Nuk ka konsensus, por thyerje turinjsh

 

Seanca e djeshme e Kuvendit u quajt e jashtëzakonshme për shkak të rëndësisë që kishte miratimi i ligjit për kontrollin e gjyqtarëve. Ligji i njohur me emrin Vetting u miratua me 88 votat e mazhorancës PS, LSI dhe PDIU. Opozita bojkoti punimet e Kuvendit me argumentin se ligji binte ndesh me Kushtetutën. Pas konsensusit të 21 korrikut opozita dhe mazhoranca u kthyen në ritualin e përballjeve të zakonshme dhe akuzave të ashpra, madje deri në kërcënim.

Fillimisht ishte ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili në fjalën e mbajtur për ligjin e cilësoi si një projekt personal të Edi Ramës për kontrollin e drejtësisë. Ish-Kryeministri tha se me projektin e kontrollit të njerëzve të sistemit të drejtësisë, gjyqtarët dhe prokurorët do të kontrollohen nga drejtorët e institucioneve që janë në varësi të Ramës. Berisha tha se, ligjet e reformës janë bërë nga Edi Rama dhe jo nga të huajt. Ndërsa kërcënoi hapur se ashtu si në rastin kur drafti i parë i reformës u kthye pas nga Venecia edhe këtë herë opozita do e detyrojë Ramën të tërhiqet. “Ke bërë dy vjet përpjekje dhe më vjen keq që të flas kështu, por t’i kemi thyer turinjtë siç e kemi dashur dhe prapë do të t’i thyejmë turinjtë, ty, se i bën ti këto e jo të huajt. Kemi bërë dy vjet punë e t’i rrëzojmë kështu? E kemi fiksuar në Kushtetutë që vetting-un do e bëjë BKH. Hajdeni pra zotërinj që të bëjmë ligjin e BKH dhe të votojmë BKH dhe të bëjmë siç thotë reforma. Po tani vetting-un doni ta bëni me sekretarin organizativ të Partisë Socialiste apo drejtorin e statutit të PS”,- deklaroi ish-Kryeministri Sali Berisha.

Tonet e ashpra të ish-Kryeministrit detyruan edhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta që t’i kujtonte Berishës se duhet të ruante etikën. Por nuk ishte vetëm ish-Kryeministri ai që foli me tone kërcënuese. Kryeministri Edi Rama, në fjalimin para votimit të ligjit i kujtoi Berishës së do të vijë dhe dita kur ai do të përballet me drejtësinë, duke thënë mes rreshtave se do të jesh prapa hekurave. Ai tha se skema e re e sistemi të drejtësisë do të prekë jo vetëm gjyqtarët, por edhe ata që mbajnë fjalime në Kuvend. I tregoi burgun edhe pse fjalën burg këtë herë nuk e përmendi. “Të preken, të përvëlohen se nuk do t’i marri malli shqiptarët për asnjërin prej tyre, e nuk do t’i vijë keq asnjë shqiptari që u prekën apo u përvëluan këto ferra që e kanë bërë të pamundur marrjen e drejtësisë në Shqipëri për kaq shumë vite dhe dhënien e drejtësisë për ndokënd që vjen këtu e vazhdon mban fjalime i bindur se nuk do vijë kurrë dita”,- tha Kryeministri Edi Rama duke deklaruar se ligji do të kalojë vetëm me votat e mazhorancës.

Ky fjalim i dha fund debatit për gjetjen e konsensusit mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Votimi në Kuvend ishte vetëm një procedurë që testoi votat brenda Partisë Demokratike. Deri në minutën e fundit u fol për një rrjedhje votash nga selia blu. Për shkak të qëndrimeve të shprehura me herët, deputetët Eduard Selami dhe Majlinda Bregu pritej t’i bashkoheshin shumicës në votimin e ligjit të vetting-ut. Por në momentin e votimit, edhe deputetët që njihen si kundërshtarë të Bashës u larguan nga salla bashkë me kolegët e tjerë. Të njëjtat parime që përdorën gjatë kohës kur duhej votimi i ndryshimeve kushtetuese vlenin dhe për ligjin e vetting-ut. Megjithatë, nuk morën pjesë në votim asnjë prej deputetëve të PD-së, të cilët kishin bërë flirt me Ramën nëpërmjet një ambasade të huaj. Duket se votat e tyre këtë herë nuk i duheshin as Edi Ramës, përderisa LSI-ja ishte shprehur në mënyrë të qartë që në fillim për votimin e domosdoshëm të ligjit.

Këtë herë nuk pati as tentativa dhe as kërkesë për konsensus. Në vend të negociatave palët nxorën shpatat. Edi Rama është mjeshtër për ta provokuar opozitën dhe e bën bukur. Por deri kur? Tashmë po vjen vjeshta dhe opozita nuk ka alternativë tjetër veçse protesta.

Duket se përballja po ofrohet mes palëve. E shumta edhe 10 muaj mbetën!

SHKARKO APP