Opozita e ka të sigurtë fitoren, por pse çuditërisht hesht e nuk proteston?

Kriza politike nuk po gjen akoma zgjidhje. Kryeministri, ndonëse e ka të sigurtë humbjen kurdo të bëhen zgjedhjet, nuk pranon të shkojë në votime e të largohet me nder. Edhe opozita sikur ka rënë në gjumë apo e mikluar, nuk po reagon, ndonëse sondazhet janë krejt në favor të saj.

Kryeministri Edi Rama po mundohet që t’i shtyjë zgjedhjet e parakohshme sa më shumë, pasi sondazhet e bëra nga shoqata që janë financuar prej tij tregojnë se opozita fiton thellë, nëse konkuron e bashkuar në zgjedhje. Po ashtu, sondazhe të brendshme të ambasadave të huaja, që nuk bëhen publike, i japin PD-LSI dhe partive të opozitës mbi 82 deputetë, janë treguesi i humnerës së Ramës. Pra të gjitha sondazhet, edhe ato që bëhen nga organizatat pranë qeverisë, tregojnë që kryeministri aktual humbet thellë. Nga mazhoranca fiton edhe PSD, një deputet në zonën ku kandidon Tom Doshi. Ndërsa PD dhe LSI fitojnë me rritje të madhe votash dhe mandatesh, në raport me vitin 2017, çka i bënë fituese të sigurta të zgjedhjeve të parakohshme. Po kështu, sondazhi në fjalë tregon se për postin e kryetarit te PS tre janë emrat më të votuar, në momentin që do të japë dorëheqjen Edi Rama: Erion Veliaj, Fatmir Xhafaj dhe Ditmir Bushati.

Edi Rama thotë shpesh se qeveris me sondazhe, pasi për çdo çështje porosit shoqatat të bëjnë anketime dhe pyetësorë specifikë, të dhënat e të cilave i merr çdo ditë dhe javë në zyrë. Tashmë vetë sondazhet e porositura nga ai, tregojnë se qeveria dhe modeli “Rama” nuk ka më as mbështetjen e socialistëve. Por pikërisht, nga që situata është më kritike për atë sesa çdo herë tjetër, ai po mundohet të zgjasë krizën totale me shpresën në përmbysjen e situatës. Të dhënat e sondazheve me 82 mandate që merr koalicioni aktual opozitar janë një shifër që e trembin më shumë se çdo gjë tjetër kryeministri Edi Rama. Kjo është dhe arsyeja se përse mundohet të shtyjë pa fund krizën politike dhe të sajojë probleme të reja në vend. Rënia e mbështetjes së qeverisë Edi Rama nga qytetarët është një fakt i konfirmuar edhe më herët, nëse shihet pjesëmarrja me dhunë dhe detyrim në votimet moniste të 30 qershorit. E reja në sondazhet e fundit është se tashmë kryeministrin nuk e besojnë më as socialistët dhe votuesit tradicional të Partisë Socialiste. Rënia e mbështetjes për qeverinë dhe rënia në kuotat personale të kryeministrit, që e quan veten politikan më të mirë edhe se Ismail Qemali, tregojnë se Rama i kanë mbetur vetëm deputetët që i ka vënë në rresht dhe kërcënohen po folën apo veprojnë. Gjithashtu i kanë mbetur dhe një tufë oligarkësh që po bëjnë vjedhjet e fundit të buxhetit dhe tenderave. Kjo përmbysje ekstreme e mbështetjes qytetare ndaj qeverisë dhe PS-së duhet shfrytëzuar në kohë nga opozita. Qytetarët janë lodhur me këtë qeveri, nuk e duan më Edi Ramën dhe nuk kanë më shpresë, por kjo nuk do të thotë që mbështetja e qytetarëve do të jetë gjithmonë për opozitën. Ndjekja e lojës së Ramës me muhabete reformash që shtyhen pa fund dhe teorira se Gjermania e SHBA “se lënë qeverinë të largohet” janë historia që i beson vetëm një riosh politik si Gent Cakaj dhe “opozita e re” në Kuvend.

Nuk ka ndërkombëtar që i thotë një qeverie jep dorëheqjen, janë qytetarët dhe drejtimi politik i opozitës ata që detyrojnë një qeveri të largohet dhe bindin ndërkombëtarët se janë alternativa më e mirë. Dhe nëse e kanë merak qëndrimin e ndërkombëtarëve, mjafton të shohin se në tre ditët e fundit nuk mbetur diplomatë i Ambasadës në Tiranë që nuk flet për krimin, korrupsionin, trafiqet, madje dhe për mos reagimin e shoqërisë civile. Edhe e nomimuara për ambasadore foli në senatin e SHBA për krizë politike në Shqipëri. Kujtojmë që Edi Rama e ka bezdi edhe kur ja përmendin gazetarët që vendi është në krizë. Ndërkohë rënia e mbështetjes për qeverinë është ankthi më i madh i Edi Ramës, ndaj opozita nuk e ka luksin të presë.

Koalicioni opozitar duhet të insistojë për zgjedhje të parakohshme sa më shpejt. Insistim me protesta, presione dhe çdo formë demokratike reagimi qytetar. Sepse nëse opozitarët kënaqen vetëm me sondazhet dhe rrinë në pritje se kur do ti teket kryeministrit, atëhere edhe vetë qytetarët do mendojnë se nuk ka krizë, derisa opozita sillet sikur të jetonim në një vend normal.

E habitshme se si opozita kur është në kulmin e kuotave të saj publike akoma pret. Çfarë pret? T’ia dhurojë në tavolinë pushtetin Edi Rama?!

Nëse vazhdon me heshtje e gjumë longhillsi ka mundësi që njerëzit të përgjumen si vetë lidershipi opozitar.

Eshtë krim ndaj popullit, të heshtësh, kur kryeministri e ka bllokuar rritjen e mirëqënies, kur krimi lulëzon dhe flitet se buxheti i shtetit nuk ka më as lekë.

SHKARKO APP