“Nuk ndalohet Ezopi që të flasë”-shkruan Çupi në 1993. Po tani që Rama po kyç gojën e “Ezopit”!?

Ligji kundër shpifjes miratuar nga kryeministri dhe parlamenti monist, u kthye me vendosmeri nga Presidenti Meta. Por duket se Rama do ta kalojë prapë në parlament, ndonëse ka të gjithë kundër; mediat vendase, organizatat ndërkombëtare të lirisë së medias, Këshillin e Europës, OSBE, etj.

Por, dikur Edi Rama kur ishte në “Koha Jone” ka duartrokitur shkrimin e Frrok Çupit botuar në 27 nentor 1993 në “Koha Jone”.

Le të ribotojmë shkrimin në fjalë të vitit 1993 dhe të kuptojmë sa prapa jemi kthyer në lirinë e medias.

Nuk ndalohet Ezopi që të flasë

-Duke dalë nga seminari për ligjin për shtypin dhe duke u menduar-

Nga Frrok Çupi

(shkrim botuar në gazetën “KOHA JONE” me 27 nentor 1993) 

Ja pra cila na qenka e gjitha, e gjitha e ligjit për shtypin, e analizuar në më të thjeshtën dhe në më të vërtetën udhë të arsyes:

  • Ligji tashmë u bë, u bë, u miratua dhe është gati të godasë gazetën e parë ose gazetarin e parë. Ky seminar ndoshta ishte menduar vetëm si një ceremoni e fundit paqësore para betejës.
  • Por cilin do të godasë ligji? Mos vallë mendon se do të godasë gazetarët e shtypit të pushtetit dhe të partisë në pushtet?

Naivitet!

Të parin, të dytin e të dhjetin, ky ligj do të godasë shokët e mi opozitarë. Por të parin do të godasë ata që guxuan më 5 Janar 1991, dhe krijuan gazetën e parë opozitare, modelin e parë të shtypit demokratik e të lirisë së shtypit në Shqipëri. Censura që nuk e bëri dot hakmarrjen atëherë, e bën tani. Pastaj do të godasë opozitarët e sotëm, duke u kthyer përsëri tek ideja hakmarrëse kundër opozitës e Dhjetorit 1990.

Në seminar foli edhe përfaqësuesi i ligjit gjerman. Në mes të tjerave ai tha se shteti politik shqiptar i ka bërë disa shtesa ligjit të vërtetë gjerman dhe këto shtesa kanë karakter represiv.

Ai e tha, vetëm e tha. Kaq është detyra e tij. Nesër avioni niset për në Gjermani. Ligji është për ne, shteti është këtu dhe punët tona janë këtu. Avokati shqiptar Ngjela i tha gjermanit një frazë të shkurtër: “Ju duhet të bëni diçka që ta largoni nga nderi i Gjermanisë këtë emër të keq, sikur ligji represiv po na vjen që andej. Ndryshe të burgosurit e nesërm do të thonë se na burgosën ligjet e Gjermanisë. Ashtu si të burgosurit e deritanishëm kanë thënë se na burgosën ligjet e Ukrainës”.

Pra çfarë do të bëjmë?

Në këtë pozitë jemi: Gazeta duhet. Ligji është përballë. Edhe dënimi ja ku është. Megjithatë gazeta duhet. Ç’të bëjmë?

Nuk ka asgjë të pamundur. Unë shoh një rrugë të hapur. Rruga për shtypin ku nuk mund të mbyllet. Ndoshta këtë rrugë të hapur nuk e kanë parë ata që kanë bërë ligjin. Por edhe sikur ta kenë parë dhjetë herë nuk do ta kishin mbyllur dot. Ajo është një rrugë shumë e vjetër. Askush nuk mund ta ndalojë Ezopin që të flasë. Askush nuk mund ta ndalojë shtypin që të shkruajë e të flasë me gjuhën e Ezopit. Ja, pra kjo është rruga e hapur, nën çfarëdo ligji qoftë.

Por çfarë do të bëhet praktikisht.

E para, shkolla nën censurë është shumë e njohur dhe e dobishme.

Për pesë dekada me radhë gazetarët shqiptarë, si dhe njerëzit e tjerë të letrave punuan, shkruan e folën nën një censurë tepër të ashpër. Askush nuk mund të thotë se ata nuk bëjnë gazetari dhe letërsi, madje shpesh me nivele të mrekullueshme, cilësore. Pra edhe nën atë censurë, shkolla e letrave, ndër to edhe e gazetarisë, nën censurë është një shkollë shumë e njohur dhe e praktikueshme lehtë për gazetarët shqiptarë. Kjo nuk ka dyshim. Sa e sa gazetarë të mësuar e praktikuar në shkollat e shtypit të lirë në Europë mbasi Shqipëria u hap, kanë mbetur të befasuar para sforcës së gazetarëve tanë për të përballuar koracën e censurës. Këtë e kanë bërë kryesisht nëpërmjet shembullit të Ezopit shumë të lashtë. Pra për gazetarët e vjetër profesionistë nuk është ndonjë hall i madh e i pakapërcyeshëm vendosja e një ligji censurues për shtypin. Thjesht detyrohesh të kthehesh tek praktika e para dy-tre vjetëve për të thënë të vërtetën. Madje shumë gazetarë të vjetër i ka marrë malli që të shkruajnë në atë stil!

E dyta: disa do të humbasin. Por cilët? Do të humbasin gazetarët dhe gazetat e pushtetit.

Pse do të humbasin ata? Së pari do të humbasin për shkak se do ta ndjejnë veten të lirët e vetëm. Se realisht do të jenë të lirë të përdorin edhe fyerjen, edhe akuzën, edhe të pavërtetën për t’i shërbyer partisë. Sikurse edhe ka ndodhur e po ndodh gjithë ditën sot. Mirëpo do t’i lerë kaq mbrapa sa janë, ose edhe më mbrapa se kaq në sensin profesional. Pse kërkojnë të përsosin stilin e mjeshtërinë, kur detyra kryhet lehtas.

Mirëpo kjo do të bëjë që gazetat e tyre të mos shiten. Nuk do të shiten po ku do të mbetet reputacioni? Ja që edhe për reputacionin nuk po pyesim, por me sa do te paguhen gazetarët? Sot i paguan shteti, ndoshta, por ama kjo nuk është principale dhe nuk mund të jetojë gjatë si metodë. Nesër?

Dhe së fundi do të vijë dita që këta të pozitës sot do të jenë opozitë nesër. Çfarë do të bëjnë gazetarët e mësuar nën një ligj të favorshëm vetëm për ta? Ata vetëm se do të mallkojnë shefat e tyre… Kjo është një fatkeqësi e për të ardhur keq, por edhe një humbje.

E treta; disa do të humbasin, po cilët?… Për fat të keq do të humbasë shumë brezi i ri i gazetarëve.

Këta janë duke u krijuar si një e ardhme e gazetarisë sonë. Këta janë duke u krijuar pikërisht sapo në mendjet e tyre dhe në sytë e tyre të bukur rinorë u shfaq liria e shtypit shqiptar. Mirëpo liria e vërtetë e shtypit nuk arrihet lehtë. Këtë e tregoi edhe ligji për shtypin, i cili ka dalë si një pengesë frikësues.

Tani po flasim për brezin më të ri të gazetarëve; të cilët panë me sytë e tyre se si u mbyll edhe gazeta e tyre rinore “Reporter”. Por nuk mund të flasim edhe për gazetarët e rinj që kanë nisur të punojnë nëpër gazeta. Praktikisht ata ndodhen nën një vështirësi të vërtetë. Ata ose shtrembërohen në qëndrimin e tyre profesional duke u bërë shërbëtorë të shefave e regjimit ose kthehen mbrapa nga rruga që kanë nisur si gazetarë. Është me të vërtetë një humbje e madhe.

E katërta: Disa do të humbasin… këta do të jenë vetë njerëzit e pushtetit politik.

Sepse nuk ka gjë më të rrezikshme se sa t’i vësh barrikadë lirisë së shtypit e të fjalës. Sa më shumë këto të vihen nën censurë aq më të mprehta bëhen ndaj censorit. Nuk kam ndërmend të përmend asnjë shembull tjetër veçse rolin e anekdotave. E ndalove fjalën e lirë në gazetë, nis anekdota. E ndalon dot ndokush anekdotën? Kurrë! E dimë të gjithë se sa e hidhur është anekdota. Kush nuk i mban mend anekdotat fantastike gjatë regjimit komunist e mungesës së lirë të shtypit. Ato qenë sa disa gazeta opozitare të hapëta, së bashku.

Dhe së fundi, vallë ne jemi të parët që hasim në shoqërinë e në shtetin që nuk e ka qejf oponencën? Jo! Ka pasur një mijë raste historia. Por edhe ka gjetur zgjidhjen e duhur. Njohësit e principeve të demokracisë e dinë shumë mirë definicionin që përdoret edhe në kohën kur shtypi e kapërcen etikën e lirisë së tij: Çfarë bëhet me këtë rast kur shtypi e tepron? Në këto raste thotë principi demokratik, “Qeveria duhet ta lerë edhe më të lirë shtypin”. Tekstualisht kështu thuhet, ndërsa po e mbylle rubinetin e lirisë, atëherë kjo të dërgon në humbje ty që e mbyll (Frrok Çupi)

SHKARKO APP