Mos e humb shansin, zoti Basha!
Takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta nuk ka sjellë një përgjigje përfundimtare për koalicionin PS-LSI, por ka çelur një rrugë të re për daljen e vendit nga kriza politike. Është mosfutja e opozitës në zgjedhje që pengon firmën PS-LSI, firmë e cila do hidhet nëse përballë ka opozitë.
Momentalisht para dilemave të aleancave para zgjedhjeve të 18 qershorit, ka një dilemë edhe më të madhe; a do të ketë zgjedhje? A do të jetë Shqipëria një vend normal, apo kaosi i zgjedhjeve pa opozitë do të destabilizojë shoqërinë dhe institucionet duke na çuar vite pas, gjë të cilën asnjeri nuk e dëshiron.
Ndërkohë opozita ka një skenar të rrezikshëm me protesta dhe thyerje kutish, fillimisht në Kavajë me 7 maj dhe më pas në gjithë vendin. Të dyja palët, PS dhe PD, gjenden në situatë lufte dhe nuk lëshojnë asgjë. Basha nuk heq dorë nga qeveria teknike dhe Rama që pranon të flasë në negociata për çdo gjë, por vetëm për qeverinë teknike, jo. Negociatat personale Rama-Basha kanë dështuar që pa nisur. Futja në lojë e Presidentit Nishani nuk dha efekt, për shkak edhe të afrimit të fundit të mandatit presidencial. Nëse situata lihet në këtë gjendje, me PD në çadër dhe PS në zgjedhje, e sigurt është vetëm përplasja. Ndaj për të gjetur rrugë konsensusi dhe ulje në tavolinë sot u takuan Meta dhe Rama. Por jo vetëm për këtë. Edhe për mënyrën se si do jetë koalicioni mes tyre, si do veprohet me emrin e Presidentit të Republikës.
Kreu i Kuvendit dhe kreu i LSI-së ka dhënë sot një rrugëdalje sesi palët mund të dalin nga llogoret e luftës dhe të arrijnë një marrëveshje. Natyrisht pas dakortësisë me Edi Ramën. Një marrëveshje që mund të pranohet nga të dy palët dhe që negociohet nga një faktor i tretë me peshë ndërkombëtare. Ilir Meta ka propozuar që rolin e negociatorit ta luaj Partia Popullore Europiane. Janë të shumta arsyet që e kanë çuar dyshen Rama-Meta të kërkojnë një zgjedhje të tillë. Së pari, PPE është organizatë e partive të djathta evropiane, ku PD-ja është anëtare më të drejta të plota. Futja në lojë e PPE dhe e komisionerit të BE, Han, heq çdo dyshim për rolin e ndërkombëtareve në negociata të tilla. Nëse PD ankohet jo pak herë për ambasadorët dhe diplomatët e huaj, nuk mund të ankohet edhe për PPE-në, ku është vetë pjesë e saj. Nuk mund të ankohet për komisionerin Hann që është i djathtë austriak dhe nuk ka asnjë lidhje me Edi Ramën dhe Ilir Metën.
Së dyti, suksesin e një negociate e përcakton serioziteti i negociatorit. PEE drejtohet nga Josepf Daul dhe ka brenda saj ministra dhe diplomatë të së djathtës evropiane që kanë ndikim në gjithë jetën politike të BE. Pjesëmarrja e diplomatëve të rangut ndërkombëtar i bën bisedimet më serioze dhe jep garanci për arritjen e një marrëveshje. Nisja e bisedimeve të tilla heq çdo dyshim për lojëra politike dhe skema lokale që mund të kryejnë ndërmjetësit vendas në Tiranë.
Me ofertën e bërë pas takimit me kryeministrin, Meta i ka dhënë Bashës një mundësi për të dalë nga çadra pa i shkaktuar humbje vendit dhe opozitës. Një ofertë dinjitoze ku palët të ulën dhe të negociojnë me ndërkombëtarët që do jenë garantuesit e marrëveshjes.
Rreth 60 ditë protesta në çadër dha efekt. PD-ja fitoi peshën e munguar si forcë e fortë opozitare këto vite. Basha, tashmë është lider i padiskutueshëm i PD dhe koalicionit opozitar dhe nuk ka më lëkundje të autoritetit në selinë blu. Nga ana tjetër, opozita rriti kuotat elektorale duke u “stërvitur” për 60 ditë në një fushatë elektorale të pashpallur. Edhe politikisht çadra e dha efektin te qeveria, duke e bërë më të përgjegjshme dhe më të kujdesshme në vendimmarrje. Pas 60 ditë protesta pa ndalim edhe Kryeministri Edi Rama në këto negociata do të tregohet më i kujdesshëm duke lëshuar në garancitë që kërkon opozita për standardet e zgjedhjeve. Në të gjitha rastet palët janë të detyruara të negociojnë dhe të ulen në dialog. Për Bashën kjo është mundësia e artë për të dalë kryelartë dhe të futet në betejën elektorale.
Ilir Meta ia hodhi “litarin” Lulzim Bashës për të kaluar lumin. I dha edhe Edi Ramës mundësinë për të dialoguar dhe për të firmosur siç do vendosin PPE dhe komisioneri Han, pasi të dëgjojnë palët.
Tani sejcili bën llogaritë e veta politike dhe elektorale. Eshtë koha finale për të lënë çadrën, gjithnjë nëse vendosin PPE-komisioneri Han-Rama-Meta-Basha. Natyrisht me garanci konkrete. Por edhe këtu vendos shumica e atyre që do votojnë në negociatat e rëna dakort nga palët. Nëse Basha refuzon edhe PPE dhe komisionerin e BE, Han, atëhere nuk ka më fjalë. Ato që duan le të shkojnë në zgjedhje. Sepse ka edhe një informacion se tre parti nga çadra do futen në zgjedhje, pas takimit PPE-Han-Rama-Meta-Basha.
Spiten Prulli
Prononcimi për median i Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta pas takimit me Ramën
Dëshiroj të theksoj se qëllimi kryesor i këtij takimi ishte rritja e përpjekjeve tona për të garantuar paprekshmërinë e votës së qytetarëve shqiptarë, si themeli i bashkëjetesës në një shtet dhe një shoqëri evropiane, që ka qenë një angazhim i kohës kur ne kemi qenë në opozitë dhe një angazhim kryesor i marrëveshjes së 22 prillit të vitit 2013 midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe me këtë rast vullneti për të nisur një dialog pa kushte që tani me opozitën dhe drejtuesit e saj legjitim.
Së dyti, kemi vendosur të vazhdojmë procedurat kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri, por pa paraqitur asnjë emër apo pa mbështetur asnjë kandidaturë, për të dialoguar dhe për të bërë përpjekje për konsensusin edhe me opozitën për çështjen e Presidentit, edhe pse kjo mazhorancë ka gati 90 vota në Parlament.
Së treti, duke e kuptuar vështirësinë e opozitës për të pasur besim, sepse çështja e mosbesimit është evidente dhe kjo është arsyeja pse dialogu ende nuk ka nisur, kemi vendosur që t’i drejtohemi zyrtarisht Partive Popullore Evropiane, ku dhe Partia Demokratike është anëtare, që të asistojë sa më shpejt të jetë e mundur në këtë dialog në mënyrë që ky ngërç të marrë fund sa më shpejt dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të lira, të qeta, demokratike dhe të ndershme.
Po kështu edhe procesi i integrimit evropian dhe i gjithë reformave të vijojë të jetë i suksesshëm në interes të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Dua të theksoj rolin shumë të rëndësishëm që Partia Popullore Evropiane ka luajtur përgjatë gjithë kësaj periudhe në mbështetje të integrimit evropian të Shqipërisë pavarësisht, se cilat forcat politike kanë qenë në pushtet apo në opozitë në vendin tonë.
Shpresojmë, dhe që sot do t’i drejtohemi Presidentit të Partive Popullore Evropiane, z. Daul, e njëkohësisht do të njoftojmë edhe Komisionerin për Zgjerimin në KE, z. Hahn, i cili ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ne gjatë kohëve të fundit duke u interesuar për zhbllokimin e kësaj situate, në mënyrë që procesi i dialogut të nisë sa më shpejt dhe të kemi një klimë krejtësisht tjetër nga kjo e sotmja, që nuk është e nevojshme.
Me këtë rast edhe një herë dua t’u kujtoj të gjithëve sa i rëndësishëm është bashkëpunimi dhe toleranca dhe natyrisht në këto kushte toleranca është vendimtare për të garantuar edhe zgjedhjet e lira dhe bashkëjetesën evropiane të vendit.
A do të rinovohet koalicioni me Partinë Socialiste sërish z. Meta?
Kjo nuk është çështja më e rëndësishme. Më e rëndësishme është ajo që thashë më parë dhe le të punojmë të gjithë sa më parë për këtë dialog. A ka mundësi ta zgjidhim këtë çështje që tani.
Po në raundin e parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të shkoni pa një kandidaturë?
Ne do të vazhdojmë procedurat kushtetuese, sepse jemi të detyruar për këtë çështje. Nuk do të paraqesim kandidaturë, sepse duam që vendi të ketë një President konsensual ose sa më konsensual të jetë e mundshme.
Sepse, pavarësisht se ne kemi gati 90 vota si mazhorancë, mendojmë që Presidenti duhet të jetë një figurë konsensuale ose sa më konsensuale dhe natyrisht për këtë mendojmë që është i domosdoshëm dialogu dhe bashkëpunimi me opozitën.
- Meta, a mendoni se mund të garantohet paprekshmëria e votës pa një qeveri teknike?
Nuk dua të hyj në çështje të tilla, besoj se këto ishin tre konkluzionet e këtij takimi.
A do zhvilloni një takim me z. Basha?
- Basha, në çdo kohë që ai do të dëshironte një takim, unë jam i hapur, por kam përshtypjen që z. Basha është në një situatë mosbesimi, ndaj mendoj që një angazhim zyrtar i një përfaqësuesi zyrtar të Partisë Popullore Evropiane do të ishte rruga më e mirë për të filluar sa më shpejt dialogun dhe për të zhbllokuar situatën sa më shpejt.