Njeriu me tre lapsa në xhep, që nuk e do lapsin
Eshtë një paradoks i rrallë ai i shfaqjes së kryeministrit Rama në Paris. Vendosja e lapsave me ngjyrat e flamurit francez si homazh ndaj Charlie Hebdo dhe lirisë së shtypit dhe, nga ana tjetër, mungesa e gazetarëve të shtypit të shkruar shqiptar në përcjelljen e ceremonisë së Parisit. Vërtet që lapsat tringjyrësh ishin një gjetje elegante që e dalloi kryeministrin tonë, por kjo vetëm mbi xhaketë, sepse nën të, kryeministri nuk ka asnjë lidhje me lapsin, me shkrimin. Madje nuk i do fare ato.
Duke e njohur Edi Ramën përtej atraksionit ekzotik që ai u provokon mediave të huaja, gazetarët në Shqipëri e dinë raportin e tij me lirinë e shtypit dhe varësinë fizike ndaj imazhit. Mbi xhaketën e tij do të kishin shkuar më së miri, tre stema kamerash, logot e facebookot, simbolet e selfiet ose objektivët e aparatëve fotografikë, por jo lapsi. Sepse lapsi nënkupton edhe përmbajtje, mendim, kritikë, vërejtje, koncepte këto të huaja për kryeministrin shqiptar.
Paradoksin e lapsave e ilustroi vetë Edi Rama, i cili ishte kujdesur që në grupin mediatik që e shoqëronte të kishte vetëm përfaqësues të mediave vizive. Imazhi, djalë, imazhi! Ky është shqetësimi i kryeministrit. Pamjet nga ceremonia, fotot duke vënë lule, shtërngimi i duarve me Hollande, këto u duhen treguar shqiptarëve dhe kaq. Nuk ka nevojë për tekst, për reflektim aq më pak për shkrime apo diskutime për shfaqjen shqiptare që u dha në Paris.
Dikush tha që Rama nuk kishte ftuar në Paris asnjë nga gazetarët kritikë me të. Në fakt, kjo mund edhe të jetë e vërtetë, por e vërteta tjetër është se ai ndoshta as këtë nuk e ka menduar. I janë dashur vetëm televizionet, vetëm ekranet, vetëm imazhi. Prandaj është kujdesur që në delegacion të ketë përfaqësues nga 6 televizione dhe asnjë nga shtypi i shkruar. Kjo shpjegon edhe faktin që edhe gazetarë relativisht pozitivë me të, por që i përkasin shkrimit, si Mero Baze, Andrea Stefani, Skënder Minxhozi ose Lorenc Vangjeli apo drejtues gazetash si Zheji, Rakipllari, Tela, etj nuk ishin pjesë e delegacionit shqiptar. Secili prej tyre që do të ulej të shkruante do mendohej paraprakisht, do të duhej edhe kohë për tekstin, e më pas faqosjen dhe publikimin, ndërsa kryeministrit i duheshin ekranet sa më shpejt. Të cilat i mbyti me kronikat e lapsave të tij, ku asgjë nuk shkruhet por vetëm përcillet.(lapsi.al)