Opozita e bashkuar vendos: Qeveri Tranzitore për në BE dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare
Takimi i Bashës dhe Kryemadhit me partitë opozitare ka një platformë e cila është e ngritur në 4 shtylla kryesore.
Përveç krijimit të koalicionit, partitë bien dakord se Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie Tranzitore, e cila duhet të ketë mandat për 4 çështje kyçe.
Partitë parlamentare të opozitës kanë rënë dakord për një platformë bashkëpunimi, e cila institucionalizon koalicionin opozitar për zgjedhjet e ardhshme.
Platforma është e ngritur në 4 shtylla kryesore. Përveç krijimit të koalicionit, partitë bien dakord se Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme është formimi i një Qeverie Tranzitore, e cila duhet të ketë mandat për 4 çështje kyçe:
1. Kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
2. Krijimin e kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlamentare dhe vendore në Shqipëri, përmes dhënies fund të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, oligarkia dhe korrupsioni i lartë shtetëror; realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, presionit mbi median, si dhe eliminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje;
3. Krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike;
4. Krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo Reforme të nevojshme për këtë qëllim.
Duke rikonfirmuar vullnetin se Integrimi Europian është prioritet kombëtar, koalicioni i opozitar shpreh gatishmërinë e plotë për të ndërmarrë çdo hap që bën realitet këtë prioritet.
Partitë e koalicionit opozitar po kështu shprehin vendosmërinë për të ndërmarrë çdo aksion politik, institucional apo ligjor për realizimin e kushteve që sigurojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe për t’i dhënë fund kapjes së qeverisjes dhe zgjedhjeve nga krimi i organizuar dhe paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.
Hapi i ardhshëm pas dakortësisë me partitë parlamentare të opozitës është përfshirja në këte marrëveshje e të gjitha partive të koalicionit opozitar që janë aktualisht pa përfaqësim parlamentar.
PLATFORMË BASHKËPUNIMI
I.Thellësisht të shqetësuar që prej kohësh Shqipëria ndodhet në kushtet e:
• Rritjes së varfërisë ekstreme dhe papunësisë, si dhe pasigurisë për jetën dhe pronën, gjë që ka sjellë braktisjen e Shqipërisë nga një numër jashtëzakonsisht i lartë i qytetarëve shqiptarë;
• Mungesës së vëmendjes nga Qeveria ndaj problemeve të përditshme të qytetarëve dhe mungesës së reformave që garantojnë qeverisjen në interes të qytetarëve;
• Humbjes totale të besimit të qytetarëve tek forca e shtetit;
• Asgjesimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që po faktohet dita ditës si fenomen që ka cenuar jo vetëm legjitimitetin e qeverisjes, por edhe llogaridhënien ndaj qytetarëve;
• Rrënimit ekonomik të vendit për llogari të oligarkëve të lidhur me Qeverinë, që përfitojnë fonde financiare në mënyrë abuzive, duke asgjesuruar konkurencën e lirë dhe duke penguar investimet e huaja në vend që janë motor punësimi;
• Pabarazisë së thellë midis qytetarëve të zakonshëm dhe njerëzve me pushtet, duke eleminuar shtetin e së drejtës dhe barazinë përpara ligjit;
• Përpjekjes së paprecedentë të Qeverisë për të kontrolluar të gjitha pushtetit në vend, përfshirë pushtetin gjyqësor.
II. Duke vlerësuar se gjendja e shkaktuar, ka mbi të gjitha, si shkak kryesor korrupsionin, si dhe lidhjet e forta midis Qeverisë e krimit të organizuar, të cilat pengojnë zhvillimin ekonomiko-social të vendit dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë;
III.Duke qenë të vetëdijshëm se rinia shqiptare ka më shumë se kurrë nevojë për mbështetje, jo vetëm për një arsim cilësor sipas standardeve europiane, por mbi të gjitha për krijimin e kushteve për punësim sipas meritës dhe mundësive individuale;
IV.Duke qenë të ndërgjegjshëm se kapja e pushtetit publik nga krimi, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike, duke e shndërruar në emergjencë kombëtare nevojën e shkëputjes së lidhjeve të ngushta Qeveri-krim;
V.Duke qenë të vendosur për të ndërmarrë çdo proces politik apo institucional që i hap rrugë nisjes së negociatave të antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke bërë realitet sa më parë ëndrrën e shqiptarëve për “Shqipërinë si gjithë Europa”;
VI.Duke vlerësuar se Qeveria aktuale dhe institucionet e drejtësisë nuk kanë ndërmarrë asnjë përpjekje konkrete, për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, përdorimit të parave të pista në zgjedhje, si dhe angazhimit në zgjedhje të individëve me të kaluar kriminale, duke cenuar rëndë besimin e publikut në integritetin e zgjedhjeve.
VII.Duke vlerësuar se Qeveria aktuale nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të luftuar shpërdorimin e burimeve shtetërore, keqpërdorimin dhe neglizhencën e Policisë së Shtetit dhe presionet e lidhura me vendin e punës mbi zgjedhësit.
DEKLAROJMË SE:
1. Kemi vendosur krijimin e një Koalicion të Bashkuar Opozitar qytetar për zgjedhjet e ardhshme në vend.
2. Rruga e vetme për të garantuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, është formimi i një Qeverie Tranzitore, me mandat të posaçëm për:
• kthimin e legjitimitetit politik të qeverisjes në vend, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare;
• Krijimin e kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlamentare dhe vendore në Shqipëri, përmes dhënies fund të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, oligarkia dhe korrupsioni i lartë shtetëror;realizimin e Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, presionit mbi median, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje;
• krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike;
• krijimin e kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo Reforme të nevojshme për këtë qëllim.
3. Rikonfimojmë vullnetin tonë se Integrimi Europian i Shqipërisë është prioriteti kombëtar dhe rruga e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur, dhe shprehim gatishmërinë tonë të plotë për të ndërmarrë çdo hap që bën realitet rrugëtimin e pandalshëm e të shpejtë të Shqipërisë drejt familjes europiane.
4. Jemi të vendosur për të ndërmarrë çdo aksion politik, institucional apo ligjor, për realizimin e kushteve që sigurojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe për t’i dhënë fund kapjes së qeverisjes dhe zgjedhjeve nga krimi i organizuar dhe paratë e pista të krimit dhe korrupsionit.
Ne Opozita e Bashkuar, angazhohemi në njëmarrëdhënie politike dhe elektorale e cila do të garantojëmundësi për çdo individ dhe parti politike për tu bërë pjesë e këtij transformimi të rëndësishëm kombëtar, bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe integritetit të nënshkruesëve të kësaj Platforme Bashkëpunimi.
Ne Opozita e Bashkuar, ngarkojmë Partinë Demokratike të Shqipërisë, si partia më e madhe opozitare në vend, që të realizojë marrëveshje individuale për zgjedhjet dhe bërjen efektive të Koalicionit Opozitar, me të gjitha palët nënshkruese të kësaj Platforme Bashkëpunimi.
Platforma e Bashkëpunimit bëhet efektive menjëherë dhe fillon zbatimin pas miratimit të saj nga organet statutore përgjegjëse të partive politike nënshkruese, sipas Statutit të tyre. Partitë nënshkruese njoftojnë njëra-tjetrën për miratimin e saj nga organet statutore përgjegjëse.
PARTITË POLITIKE TË KOALICIONIT OPOZITAR: