Oligarkët kontrollojnë gjithçka: biznesin, qeverinë, mafien dhe mediat!

Ditën e sotme ka ndodhur një nga ato ngjarje që faktojnë se media dhe biznesi kontrollohen nga një grusht i vogël njerëzish që kanë lidhje direke me qeverinë dhe nuk lejojnë të shfaqet asnjë zë kundër.

Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili doli këtë të hënë në ora 11 për të denoncuar vendimin skandaloz të qeverise për të ulur nga 15% në 8% tatimin mbi dividentin, madje edhe për vitet e mëparshme. Por menjëherë sapo u pa se për çfarë po fliste, edhe ato TV news qe e lidhën e shkëputën menjëherë konferencën e Vasilit nga selia e LSI. Ai denoncoi si ligjin e Ramës që binte ndesh me premtimet e veta elektorale: “Kush fiton më shumë, paguan më shumë”, po ashtu edhe procedurën antiligjore se si u kalua ai në parlament. Por askush nga shqiptarët nuk e pa këtë denoncim sepse ai u censurua nga TV-të që gjithashtu përfitojnë nga ulja e kësaj takse. Me siguri ai nuk do të ekzistojë dhe në lajme e mëtejshme të ditës sotme.

Denoncimi i kreut të deputetëve të LSI është një nga çështjet më të rëndësishme të ditëve të fundit. Me një vendim antikushtetues qeveria ka vendosur të shpërblejë një grusht biznesmenësh afër saj, duke u falur dhjetra milionë euro taksa. Skandali i qeverisë së majtë nuk ndalet vetëm me faljen e parave, por vijoi edhe me kalimin në seancë të ligjit brenda 48 orëve, pasi kreu i shtetit kishte kthyer ligjin.

Me censurimin e sotëm të fjalës së Vasilit, rezulton se një grup oligarkësh nuk kontrollon vetëm pushtetin dhe mediat, por është kthyer në një organizatë mafioze që nuk lejon t’i dalë asnjë zë kundër.

https://www.facebook.com/petritvasil/videos/319917248616622/

Deklarata e plotë për media e Kreut të Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili:

“Jemi këtu së bashku në këtë komunikim përsëri lidhur me skandalin e jashtëzakonshëm dhe të paprecedentë në 28 vjet të pluralizmit shqiptar, të votimit të falsifikuar dhe të mashtrimit të madh që ndodhi në Kuvendin e Shqipërisë në rrëzimin e dekretit të Presidentit që kishte lidhje me aktin më të turpshëm të qeverisë për uljen e tatimit mbi të ardhurat për oligarkët nga 15% në 8%. Edi Rama, i proklamuar si njeriu që do luftonte oligarkët shqiptarë dhe i cili do t`i bënte ata të paguanin më shumë, miratoi një ligj i cili ua ulte atyre gjysmë përgjysmë dhe i hiqte buxhetit të shtetit dhe financave të shtetit dhjetëra milionë euro, euro të cilat mund të përdoreshin për të zgjidhur problemet kritike shumë serioze dhe ç’njerëzore që me të cilat përballen studentët me kushtet e tyre të jetesës dhe të mësimit, por përkundrazi, zgjodhi tua bëj dhuratë atyre oligarkëve. Ju ftoj edhe njëherë që së bashku të ndjekim në pak sekonda se çfarë deklaronte Edi Rama, jo më larg se 7 muaj më parë lidhur me këtë çështje. Ju lutem ndiqeni pak sekonda deklaratën e Ramës 7 muaj më parë.

Lidhur me këtë skandal të konsumuar në Parlamentin e Shqipërisë, opozita kërkoi edhe në seancën plenare e datës 21, anulimin e menjëhershëm të këtij votimi dhe sot unë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, z. Edmond Spaho, jemi drejtuar me një letër shumë të qartë, ku i kërkojmë kryetarit të kuvendit të Shqipërisë anulimin e menjëhershëm të këtij votimi, votim i një dekreti, i cili ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për faktin se po bëhej një ulje krejtësisht e pajustifikueshme,e paligjshme që e kthente kryeministrin dhe Parlamentin thjesht dhe vetëm në argatë të oligarkëve, por njëherazi sepse ky dekret evidentonte dy shkelje madhore të Kushtetutës të nenin 155 të saj, që i jepte ligjit fuqi prapavepruese. Pra, i vinte në kondita krejtësisht të pabarabarta biznesmenët dhe njerëzit e biznesit, pasi ata që kishin shpërndarë dividendin do kishin paguar tashmë 15%, ndërsa oligarkëve, të cilët u bëri dhuratë, do paguanin pikërisht gjysmën e tyre dhe do kursenin dhjetëra milionë euro, të cilat do t`i ndanin sërish gojarisht me qeverinë e kusarëve. Njëherazi, Presidenti kishte zbuluar edhe një tjetër shkelje Kushtetute për hyrjen në fuqi të ligjit, pasi këta me ngutin e tyre të jashtëzakonshëm donin që ky ligj të hynte në fuqi që në 1 janar, në mënyrë që të rrëmbenin sa më shpejt paratë të cilat kishin negociuar së bashku për ti rrëmbyer. Jemi qartësisht në kushtet e një uzurpimi të parlamentit në mënyrë të turpshme, pasi qytetarët duhet të dinë që dekreti i Presidentit të Republikës ka arritur në 12:30 në zyrat e Kuvendit, në orën 7 në mënyrë hajdutshe dhe si hajna të vërtetë në një nga zgëqet e sallave të Kuvendit janë mbledhur komisioni përkatës duke mos ftuar as përfaqësues të Presidencës të cilët kishin prodhuar dekretin dhe në orën 11 të darkës, përsëri në mënyrë hajdutshe dhe fshehurazi pa njoftuar dhe pa miratuar asgjë në seancën plenare siç është rregulli, duke shkelur çdo normë dhe ligj që rregullon veprimtarinë e Parlamentit kaluan këtë akt të turpshëm brenda më pak se 12 orë. Këtu jemi në një situatë të paprecedentë të cilën ne do ta ndjekim, jo vetëm kaq por edhe Prokurorinë Shqiptare, pasi me këto veprime janë konsumuar dy vepra penale shumë të rënda, si element të shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit të paligjshëm mbi punonjësit për të realizuar pikërisht për mendimin tim dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të gjithë opozitës shqiptare këtë votim kriminal, pasi përfundimisht e ktheu sallën e kuvendit në një paradhomë të pisët të oligarkëve, shkatërroi Parlamentin, shkatërroi procedurat, dhunoi Kushtetutën dhe përfundimisht Shqipëria me aktin e ditës së premte, mund të konsiderohet një Republikë Parlamentare pa Parlament, pasi një Parlament që funksionon në kushtet e banditizmit, ku brenda 11-12 orëve në shkelje të çdo rregulli rrëzon akte, bën votime të paligjshme, për votime të cilat minimumi i detyrimeve parlamentare është që 48 orë para duhet të depozitoheshin dhe çdo deputet do kishte mundësinë të njihej me të, të diskutonte, të votonte, të ngrinte problemet e veta dhe e gjithë kjo bëhet vetëm dhe vetëm që oligarkët në datën e caktuar të rrëmbejnë paratë dhe po në atë datë hajdutët e qeverisë të marrin peshqeshin e tyre të majmë për këtë çështje. Ndaj, të gjithë qytetarët shqiptar me këtë akt të fundit kuptojnë më së miri arsyet se pse opozita ka ndërtuar një marrëdhënie të kushtëzuar me këtë Parlament të kapur dhe të dorëzuar në duart e krimit dhe oligarkëve, qëndresa jonë do të jete e palëkundur. Ne do t`i shkojmë të vërtetave deri në fund dhe personat përgjegjës do përgjigjen një për një këtu, në Prokurori. Do ta paguajnë deri në fund dhe me dënimet që parashikon edhe kodi përkatës i procedurës penale, në mënyrë që dënimi i tyre të bëhet një shembull për këdo që do guxonte të dhunonte procedurat e shtetit, të dhunonte Kushtetutën, të dhunonte rregullat e funksionimit të Parlamentit në një vend demokratik.

SHKARKO APP