiçit e borxh të lartë, një barrë që u kalon brezave të ardhshëm. Ndërsa ekonomia po mëkëmbet mirë, ajo po operon nën potencialin që ka dhe FMN tregohet e kujdesshme që politikat fiskale të jenë të tilla që ekonomia të bëjë kthesë dhe disbalancat e krijuara për shkak të borxhit të eliminohen.

I pyetur për ndikimin që ka tek rritja ekonomike rritja relativisht e ulët për vitin 2014 e Eksporteve ku bie në sy ulja e prodhimit të naftës për shkak të rënies së çmimeve në tregun global, Ilahi thotë se çështja e eksportit është e dyanëshme, duke patur nga një anë shëmbullin e naftës, prodhimi dhe eskporti i së cilës ka rënë, por nga ana tjetër, eksportet e tjera, si ato të tekstileve që janë rritur. Ka shumë gjëra që duhen bërë për të përmirësuar mjedisin e biznesit e rritur investimet në këto aktivitete, si çështja e së drejtës së pronës që paraqet pengesa për investime afatgjata. Raporti i fundit “Të bësh biznes” tregoi se ka përmirësim…; investitorët mund të shohin se ka stabilitet makro-ekonomik, rritja ekonomike po shtohet, dhe megjithëse Evropa është e dobët ekonomikisht ka vende të tjera ku mund të eksportohet.

Përsa i përket taksës mbi karburantet dhe pyetjes se a ishte kjo qasja e duhur nga ana e qeverisë, pikëpamja e FMN-së sipas drejtuesit të misionit është se në mënyrë që Shqipëria të pakësojë borxhin duhet të mbajë nën kontroll deficitin duke rritur të ardhurat ose duke pakësuar shpenzimet qeveritare. “Shqipëria tradicionalisht ka patur shpenzime qeveritare mjaft të ulta në raport me GDP-në, ndoshta më të ultat në Ballkan. Pra ka shumë pak vend për të shkurtuar shpenzimet. Dhe kur të ardhurat janë gjithashtu të ulta në krahasim me GDP-në, duhet të diskutonim me qeverinë për të patur kursime dhe ata zgjodhën taksën mbi karburantin që është një instrument i përdorur zakonisht dhe çmimet e naftës ranë.” Lidhur me pyetjen se përse në Shqipëri rënia e çmimit nuk u reflektua më shpejt dhe në masë më të madhe, Ilahi mendon se mund të ketë një lloj shtrembërimi në treg, apo struktura marketingu që nuk lejojnë luhatjen e çmimit, por kjo do të jetë një çështje që do të shikohet me kujdes gjatë misionit të ardhshëm.

Për reformën e energjisë elektrike, Ilahi mendon se kemi një element më të madh barazie, pasi tani çdo njeri që konsumon duhet të paguajë që sistemi të funksionojë, ndërsa më parë sistemi nuk funksiononte. Natyrisht që kjo është një barrë, por me rritjen e ekonomisë dhe të punësimit, njerëzit do të kenë një farë lehtësimi nga të ardhurat për të paguar.

Lidhur me informalitetin, Ilahi mendon se futja e sistemit të pagimit të taksave online e përmirëson mjedisin për taksapaguesit, e ul barrën për ta dhe pakëson mundësinë për korrupsion.

Përsa i përket nivelit të investimeve në 2014 , Drejtuesi i Misionit të FMN sqaron se shifrat tregojnë që investimet nuk janë aq të ulëta sa u mendua, pasi në fund të vitit gjërat u shpejtuan.

I pyetur për nivelin e kreditit në Shqipëri, Ilahi thotë se FMN sheh shenja të rritjes së besimit e rritje të kërkesës për kredi si dhe pret të ketë trysni nga sektori privat për të kërkuar më shumë kredi.

Lidhur me Bankën e Shqipërisë dhe Guvernatorin e ri, ai mendon se ky është një fillim i ri duke shtuar më tej se u ka lënë mbresë cilësia e personelit të Bankës, për nga mënyra se si i bëjnë politikat, se si e shohin stabilitetin e sistemit financiar, duke e cilësuar Bankën e Shqipërisë si një institucion shumë profesional dhe kompetent, që e realizon kontrollin e inflacionit me shumë sukses, gjë që nuk është e lehtë, kur në Europë ka vende më të zhvilluara që e kanë të vështirë kontrollin e inflacionit. Në historinë e Shqipërisë ka disa suksese dhe Banka e Shqipërisë është një prej tyre.

Lidhur me korrupsionin dhe perceptimin për nivelin e tij në Shqipëri, Ilahi e konsideron si fenomen që vjen nga qeverisja jo e mirë, nga mungesa e transparencës dhe e profesionalizmit, të gjitha këto aspekte të punës ku FMN po punon me qeverinë. Si një shembull pozitiv të këtyre përpjekjeve, Drejtuesi i Misionit sjell rastin e borxheve të prapambetura ku së bashkë me qeverinë u ngrit një sistem transparent me anë të të cilit procesi po zhvillohet me shqetësime minimale. Ai është transparent dhe nën mbikqyrjen publike. Ky lloj të vepruari është zgjidhja më e rëndësishme për problemin e korrupsionit – përfundon Ilahi.

SHKARKO APP