Oligarkë! Jepini leje kryeministrit Edi Rama të dorëhiqet urgjent

Edi Rama është i vetëdijshëm se e ka çuar vendin në krizën më të rëndë politike të 29 viteve të fundit, përjashtuar vitin 1997, kur situata ishte në luftë civile.

Rama është i vetëdijshëm se në një moment tjetër do të kishte ikur me kohë duke shtensionur situatën, por edhe duke dalë si lideri i kompromiseve dhe njeriu që nuk e djeg shtetin për hir të pushtetit.  Edi Rama, ose ajo pjesa e tij që ka mbetur nga intelektuali i dikurshëm, e di se sot po sillet njëlloj si Sali Berisha dhe Fatos Nano, të cilët dikur, i pari në vitin 96-97 dhe i dyti në vitet 2004-2005, e çuan vendin buzë greminës. Berisha në destabilitet kurse Nano në korrupsion. Ndërsa, për dreq, njeriu që i ka kritikuar edhe Berishën, edhe Nanon po bën si të dy bashkë, pra ka rritur varfërinë, ka prova, sipas opozitës, se bashkëpunon me krimin e organizuar dhe bandat e drogës duke blerë zgjedhjet, po shton korrupsionin qeveritar dhe nuk pranon të ulet për të gjetur zgjidhje me opozitën.

Përveç atyre të Berishës dhe Nanos, kryeministri po shkon drejt zgjedhjeve pa opozitën. Të paktën këtë nuk e kanë bërë Berisha dhe Nano. Edi Rama duhet të vendosë nëse do mbahet mend si kryeministri që zhvilloi zgjedhje në demokraci pa opozitën, si Ramiz Alia në vitin 1991. Por realisht ka një arsye të fortë që Edi Ramën e pengon të bëjë hapin e madh që do të shpëtonte atë dhe vendin. Kjo arsye nuk është Kushtetuta, për të cilën Rama thotë se gjasme nuk e lejon kryeministrin të lërë pushtetin, të shtyjë zgjedhjet e të zgjidhë krizën politike. Edi Rama ka kërkuar në vitin 2007 shtyrjen e zgjedhjeve vendore dhe ish-kryeministri Berisha ia pranoi kërkesën. Po atëherë a nuk u shkel kushtetuta? Apo më mirë që u shkel, se eliminuan përplasjen civile mes popullit opozitar dhe atij pro Berishës? Natyrisht me mirë, se njërëzit nuk u vranë me njeri-tjetrin.

Në opozitë dhe në pushtet, Edi Rama si politikan ka treguar se Kushtetua për atë është dokumenti më i parëndësishëm i shtetit. E tregoi këtë në vitin 2008, kur brenda pak orësh, u ul me Berishën dhe ndryshoi gjithë themelet e funksionimit të demokracisë, duke nisur nga kompetencat e Presidentit, sistemin elektoral të listave të mbyllura dhe deri te kthimi i republikës parlamentare në një republikë kryeministrore. E tregoi edhe në majin e vitit 2017, fiks dy vite më parë, mesnatën e 17 majit, kur shfrytëzoi momentin e dobët të opozitës së Lulzim Bashës dhe brenda natës ndryshoi Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, madje edhe ligjin për financimin e televizioneve kryesore private. Në 6 vite qeverisje, Gjykata Kushtetuese, aq kohë sa ishte në fuqi ku presidentët i kanë kthyer pas ligje dhe reforma që e rendisin Edi Ramën te atentatorët më të mëdhenj të Kushtetutës në qeveri. Ndaj sjellja si “dashnor” i Kushtetutës nuk i shkon politikanit Edi Rama që e ka shkelur më shumë se kushdo tjetër ligjin themeltar të shtetit. Arsyeja përse nuk ikën nga kryeministër nuk është kontrata që ka ai me votuesit dhe socialistët, siç thotë në konferencat për mediat. Socialistët janë ata që Edi Rama i ka pyetur më pak se këdo tjetër për mënyrën sesi po qeveris. Mjafton të shihni kabinetin qeveritar, grupin parlamentar dhe drejtorët që kontrollojnë gjithë shtetin, në asnjë vend nuk duken socialistët e vërtetë dhe të majtët, por një grup i ri që njihen si Rilindas. Këta të fundit nuk kanë lidhje as më të majtën dhe as më PS, janë vetëm interesaxhinjtë e radhës që i janë ngjitur pushtetit për përfitimet dhe lidhjet me një grup në PS, por jo me socialistët.

Atëherë kush e pengon Edi Ramën që të largohet duke shpëtuar veten, PS dhe shtetin? Përgjigjen e di vetëm një grup i vogël njerëzish, jo më shumë se 10 persona, që realisht kanë marrë në dorë, me anë të Edi Ramës, ekonominë, financat dhe gjithë strukturën e shtetit. Janë ata që në zhargonin medatik quhen oligarkë apo biznesmenë të mëdhenj, por në fakt janë dhe politikanët në hije që pushteti ekonomik dhe lidhjet me kryeministrin u japin të drejtë të bëjë biznes për fatin e një qeverie dhe shtetit. Janë ata që kanë aftësinë të marrin tendera, të rrjepin kur dhe si të duan buxhetin e shtetit, të shkarkojnë me SMS një ministër, të emërojnë drejtorë, të zgjedhin deputetë, të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve, madje siç treguan këto muaj, edhe të shpikin një opozitë të re nëse duan. Pushteti ekonomik dhe mediatik që Edi Rama u ka dhënë me të dy duart ka krijuar sot situatën më absurde në vend. Edhe nëse Edi Rama për një moment mendon të largohet dhe të heqë sikletin e një përplasjeje civile që do ketë firmën dhe emrin e tij, janë këta njerëz që nuk e lënë të ikë kaq lehtë. Nuk e lënë, jo sepse duan Ramën, ata kanë treguar se i “duan” njëlloj gjithë kryeministrat, por nuk e lënë sepse me Edi Ramën i kanë pazaret ende në mes. Janë shumë tendera që kanë mbetur rrugëve pa u mbyllur. Janë shumë koncesione që duhen marrë nga zyra e kryeministrit dhe Edi Rama ende u duhet. Dhe këto muaj për ata është momenti më ideal për të punuar, sepse sa më shumë është e rrezikuar qeveria aq më shumë ministrat dhe qeveria lëshojnë dorën me koncesione. Është një marrëdhënie e çuditshme kjo e këtij grupi oligarkësh me kryeministrin që adhuron koncesonionet si model ekonomik. Që Edi Rama të zgjidhë krizën aktuale duhet që oligarkët t’i japin leje të largohet, por atyre u duhet se ka akoma firma në favor të tyre.

Zoti Rama! Thirri arsyes dhe Edit të dikurshëm, që ishte shpuzë elektorale dhe motiv, ikur. Mos u mbaj mend si Rama i zgjedhjeve pa opozitën dhe që përsëriti vitin e keq 1997!

Qamil Xhani

SHKARKO APP