Nuk gjendet Ambasador për te Papa Françesku!

Presidenca dhe Ministria e Jashtme nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët për të vendosur një diplomat që do të shërbente në këtë vend, e kjo ka  sjellë krijimin e një vakuumi të pajustifikueshëm. Shqipëria ka ambasadorë në gati 55 shtete dhe i vetmi ku mungon një përfaqësim dinjitoz është Vatikani. Një mungesë e tillë, për ata që e njohin diplomacinë dhe rëndësinë që ka një shtet i fuqishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare si Vatikani, është e pafalshme. Që prej vitit 1991, kohë në të cilën janë rivendosur marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë, kjo është mungesa më e gjatë dhe aspak e justifikuar. Mungesa e ambasadorit u bë edhe më e dukshme me rastin e vizitës historike të Papa Françeskut në Tiranë. Zyrtarët tanë vunë në dukje marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Vatikanit, rolin që ka luajtur Vatikani në momentet historike të Shqipërisë, si dhe rëndësinë që ka thellimi i bashkëpunimit për çështje si Kosova, etj. Por çfarë vlere kanë qëndrime të tilla, kur pala shqiptare nuk ka bërë as minimumin në raportet diplomatike? Si pretendohet që Vatikani t’u kushtojë më shumë vëmendje çështjeve të Shqipërisë, kur ne nuk kemi as elementin bazë që garanton raportet mes dy vendeve, pra ambasadorin e emëruar, ndonëse Ministria e Jashtme dhe Presidenca, mund të justifikohen se “Papa erdhi dhe e pritëm mirë!”. Nuk ka asnjë justifikim nga asnjëri prej institucioneve kushtetuese të Shqipërisë.

Historia e vendit vakantit të ambasadorit zë fill pas mbarimit të mandatit të ambasadorit Rrok Logu. Ambasadori u largua në përfundim të misionit të tij në vjeshtën e vitit të kaluar. Që nga ajo kohë, mazhoranca e re dhe Presidenti nuk kanë rënë dakort për asnjë kandidaturë të pranueshme nga të dy palët. Ardian Ndreca ishte kandidati që Ministria e Jashtme dorëzoi në Presidencë për dekretim pak muaj pas ardhjes në pushtet në vitin 2013. Ndreca është një emër i njohur i publicistikës shqiptare. Por ajo që e penalizoi dekretimin e tij është pikërisht publicistika. Një shkrim i bërë dikur në adresë të Presidentit, ku nuk mungonin etiketimet fyese, sipas vetë kreut të shtetit, ka bërë që emri i Ndrecës të mos marrë miratimin me dekret. Pas disa muajsh në sirtarët e Presidencës dhe pa asnjë shans për përgjigje pozitive, Ministria e Jashtme bëri një lëvizje inatçore, pa u munduar të gjejë një gjuhë të përbashkët me Presidentin e Republikës. Në muajin maj të këtij viti, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e emëroi Ndrecën të Ngarkuar me Punë në ambasadën tonë në Vatikan. Mazhoranca tregoi se pavarësisht qëndrimit të Nishanit, nuk hiqte dorë nga i zgjedhuri i saj, ndonëse ka të drejtë sipas kreut të diplomacisë, në përzgjedhjen e emrit. Në këtë rast, Ministria e Jashtme e nisi për në Romë Ardian Ndrecën, por nuk zgjidhi realisht problemin. Në hierarkinë diplomatike, i Ngarkuari me Punë është një funksionar dytësor i një ambasade, që më shumë merret me anën ligjore e procedurale dhe jo me drejtimin e ambasadës. Ambasadori është figura kryesore që përfaqëson shtetin dhe mungesa një diplomati me këtë rang të lartë diplomatik , më e pakta, merret  si shenjë mungesë respekti dhe interesi për shtetin përkatës. A është diplomacia jonë e painteresuar për të pasur marrëdhënie sa më të mira me Vatikanin? Sigurisht që jo, por fakti që ky emërim i është lënë në bazë të humorit të ditës së politikanëve, mund të sjellë pasoja nëse kjo çështje vazhdon akoma pa dekretim presidencial.

Emërimi i Ndrecës si i Ngarkuar me Punë është bërë me qëllimin për t’i lënë kohë të reflektojë kreut të shtetit lidhur me këtë kandidaturë, shprehen në Ministrinë e Jashtme shqiptare. Por dy ditë më parë, në emisionin “Top Story”, Presidenti  Nishani tregoi se nuk kishte ndërmend të bënte asnjë lëshim në këtë pikë. “Në rastin e kandidaturës në Vatikan, njerëzit sot janë aq të lirë sa të bëjnë ofendime, por ka qenë çështje e denigrimit të institucionit të kreut të shtetit. Një njeri i tillë nuk ka të drejtë morale që të përfaqësojë shtetin dhe Presidentin në arenën ndërkombëtare”,- tha kreu i shtetit. Pra, Presidenti nuk heq dorë nga mosdekretimi i tij. Mund të ketë të drejtë apo jo, kjo kërkon debat, ashtu sikurse edhe vendimi i ministrit të Jashtëm për ta  emëruar si “i ngarkuar me detyrë”, por sinqerisht, që nuk është serioze për shtetin shqiptar, se nuk bie dakord për të gjetur një emër të gjithëpranuar nga palët për Ambasador fuqiplotë në Vatikan. Ardhja e Papa Françeskut ishte një gjë e shkëlqyer që na e rriti prestigjin në botë si Shqipëri, ndaj nuk ka përse të mos përfaqësohemi me ambasador të rënë dakort mes Ekzekutivit dhe Presidencës. Mund të kenë debate dhe mosrënie dakord për ndonjë ambasadë tjetër, porse pikërisht për në Vatikan, në kryeqendrën botërore të katolicizmit, duhet patjetër të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit Qeveri-Presidencë.

Historia e marrëdhënieve mes Ministrisë së Jashtme dhe Presidencës mund të interpretohet dhe si pjesë e konflikteve politike. Por në këtë rast, tekat politike apo qejfmbetjet personale nuk po dëmtojnë Ministrinë e Jashtme dhe as Presidentin, por pikërisht interesat e Shqipërisë. Kreu i shtetit të Vatikanit që është dhe numri një i Selisë së Shenjtë, Papa Françesku, me ardhjen në Tiranë i bëri një supernder Shqipërisë jo vetëm në aspektin shpirtëror, porse edhe diplomatik e shumë e më shumë, në interesin turistik. Vizitën e Papës e ndoqi e gjithë bota dhe falë mikëpritjes shqiptare ku u derdhën katolikë, myslimanë, bektashinj dhe ortodoksë në bulevard për ta parë e përshëndetur; Shqipëria për atë ditë u bë kryelajmi botëror.

Fill pas kësaj, nuk i kushtonte asgjë Kryeministrit dhe Presidentit të takoheshin jo vetëm për punë të tjera, por edhe për një emër që ta dërgonin ambasador në Vatikan.

Deri dje nuk e kanë bërë. Mesa duket, edhe viti 2014 kështu do të mbyllet.

 

SHKARKO APP